Referendumi, një shpikje kundër Prokurorit
Është e njohur në stilin politik të Berishës shpikja e një problemi, i cili mbyllet në shkëmbim të asaj çfarë Berisha ka vërtet problem. Sa herë ai parandien një furtunë kundër tij, nga aleatë apo kundërshtarë, ai shpik pa pasur shumë turp, një problem që nuk ekziston dhe tërhiqet prej tij, vetëm nëse problemi real që ai parandien, po zgjidhet duke u tërhequr kundërshtari.
Kryeshembull i kësaj është 21 Janari, kur pasi vrau 4 qytetarë me gjakftohtësi, shpiku një grusht shteti ku bënin pjesë Presidenti, Kryetari i SHISH, Kryeprokurorja dhe katër gazetarë. Pas presionit ndërkombëtar, hoqi dorë nga ne 4 puçistët, por Komisioni Parlamentar që u ngrit nga një figurinë qesharake si Halimi, vazhdon të qëndrojë i ngritur deri në eliminimin e puçistes së fundit, e cila ka ngelur në zyrat e shtetit. Pas kësaj, Komisioni mund të shpërndahet, por kërcënimi ndaj atyre që mund të kërkojnë drejtësi, do të vazhdohet nga dy kukullat e tij në pushtet, Presidenti dhe kryetari i SHISH dhe ndoshta nga kryeprokurori i ri.
Identikiti i këtij të fundit duket se e ka futur në siklet, pasi parandien që aleati i tij në qeveri po tenton tia kërkojë si shpërblim për votën pro Nishanit apo heshtjen pro zëvendësimit të kryetarit të SHISH. I frustruar se kjo mund të ndodhë, Berisha ka disa javë që ngre tymnajë për një çështje banale, siç është referendumi për imunitetin, që nënkupton një shtyrje pa fund të heqjes së imunitetit dhe justifikim të ngeljes në klasë të Shqipërisë në marrjen e ftesës së statusit.
Qyshkur e bëri këtë propozim tre javë më pare, LSI doli kundër dhe kërkoi votim në parlament të propozimit të opozitës. Pra, Berisha është i qartë përse këmbngul. Nuk është se qëndrimi i LSI-së i doli rrugës papritur, përkundrazi, Berisha e forcoi qëndrimin për referendum, pasi LSI doli kundër qysh tre javë më parë. Kjo tregon se më shumë se sa kundër Ramës, Berisha e ka shpikjen e referendumit, një test për bashkëjetesën me Ilir Metën.
Sa më shumë afron data dhe koha për tu miratuar kjo paketë ligjesh, aq më shumë Berisha flet për referendumin hipotetik. Edhe mizaskenat janë të njëjta si ato të puçit të 21 Janarit. Sërish përshembull, referendumin e justifikon Halimi, i cili ka një pamje mashtruesi, që i jep imunitet për gjithë marrëzitë që thotë.
Por, duket se shqetësimi real i Berishës nuk është referendumi, por Kryeprokurori. Duke nuhatur dëshirën e Ilir Metës për të kontrolluar prokurorinë, Berisha po shpik një betejë pa asnjë rëndësi, për të testuar fuqinë e LSI-së dhe shanset për kompromis rreth kryeprokurorit. Meqë LSI dhe PS janë në një mendje për paketën e ligjeve të drejtësisë, që mundësojnë marrjen e ftesës dhe që duhet të miratohen në shtator, Berisha ka dalë kundër dhe kërkon që ato të mos miratohen me vote, por në referendum(!!!)
I gjithë qëllimi i tij është të testojë një shumicë të mundëshme pa LSI-në në Kuvend, njësoj si në rastin e Ardian Vishës dhe të shkojë me atë shumicë drejt zgjedhjes së kryeprokurorit.
Kjo do ta qetësonte atë plotësisht dhe do ta poshtëronte tërësisht LSI-në, si një parti e pavlerë në koalicionin e tij.
Të frikësuar nga rezultati, të dy palët, dhe Berisha, dhe Meta, nuk po përfshihen vetë në debat, por po flasin me manekinët e tyre, çfarë nënkupton qartazi luftën e ftohtë për të testuar njëri- tjetrin. Por, e sigurt është që tymnaja e Berishës për referendumin është një banalitet i shpikur, që i vlen vetëm për ti plotësuar Metës një dëshirë politike, siç është heqja dorë nga referendumi, në shkëmbim të tërheqjes së këtij të fundit nga Prokurori i Përgjithshëm.
Nuk është se palët kanë për të bërë pazar për këtë çështje, por kanë për të bërë padyshim një test force në Kuvend.
Nëse Berisha shikon se ja del me 71 vota, pa Ilir Metën, duke përdorur natyrisht Islamin dhe ndonjë delfin tjetër, atëherë ai do ti qëndrojë deri në fund deklaratave të Tritan Shehut për kryeprokurorin. Në të kundërt, do ta shesë për kompromis tërheqjen nga referendumi.
Por, e sigurtë është se referendumin nuk e ka shpikur për të bërë betejë me Ramën, por për të shpikur një problem me Metën, një problem që teston fuqinë e tyre, për të bashkëjetuar mes pazareve dhe mungesës së besimit reciprok.
