E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncepti i Stevan Moleviqit dhe memorandumi SANU

29-08-2012 / Nga Dragolub Todoroviq

Lëvizja çetnike, e cila është mposhtur në Luftën e Dytë Botërore, ka përjetuar një reinkarnim pothuajse të plotë në të gjitha segmentet (ideologjisë, qëllimeve, e madje edhe në emër, sjellje, vula, folklor...) e luftërave të zhvilluara në territorin e Jugosllavisë në vitet 1991-1995

Pas një fushate shumëvjeçare, qoftë të mbuluar apo të hapur, të mbështetësve të lëvizjes çetnike në Luftën e Dytë Botërore, Kuvendi i Republikës së Serbisë miratoi ligjin, me të cilin pjesëtarët e formacionit çetnik të luftës së viteve 1941-1945 barazohen, me të gjitha të drejtat, me luftëtarët partizanë të së njëjtës periudhë. Me këtë, zyrtarisht është pranuar karakteri antifashist i lëvizjes çetnike në Luftën e Dytë Botërore. Megjithatë, me miratimin e ligjit të përmendur nuk janë eliminuar dyshimet tejet serioze, të cilat haptazi e vënë në pikëpyetje antifashizmin çetnik dhe të cilat tregojnë bashkëpunimin e tyre me okupatorin gjatë pjesës më të madhe të luftës. Vetëm sa për shembull, nga teksti i monografisë së Stanislav Krakovit “Gjenerali Milan Nediq”, shumë qartë del në pah mbështetja tejet e rëndësishme logjistike dhe e çdo lloji tjetër e okupatorit gjerman për formacionet çetnike të Drazha Mihajloviqit, e cila ka kaluar nëpërmjet qeverisë tradhtare të Milan Nediqit, me qëllim të shkatërrimit të komunistëve dhe likuidimit të lëvizjes partizane. Krakov nuk është as partizan e as komunist, por nip i Milan Nediqit dhe zyrtar i lartë i qeverisë së tij, kështu që pretendimet e tij paraqesin një burim të respektueshëm. Konfirmimi i pretendimit të Stanislav Krakovit është një fakt mirë i ditur, historikisht i verifikuar për shmangien e përleshjes së çetnikëve të Drazha Mihajloviqit me formacionet okupuese gjatë pothuajse tërë kohës së zgjatjes së luftës, me arsyetimin se me këtë mbrohen banorët serbë nga parimi gjerman që për një gjerman të vrarë të vriten njëqind serbë. Ekzistojnë edhe shumë çështje jo të qarta, historikisht dhe shkencërisht të kontestuara në lidhje me lëvizjen çetnike të Drazha Mihajloviqit. Megjithatë, është e sigurt se lëvizja çetnike ka pasur një karakter të theksuar nacionalist me ambicien që të përmirësojë padrejtësinë, e cila, sipas mendimit të shumicës së popullatës serbe, i është shkaktuar popullit serb pas Luftës ë Parë Botërore dhe formimit të shtetit të parë të përbashkët të Jugosllavisë më 1918, nën dinastinë serbe Karaxhorxheviq.
