E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi kushtetues pengesë KQZ

Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës është i palëkundur për të vazhduar betejën, me synim mbajtjen e referendumit kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit

Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës është i palëkundur për të vazhduar betejën, me synim mbajtjen e referendumit kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Drejtues të këtij komiteti i thanë dje “Korrierit”, se mosdërgimi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri më sot nuk ka të bëjë me tërheqjen e tyre, por me një pengesë procedurale. “Do ta çojmë shumë shpejt. I vetmi problem që është bërë pengesë, është se KQZ-ja ende nuk ka zbardhur vendimin e marrë në mbledhje. Por ne nuk do të heqim dorë”, - deklaroi deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Ai nuk pranoi të komentojë vendimin e mundshëm që mund të marrë Gjykata Kushtetuese, por sipas të gjithë përfaqësuesve të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, referendumi duhet të mbahet, dhe e drejta e qytetarëve për të bërë vetë zgjedhjet e tyre nuk mund të mohohet. Edhe kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, vlerëson se çështja nuk mund të përfundojë vetëm me rrëzimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Nuk mund të them kur do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka kthim mbrapa. Kërkesa do të çohet, pasi vendimi i KQZ-së nuk ishte i drejtë. Do t’i kërkojmë gjykatës të na thotë nëse kërkesa është e drejtë apo jo”, - tha Ceka. Presidenti i PAD-së u duk këmbëngulës, për t’i shkuar betejës deri në fund. Tashmë, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës ka humbur raundin e parë, pasi KQZ-ja nuk i dha formularët për mbledhjen e 50 mijë firmave për të filluar procedurat e mbajtjes së referendumit kundër ndryshimeve kushtetuese. Por nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë komitetit, atëherë referendumi mund të mbahet. Komiteti kërkon të zbatohet neni 150 i Kushtetutës, që lejon zhvillimin e referendumit pas mbledhjes së 50 mijë firmave, por sipas KQZ-së, formularët nuk mund të jepeshin, pasi në këtë rast zbatohet neni 177 i Kushtetutës, për referendum lidhur me ndryshimet kushtetuese, që mund të realizohet vetëm me firmat e deputetëve. Në këtë rast, pas paraqitjes së kërkesës së 28 deputetëve, dy të tretat e Kuvendit duhet të votojnë “pro” referendumit, e më pas KQZ-ja është detyruar të zhvillojë referendumin, pas shpalljes së datës nga Presidenti i Republikës. I. S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›