E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, Gruevski dhe Samaras, ndryshe nga Berisha

Nga Arben Manaj

Retorikisht në këtë shekull kur etiketohesh nacionalist, të marrin për démodé dhe diplomatikisht të trajtojnë si leproz. Aq më tepër në një rajon si Ballkani.

Por nuk po flas për nacionalizm në kuptimin klasik të përkufizimit. Fjala është për mbrojtjen e interesave kombëtare pa i hyrë në hak askujt, as fqinjve, e as dinjitetit tënd personal e mbi të gjitha as atij kombëtar, të sotëm e të ardhshëm.

Pronocimet e udhëheqësit të opozitës shqiptare në lidhje me një kaleidoskop problematiksh me Greqinë, të vjetra apo edhe të kohëve të fundit, përbejnë një risi të pritshme në jetën politike, që duhen vleresuar.

Ato jo vetëm nuk duhen keqkuptuar, por duhen mbështetur nga të gjithë ata, që u ngjethet mishi sa herë këndojnë hymin kombëtar shqiptar.

Mosnjohja e asnjë lloj forme marrëveshjeje me Greqinë për kufirin detar që nuk do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, fqinjesia e mire vetëm përmes reciprocitetit, e në asnjë mënyrë jo përmes koncesioneve të papranueshme ndaj qeverisë greke, denimi i koncesionit te heshtjes se pafalshme te qeverisë shqiptare për ndalimin në kufi të gazetarit Marin Mema e deri tek koncesionet e patolerueshme territoriale siç ishte marrëveshja e turpshme e detit, kishte dhe ka vetëm një emër sipas Rames:Tradhti kombëtare e kësaj qeverie.

Jam i sigurt që pas këtij rikthimi në identitet dhe rilindje te dinjitet kombëtar, do vërsulen ndaj Ramës, taborët politik dhe dipllomatik të qeverisë, që në mënyrë perverse në emër të integrimit evropian do i përmendin atij mungesën e vizionit, të qënit pengues i endrrës evropiane të shqiptarëve, si dhe faktin e të qënit një politikan që nuk duhet të vij në pushtet si i rrezikshëm për fqinjësinë e mirë me Greqinë si vënd i BE-së, ende!

Unë vetëm shpresoj që Rama dhe opozita e sotme, si qeveri e nesërme në pritje, ti përmbahet këtyre qëndrimeve deri në fund dhe të rektifikoj cdo defekt në marrëdhëniet fqinjësore me Greqinë.

Është fatkeqësi që një qeveri e djathtë, të cilat përgjithësisht janë ato që janë më të ashprat në politikat nacionaliste në përgjithësi, në rastin e Shqipërisë, ndjek politika zogolljane.

Është fatkeqësi që në emër të mbajtjes së pushtetit, (ndryshe nga Zogu, në emër të ardhjes në pushtet), të jepen pjesë nga territori shtetëror i vëndit, sic po kërkohet ti jepet një pjesë e detit.

Do jetë fatkeqësi nëse do thyehet rekordi i Shqipërisë së pas Luftes së Dytë Botërore në mosdhënie më territori fqinjëve tanë.

Është fatkeqësi nëse edhe ata që janë mbështetës të flakët të së djathtës, që në retorike janë disi më të spikatur si nacionalist romantik se të tjerët, nuk do të turfullojnë në vetvete të paktën, kur shihet që kërkohet me cdo kusht ti jepet grekut një pjesë e Shqipërisë ujore, shume pranë vëndit të thyerjes maceduniane të rekordëve të vetme të notit.

Kjo nuk do të ishte konsistente as me anatemimet që ata mund ti kenë bërë me të drejtë ndonjë deklaratë apo perceptimi për ndonjë ish-Kryeministri shqiptar në relatat me fqinjët, nën influëncë alkoholi dhe jo esëll.

Nuk do të doja që këto formulime apo qëndrime në politikën e jashtme të opozitës në relacion me fqinjin jugor, të jenë të shtyra dhe të inicuara, nga dhe për shkak të presionit që vjen nga qëndrime akoma më të ashpra nga Aleanca Kuqezi dhe të jenë vetëm, një kapje territori në polemikën për këto cështja të nxehta, që kur janë thënë nga Aleanca KZ, janë cilësuar, për mendimin tim, padrejtësisht nacionaliste.

Shqipëria ka nevojë të mësoj paksa nga fqinjët në këtë fushë. Ka nevojë të mësoj pak nga dinjiteti i tyre kombëtar dhe politik, të cilët për cështjet e interesit të tyre kombëtar jane më PAK katolik se Papa.

Personalisht, do të preferoja një Kryeministër të ardhshëm të ishte pak më shumë si Gruveski i Maqedonisë, që ka këllqet të mos i lëshoj pe Athinës për cështjen e emrit, e jo më për terrritor fizik. Dhe sic dihet, këtë e ka bërë edhe duke pranuar një kosto të madhe dipllomatike për vendin, duke mos e futur Maqedoninë në NATO.

Madje, duke mos avancuar ndër të tjera shumë, edhe në cështjen e integrimit evropian edhe pse e kanë prej afro dhjetë vjetësh statusin e vëndit kandidat në BE, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve dhe presionit nga Greqia e padiagnostikuar.

Personalisht, do të preferoja që Kryeministri i ardhshëm i vëndit tim të ishte paksa edhe si kryeministri grek Samaras dhe si grekët e tjetër, që desh bën revolucion edhe pse pa brekë në mendere, kur iu sugjerua marrja e ishujve grek si kompensim për borxhet galopante të vëndit.

E kur këta kryeministra fqinjë janë kaq atdhetar në mbrotjen e terrësisë së tyre territoriale dhe simboleve kombëtare, përse u dashka që Kryeministri i Shqipërisë të demostroj se është më kozmopolit dhe më cool-er i pahonepsshëm dhe pa ja kërkuar kush të jetë i tillë?!!!

Askush nuk të respekton në botë po nuk respektove veten në rradhë të parë. Kjo vlen sa në aspektin personal aq edhe në atë shtëtoror.

Askush nuk të do në Evropë, edhe pse nuk ta kërkon kush, e përsërisë, duke bërë hovardarin me territorin e vëndit tënd. Por padyshim, të respektojnë akoma më shumë, edhe pa ta shprehur haptazi, kur je reciprokisht luajaj kur mbron interesat e vëndit tënd në cdo betejë, sic bën Kameruni i Britanisë dhe paraardhësit e tij, edhe pse kundër të gjithë të tjerëve, kur nuk lejon cënimin e interesave të vëndit të vet përballë terapive të sugjeruara nga nje Evropë e sëmurë ekonomikisht.

Shqipëria nuk duhet të lejoj më nëpërkëmbje, fyerje apo poshtërime nga Greqia, aq më tepër të jetë e kompleksuar prej saj, jo se ajo është aty ku është sot dhe pritet të shkoj aty ku thuhet se do të shkoj nesërpasnesër, por në rradhë të parë, se vetëm me dinjitet dhe mbi të gjitha dinjitet kombëtar dhe politik, je më mirëpritur dhe më i respektuar si partner, si në Athinë ashtu edhe në Bruksel, edhe pse mund të jesh nga fundi i listës së të varfërve të Ervopës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›