Në kontekstin e përmendur, duhet analizuar dukurinë se pse kroatët dhe myslimanët, i quajnë të gjithë pjesëtarët e njësiteve serbe në luftërat më të fundit të viteve 1991-1995, pa asnjë arsye, as më të paktën, çetnikë. Përkrahësit e ideologjisë çetnike në Serbi insistojnë në faktin se ideologjia çetnike, programi, përcaktimi themelor dhe qëllimet e luftës nuk kanë kurrfarë lidhje me çetnikërinë bashkëkohore dhe luftën në Jugosllavi. Ata pretendojnë se inspiruesit, organizatorët dhe protagonistët e luftës së viteve 1991-1995 në ish-Jugosllavi janë komisari partizan Dobrica Çosiq, aparatçiku partiak Slobodan Milosheviq, marksisti i ri Vojislav Sheshel, oficeri i lartë i Armatës komuniste Popullore të Jugosllavisë (JNA), Ratko Mladiq dhe i biri i kolonelit të forcave ajrore, Zhelko Razhnjatoviq - Arkan. Ky konceptim nuk qëndron, e errëson dhe e paraqet me një dritë të zbehtë luftën në territorin e ish-Jugosllavisë. Lufta e viteve 1991-1995 ka nisur pa dyshim, pa asnjë dilemë dhe mëdyshje, me qëllim të krijimit të Serbisë së Madhe me kufijtë perëndimorë që shkojnë nga vijat Karlobag-Ogulin-Virovitica. Ideologu kryesor çetnik, njeriu më i besuar i Drazha Mihajloviqit dhe personaliteti, referati i të cilit në kongresin e njohur të Shën Savës të mbajtur në fshatin Ba më 27 janar 1944 është miratuar si rezolutë e Kongresit, e avokatit banjallukas, dr. Stevan Moleviq, për më tepër edhe e ka publikuar qysh më 30 qershor 1941 në librin e Nikshiqit “Për shtetin tonë dhe kufijtë e tij”. Bëhet fjalë për projektin e Moleviqit për shtetin e ardhshëm të Jugosllavisë, i cili ishte rregulluar mbi baza federative, me tri njësite federale (Serbi, Kroaci dhe Slloveni). Njësia federale serbe do të përfshinte të gjithë Bosnjën, Mostarin, Metkoviqin, Shibenikun, Zadrën, Plloçën, Dubrovnikun, Karlovcin, Osjekun, Vinkovcin, Vukovarin, më pas Peçujin, Temishvarin, Vidinin, Çustendilin, të gjithë Maqedoninë dhe Shqipërinë veriore.
Në projektin e tij, Moleviq shkruan: “Serbëve sot u imponohet si detyrë e vetme dhe e bazuar: krijimi dhe organizimi i një Serbie homogjene, e cila do të përfshijë të gjithë hapësirën etnike ku serbët jetojnë dhe që t’i sigurojë linjat dhe kryqëzimet strategjike dhe të komunikacionit, si dhe hapësirat ekonomike në mënyrë që t’i mundësohet edhe jeta e lirë ekonomike, politike dhe kulturore dhe zhvillimi për të gjitha kohërat... Serbët duhet të përmbushin detyrimin e tyre historik e këtë do të mund ta bëjnë vetëm në rast se mblidhen në një Serbi homogjene në kuadër të Jugosllavisë, të cilën do ta frymëzojnë me shpirtin e tyre dhe do t’ia japin vulën e tyre. Serbët duhet të kenë homogjeni në Ballkan, e që të kenë homogjeni në Ballkan, duhet që së pari të kenë homogjeni në Jugosllavi”. Këtë shkrim, Moleviq e publikon kah mesi i vitit 1941, kur Jugosllavia tashmë është e pushtuar dhe kur ushtria e saj është e kapitulluar, ndërsa Hitleri ishte në kulminacion për sa u përket fitoreve. Rrethanat e tilla Moleviq i vlerëson në mënyrën si vijon: “Duhen shfrytëzuar rrethanat e luftës dhe në momentin e përshtatshëm zënë territorin e kufizuar në hartë, pastruar atë para se ta marrë dikush dhe me detashmente të fuqishme marrim vendet kyç: Osjekun, Vinkovcin, Slavonski Brodin, Kninin, Shibenikun, Mostarin, Metkoviqin, e pastaj territorin me qytetet e përmendura ta çlirojë nga elementet joserbe: fajtorët të dënohen menjëherë dhe të tjerët të dëbohen, kroatët në Kroaci, e myslimanët në Turqi apo eventualisht në Shqipëri, e territoret e zbrazura të mbushen me refugjatët serbë që ndodhen në Serbi”. Stevan Moleviq mbetet promovuesi kryesor dhe interpretuesi zyrtar i qëllimeve luftarake dhe nacionaliste të lëvizjes dhe vizionit çetnik për shtetin pas luftës gjatë gjithë kohës së