E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit kërkojnë barazinë e votës dhe transparencë. PS: PD të deklarohet nëse është për korrektimin e sistemit

Share

Partitë e vogla u mblodhën sërish sot në një tryezë për të kërkuar sërish barazinë e votës, transparencë, numërim elektronik dhe sistem të ndershëm ankimimi. Ata madje miratuan edhe një deklaratë me kërkesat e tyre.

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, deklaroi se është shumë i rëndësishëm garantimi i barazisë së votës. Milo kërkoi që partitë e vogla ti bëjnë presion aleatëve të mëdhenj, në mënyrë që ato të detyrohet që të mund të respektojnë angazhimet e tyre.

Edhe kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi e vuri theksin tek garantimi i zgjedhjeve të lira, ku të garantohet barazia e votës.

Jemi mbledhur disa herë, nuk mbrojmë interesat e disa partive, por garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, garantimin e barazisë në votë. Një qytetar të japë një votë, kjo garantohet me futjen e teknologjive. Të korrigjohet sistemi zgjedhor dhe vota të numërohet elektronikisht, shtoi ai.

Kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se reforma duhet të krijojë besim të qytetarët se vota e tyre do  jetë e barabartë dhe do të lexohet në mënyrë transparente, si dhe duhet të përfundojë brenda afateve.

Partitë e vogla kanë akuzuar të dy partitë e mëdha se nuk kanë vullnet për të plotësuar kërkesat e tyre. Për këtë arsye ka reaguar edhe PS. Damian Gjiknuri, në një deklaratë për mediat, tha se PS ka qenë promotore e çdo propozimi që garanton transparencën dhe barazinë e votës. Ai tha se është koha që PD të shprehet qartë nëse është për korrektim të sistemit apo jo.

Partia Socialiste ndoqi me shumë interes dhe shqetësim tryezën e partive në lidhje me Reformën Zgjedhore. Ndajmë të njëjtën ndjesi dhe shqetësim në lidhje me mosecurinë e Reformës Zgjedhore, por nuk ndajmë të njëjtin opinion në lidhje me bashkëfajësinë e bllokimit të Reformës Zgjedhore. Partia Socialiste me qëndrimet e saj publike gjithmonë ka dashur ta adresojë çështjen e barazisë së votës. Të gjithë shqiptarët e dinë që Partia Socialiste ka qenë promotore e çdo propozimi që përmirësonte gjithëpërfshirjen, transparencën apo barazinë e votës. Të gjithë janë dëshmitarë që Partia Socialiste ishte shtytësja e procesit të numërimit elektronik, që fatkeqësisht në mënyrë të njëanshme edhe nga ajo paketë e miratuar me konsensus u hoq dorë me sebepe apo pretekste që diheshin më parë. Të gjithë e dinë shumë mirë qëndrimin tonë publik, të PS, që kemi qenë të hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor dhe vazhdojmë ti qëndrojmë me forcë korrektimit të sistemit zgjedhor.

Prandaj që fjalët tia lënë vendin veprave është koha që publikisht Partia Demokratike të deklarohet që është e hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor apo jo. I qëndron apo nuk i qëndron marrëveshjes së nënshkruar nga 26 partitë?! tha Gjiknuri.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›