E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kohë sprovash për bashkitë qipriote

29-08-2012 / “Southeast European Times”

Qipro po përballet me vështirësi në rritje për të financuar bashkitë e saj në një kohë kur vendi i zonës euro kërkon një paketë shpëtimi nga Trojka BE-BQE-FMN e qeveria po shkurton me rreth një të tretën financimet bashkiake. "[Kemi arritur] të ofrojmë shërbime të tilla si largimin e mbeturinave, por me fillimin e shkurtimeve të qeverisë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë," tha për SETimes Kostas Petrou, kryetar i bashkisë Ajios Dhometios, një periferi e madhe e Nikozias. Qipro është ekonomia e tretë më e vogël e zonës euro, por analistët thonë se vendi ndodhet në gjendjen më të keqe financiare që më 1974, për shkak të ekspozimit të bankave vendase ndaj borxhit të Greqisë. Në muajt përpara kërkesës për paketë shpëtimi të Nikozias, qeveria e shkurtoi buxhetin nga 90 milionë euro në 70 milionë euro. "Bashkia padyshim që është ndikuar nga shkurtimet e shpenzimeve të qeverisë. Nga ana jonë, na është dashur të kursejmë, por nuk rrezikohemi që të mbyllemi," tha Antonis Kokos, kryetar i bashkisë së Ajia Napa, një qytet i njohur turistik. Lefkara, një bashki rurale në qarkun jugor Larnaka, është dashur të bëjë koncensione për të funksionuar si zakonisht. "Ndërsa bashkitë bregdetare si Ajia Napa përfitojnë nga futja e turizmit gjatë verës, bashkitë brenda territorit e kanë më të vështirë meqë nuk marrim aq shumë turistë," tha Savas Ksenofontos, kryetar i bashkisë së Lefkarasit. Ksenofontosi tha se bashkia e tij siguron para duke ngrirë pagat e punonjësve të administratës që janë mbi 2.000 euro në muaj. Disa argumentojnë se 30 bashki janë të tepërta për një vend me 800 mijë banorë - Nikosia, një qytet me 200 mijë banorë ka tetë bashki -- por zyrtarë argumentojnë se centralizimi i shërbimeve do ta bënte sistemin bashkiak më të efektshëm. "Po, besoj se janë shumë, por kam bërë përpjekje që të krijoj bashkëpunim me bashkitë e tjera. Për shembull, po bëjmë përpjekje për të bashkuar forcat me qytetin fqinj e të bashkëpunojmë në fusha të tilla si grumbullimi i mbeturinave," tha Kokosi. Në Greqinë fqinje, qeveria e transformoi pushtetin vendor më 2010 duke pakësuar numrin e komunave nga 5,800 në 1,034 e duke centralizuar më shumë përgjegjësi komunale. Megjithatë, me thellimin e krizës së borxhit grek, financimet e qeverisë po ulen e komunat e krijuara së fundi e kanë gjithnjë e më sfiduese që të funksionojnë. Që nga konflikti i 1974-ës, nëntë ish-bashki në veri u zhvendosën në jug të zonës ndarëse të administruar nga OKB, e cila ndan ishullin. "Me problemet ekonomike, së bashku me financimet e pakësuara qeveritare e pa asnjë zgjidhje për çështjen qipriote, kjo është gjendja më e keqe që më 1974," thotë Janis Papajani, kryetar i bashkisë së Karvasit, një prej të nëntave. Papajani tha se është e rëndësishme që një bashki të strehohet përkohësisht në Nikozian e jugut megjithëse nuk ka autoritet real në zonën e mëparshme të saj. "Ajo grumbullon refugjatë, persona të zhvendosur e shumë qipriotë nga Karavasi që kanë emigruar jashtë vendit. Përpiqemi të ruajmë traditat tona kulturore, si dhe të kujtojmë nga kemi ardhur," tha Papajani. Ndërsa në Nikozia qeveria subvencionon nëntë bashki, shumica e financimeve kanë ardhur nga dhurues brenda Qipros e nga borxhe. Por edhe dhurimet po vonojnë nga stresi i krizës financiare botërore. "Çdo vit botojmë një revistë mbi veprimtaritë e bashkisë e mbi Karavasin. Për këtë kemi nevojë për 10 mijë euro. Këtë vit nuk mund ta botojmë sepse thjesht nuk kemi fondet e nevojshme," tha Papajani.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›