luftës, ndërsa në fillim të vitit 1944 ai merr pjesë në punimet e Bordit të Përkohshëm për Kongres. Në punimet e këtij bordi ai emëroi Zhivko Topaloviqin, i cili kërkoi njësia e katërt federale të jetë Bosnja, e që në referendum popullor pas luftës të merret vendimi për formën e qeverisjes (monarki apo republikë), që delegatët e Kongresit të jenë nga radhët e partive politike dhe nga lëvizja e Ravnagorës, derisa Moleviq kërkoi që Kongresi të jetë ekskluzivisht ravnogoras. Moleviq e refuzoi sugjerimin e kryetarit të qeverisë jugosllave në azil, Slobodan Jovanoviq, për orientimin jugosllav, të cilin duhet ta theksojë Kongresi. Moleviq shkoi aq larg sa që propozoi ndërprerjen e marrëdhënieve me qeverinë emigruese jugosllave. Drazha Mihajloviq e mbështeti Moleviqin dhe ai e paraqiti në Kongresin e 27 janarit të vitit 1994 në fshatin Ba referatin kryesor politik, i cili u shndërrua në rezolutë të Kongresit. Moleviq bëhet kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komitetit qendror kombëtar dhe këshilltari i parë politik i Drazha Mihajloviqit. Me këtë ndërpritet çdo ndikim në lëvizjen çetnike të Dragisha Vasiqit dhe Zhivko Topaloviqit, të cilët e kundërshtonin konceptin e Moleviqit. Hapet faqja e re e quajtur “Serbizmi i bashkuar”, në të cilin tekstet programore rreth nacionalizmit serb i shkruan Moleviqit që ia dha edhe emrin kësaj faqeje, pasi ishte i obsesionuar me idenë e serbizmit të bashkuar. Pra, të gjitha idetë e Moleviqit janë pranuar dhe mund të thuhej edhe se projekti i Moleviqit për Serbinë e Madhe të vitit 1944 është legalizuar në Kongresin çetnik në fshatin Ba më 27 janar 1944. Memorandumi SANU i vitit 1986 i pranon të gjitha idetë e Stevan Moleviqit, të cilat në Kongresin e fshatit Ba janë bërë qëndrim zyrtar i lëvizjes çetnike për zgjidhjen përfundimtare të çështjes nacionaliste serbe, vetëm se kufijtë e Serbisë së Madhe të memorandumit ishin paksa më të gjera se sa ato të çetnikëve. Sipas memorandumit, megjithatë, në këtë shtet aq të dëshiruar nuk hyjnë Peçuhi, Temishvari, Vidini, Çustendili dhe Shqipëria veriore. Me formacionet serbe që i humbin luftërat, kufijtë e Serbisë së Madhe do ngushtohen në mënyrë që sot të jenë pak më të mëdha se sa pashallëku i Beogradit. Serbët u nisën në luftëra me projektin çetnik të zgjidhjes së pozitës së popullit serb në Jugosllavi, e cila paksa është riformuluar dhe zbutur, pak më gjuhën ezopiane dhe arsyetimin e ri retorik, të përtërirë në mënyrë praktike në Memorandumin SANU më 1986: Luftëtarët serbë edhe në të ashtuquajturën Republikë Serbe e edhe në të ashtuquajturën Republikë të Krahinës Serbe, si dhe vullnetarët nga Serbia që u janë bashkuar, haptazi janë deklaruar si çetnikë serbë. Kanë bartur mjekra, kapela, kokarda, flamuj të zinj me mbishkrimin: “Bashkim apo vdekje” apo “Për mbretin dhe atdheun”. Praktikuan festa çetnike, e ngritën lart dhe e festuan figurën e Drazha Mihajloviqit dhe të komandantëve të tjerë çetnikë. Nga udhëheqësit e mbijetuar ushtarakë çetnikë të Luftës së Dytë Botërore, siç është Momçilo Gjujiq, kanë marrë grada, tituj të dukës, medalje, para dhe çdo lloj mbështetje tjetër. Sikurse edhe çetnikët në Luftën e Parë Botërore, bashkë me priftërinjtë, peshkopët, metropolitanët, e edhe vet patriarkun kanë fyer fuqishëm dhe minimizuar fenë ortodokse, Kishën dhe ndjenjat fetare të besimtarëve të devotshëm, duke i keqpërdorur për qëllime politike. Kriminelët e luftës, vrasësit e civilëve, grave dhe fëmijëve, djegësit e shtëpive, dhunuesit, shkatërruesit e tempujve dhe faltoreve të feve të tjera gëzonin mbështetjen e plotë të zyrtarëve të lartë kishtarë që i lejonin të hynin në Kisha, tempuj dhe prej aty i luteshin Zotit për veprat e këqija të tyre që ua bënin pjesëtarëve të feve të tjera.
Duke e përdorur historinë serbe dhe figurat historike, krijuan dhe e promovuan mitin, legjendën, epikën dhe gënjeshtrën si ngjarje dhe figura të vërteta dhe reale historike dhe këtë e kanë keqpërdorur për qëllime politike dhe për përmbushjen e qëllimeve luftarake. Kështu janë keqpërdorur me të madhe miti kosovar, princ Lazari, Sava i Shenjtë, Karaxhorxhe, Njegoshi, Shën Vasili, e madje edhe Vuk Karaxhiqi dhe disa këngë me vlera të mëdha artistike dhe estetike dhe kanë shërbyer  si nxitje për luftë, urrejtje, mosdurim fetar dhe nacionalist dhe për jotolerancë. Sikurse edhe çetnikët e vjetër, e kanë hyjnizuar ciriliken, himnin “Boze pravde”, heraldikën dhe simbolikën çetnike. Kështu vetëm sa për shembull në Republikën Serbe emrat e qyteteve në targat e veturave i kanë shënuar me shkronja cirilikë për dallim nga standardi evropian që këto shenja të shkruhen me shkronja latine. Kanë tentuar ta çrrënjosin traditën shekullore të të folurit me ijekavicë në Bosnje, duke e zëvendësuar me ekavicën e miratuar me dekret. Pushteti i Kishës u ul në peshkopi, Këshilli haptazi u deklarua kundër lidhjes së martesave të ortodoksëve me persona me besime të tjera fetare. Në këtë gjë në mënyrë të veçantë janë dëshmuar metropoliti sarajevas Nikolaj dhe peshkopi i Tuzllës, Vasilije Kaçavenda. Ngjashmëria e rëndësishme ndërmjet çetnikëve të vjetër dhe të rinj bazohet në atë se komandantët e njësiteve më të ulëta janë tejet të pavarur, arrogantë dhe pothuajse nuk i nënshtrohen fare kontrollit të formacioneve më të larta, e veçanërisht kur bëhet fjalë për vrasjen e civilëve, përdhunimin e grave, djegien e shtëpive dhe shkatërrimin e faltoreve. Po ashtu, çetnikët burimorë dhe bashkëkohorë përgatisin vrasje njerëzish në mënyrë të njëjtë – masakrim. Njëri prej kriminelëve më të mëdhenj dhe më mizorë në luftërat e viteve 1991-1995, Milan Lukiq, shumë shpesh ka vrarë viktima krejtësisht të pafajshme dhe pa mëkate. Luftëtarët serbë të Serbisë së Madhe (1991-1995) kanë trashëguar në tërësi folklorin çetnik, kanë imituar retorikën e tyre, kanë praktikuar simbolikën e tyre, veshjen dhe i kanë imituar dhe mbështetur faktikisht në gjithçka. Më 22 tetor 1992, një grup prej 9-12 pjesëtarëve të ushtrisë së Republikës Serbe me Milan Lukiqin në krye ndaluan në vendin e quajtur Mioç një autobus të Sjeverinit që qarkullonte në linjën Rudo-Sjeverin-Priboj, nxorën prej tij 16 udhëtarë boshnjakë, i ngarkuan në një kamion me ceradë dhe i dërguan në Vishegrad, ku në qendër të qytetit i priste i gjithë Vishegradi, e më pas janë torturuar mizorisht në publik, me pjesëmarrjen e shumë vishegradasve, në hapësirën e recepsionit të hotelit “Vilina vlas” në afërsi të qytetit, e më pas janë pushkatuar, po ashtu publikisht, pranë brigjeve të Drinit. Ata që nuk u vranë nga plumbi, u ekzekutuan nga Milan Lukiqi dhe kufomat e tyre janë hedhur në lumë. Gjatë rrugës për në Vishegrad, rrëmbyesit i kanë detyruar viktimat, të cilët ishin nën ceradën e kamionit, që të këndojnë:
“Unë jam çetnik nga koka deri në majë të shputës,/O Ali, o fëmijën ta q...”. Më njëzet e tre shkurt 1993, një grup prej rreth 20 ushtarëve të armatosur të Republikës Serbe, përsëri me Milan Lukiqin në krye, ndaloi një tren në linjën Beograd-Tivar në stacionin e Shtërpcës dhe rrëmbyen nga treni 19 udhëtarë boshnjakë. Me rastin e hyrjes në tren, janë përshëndetur me udhëtarët serbë të trenit (ushtarë, policë apo civilë që udhëtonin) me përshëndetjen: “Ku jeni vëllezër çetnikë... U thoni myslimanëve se u nevojiten pasaportat për të kaluar në territorin tonë”. Me rastin e tregimit të dokumenteve të identifikimit janë prezantuar si çetnikë serbë. Të gjithë boshnjakët e rrëmbyer së pari i kanë torturuar, pastaj plaçkitur, e më pas i kanë vrarë (dy të lënduarit Lukiqi i ekzekutoi). Gjatë torturimit, ata i detyronin boshnjakët e rrëmbyer që ta puthin kryqin, u ngjisnin emra serbë të shpikur bazuar në emrat që kishin dhe gjëra të ndryshme. Të gjitha këto padyshim se tregojnë që lëvizja çetnike, e cila është mposhtur në Luftën e Dytë Botërore, ka përjetuar një reinkarnim pothuajse të plotë në pothuajse të gjitha segmentet (ideologjisë, qëllimeve, e madje edhe në emër, sjellje, vula, folklor...) e luftërave të zhvilluara në territorin e Jugosllavisë në vitet 1991-1995. Identifikimi i çetnikëve të rinj dhe të vjetër ka shkuar edhe deri në hollësitë më të vogla. Mbrojtësit e rehabilitetimit dhe valorizimit të rolit të çetnikëve në Luftën e Dytë Botërore duhen t’i shohin zotimet e tyre në këtë drejtim në kontestin e fenomenit të çetnikërisë së ringjallur në luftërat e fundit. Këto janë fakte. Personalisht jam kundër edhe çetnikëve, edhe partizanëve, komunistëve dhe monarkëve, nacionalistëve dhe internacionalistëve, ndërsa jam për liberalizmin, Perëndimin, pikëpamjen perëndimore ndaj botës, civilizimin perëndimor, demokracinë perëndimore dhe sistemin perëndimor të vlerave në të cilin referencat kryesore janë të drejtat njerëzore, pronat private, tregtia, sistemi shumëpartiak, sundimi i ligjit, të drejtat e pakicave, revolucioni kompjuterik dhe teknologjik, individualizmi, kreativiteti, imagjinata dhe të gjitha të arriturat e tjera moderne të botës bashkëkohore, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me çetnikërinë, partizaninë dhe nazizmin.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›