Sfidat e tregut të sigurimeve përballë një rrjeti ilegal përfituesish
Apel i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë
Parathënie për industrinë e sigurimeve - Industria e sigurimeve përbën një nga shtyllat e rëndësishme të sistemit financiar. Numri i klientëve të siguruar për përiudhën janar-korrik 2012 i kalon 550 mijë, ndërsa vlera e dëmshpërblimeve të paguara për 7 mujorin e parë 2012 është afro 12 milion EUR. Tregu i sigurimeve është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me mbi një milionë kontrata sigurimi aktive në vit dhe qindra subjekte, duke pasur ndikim në të gjithë jetën ekonomike dhe financiare të çdo familje shqiptare.
Ndikimi nuk është vetëm për të siguruarit e drejtpërdrejtë të Shoqërive të sigurimit, por për të gjithë publikun, pasi 50% e veprimtarisë ka të bëjë me sigurimin e përgjegjësisë për palët e treta dhe palë e tretë është çdo shtetas për dëmet që mund të pësojë nga një mjet motorik ose kontratë përgjegjësie për palët e treta.
Gjithashtu industria e sigurimeve është sektori që ka pjesëmarrjen më të madhe të kapitalit të huaj, kështuqë ndikimi në krizat dhe problemet e saj nuk do të ishte thjesht dukuri shqiptare.
Kriza në industrinë e sigurimeve për shkak të goditjes nga struktura ilegale të sigurimeve - Tregu i sigurimeve tani ndodhet në vështirësi të mëdha financiare dhe është në prag kolapsi. Arsyet e krizës, sipas analizës së specialistëve të kësaj fushe, janë pagesat e detyruara nga Gjykatat të dëmshpërblimeve në vlera të mëdha, tej kufijve të përcaktuara nga ligji. Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorrike për përgjegjësinë ndaj palëve të treta ka si qëllim mbrojtjen e interesave të publikut, por në fakt është kthyer në biznes përfitimesh të mëdha të pak studiove ligjore që kanë korruptuar sistemin e drejtësisë.
Pagesat e dëmshpërblimeve që bëjnë shoqëritë e sigurimeve dhe BSHS (Byroja Shqiptare e Sigurimeve) nuk përfundojnë tek publiku, pasi rezulton se afro 70% e vlerave të paguara për dëmtimet trupore (rastet e vdekjes dhe dëmtimeve të shëndetit) menaxhohen nga 3-4 studio ligjore, të cilat kanë nga një deri dy të punësuar secila dhe që menaxhojnë secila përfitime ekonomike miliona euro në vit. Trupat gjykuese, në të gjithë vendin, japin vendime gjyqësore për dëmshpërblime dëmesh në tejkalim të ligjit, duke prodhuar vlera financiare për t’u paguar të cilat arrijnë në disa raste deri 10 herë më tepër se sa vlerat përkatëse referuar ligjit. Nga analiza e kontratave që qytetarët kanë me studio ligjore, si dhe nga kontaktet e drejtpërdrejta me përfituesit realë të dëmshpërblimeve, rezulton që qytetarët marrin një pjesë shumë të vogël, nga 20 deri 50 % të vlerave sipas vendimeve të gjykatave, ndërsa pjesa tjetër prej 50-80% “lubrifikon” të gjithë sistemin tjetër të korruptuar (avokatë, gjyqtarë, vlerësues, përmbarues etj).
Studiot ligjore që përfitojnë në kurriz të publikut, sipas studimeve të kryera nga Shoqëritë e sigurimeve dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve, rezulton se aplikojnë skema tërësisht korruptive dhe kriminale duke krijuar një rrjet bashkëpunëtorësh që përfshin: a. Oficerë e drejtues policie të të gjitha niveleve (veçanërisht të policisë rrugore), b. prokurorë, gjyqtarë të të gjitha niveleve; c. vlerësues dëmesh, mjekë; d. punonjës e juristë të kompanive të sigurimeve; e. përmbarues gjyqësorë privatë etj.
Dukuria e përfitimeve nga dëmshpërblimet për vdekjet dhe dëmtimet trupore në aksidentet rrugore përbën formën më makabre (të turpshme) dhe më të organizuar të zhvatjes në bashkëpunim me sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe është një skenar gjigand dhe i frikshëm korrupsioni, kur rezulton se “metastazat” e tij shkojnë deri në Gjykatën e Lartë, pasi kjo skemë gjigande korrupsioni “ushqehet” nga një vendim unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Rritja e vlerave të dëmshpërblimit realizohet nëpërmjet: a. falsifikimit të të ardhurave të personave të dëmtuar, duke pretenduar miliona lek të ardhura për fermerë e pensionistë që vijnë nga prodhimet bujqësore e blegtorale; b. marrjes në konsideratë nga Gjykatat i të ardhurave nga “puna në të zezë”, (të ardhura që nuk janë deklaruar në organet e tatimeve dhe taksave) si të ardhura të ligjshme; c. marrjes në konsideratë i të ardhurave hipotetike (me fantazi) për të papunësuarit me pagën e punës që ata mund të bënin; d. marrjes në konsideratë të vërtetimeve të lëshuara nga kryetarë komunash të papërgjegjshëm, vërtetime që nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe nuk i përgjigjen “parajsës” së ndërtuar në fshat nga personat e dëmtuar; e. vlerësimet e papërgjegjshme të vlerësuesve të dëmeve dhe mjekëve; f. abuzimit me hapësirat ligjore të krijuara nga Kodi Civil.
Edhe pse me kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë , me Vendimin nr. 6, datë 17.02.2012, me objekt “Zgjidhja e konfliktit ligjor ndërmjet vendimit unifikues nr. 12, datë 14.09.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe akteve të tjera ligjore në fushën e sigurimeve, praktika korruptive e vlerësimit dhe vendimeve gjyqësore të padrejta ende mbahet gjallë nga mafia e përshkruar më lartë.
Mafia e sigurimeve është goditur në vendet fqinjë si Maqedonia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, ku drejtësia e këtyre vendeve ka arrestuar grupe të mëdha me profesion avokatë, policë, gjyqtarë, mjekë etj. Pasojat që mund të ketë ky fenomen janë rrënimi total dhe i shpejtë i gjithë tregut të sigurimeve, pra falimentimin e tij, si dhe shtrirjen e fenomenit në të gjithë sistemin financiar dhe në tronditjen e ekonomisë së vendit.
Situata e kolapsit financiar e cila fatkeqësisht duket më afër se kurrë do të prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha kategoritë sociale të përmendura.
Zgjidhjet e propozuara nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë: 1. Kërkesa për rishqyrtim nga Kolegjet e Bashkuara trë Gjykatës së Lartë i një praktike të re të unifikuar për trajtimin e dëmeve shëndtësore (me pasojë vdekje dhe dëmtimet trupore); 2. Amendimet në ligj për të shmangur abuzimet nga gjykatat, avokatët dhe ekspertët e dëmeve: a. Amendimi në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë të një neni që të parashikojë si të vlefshëm marrveshjet noteriale jashtëgjyqësore mes palëve; b. Amendimet në Ligjin 10 076 , datë 12.02.2009 sipas propozimeve të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë për detyrimin që asnjë process gjyqësor të mos nisë pa paraqitur kërkesë dhe marrë përgjigje nga siguruesit, shprehja në ligj e bazës vlerësuese (të ardhurat për personat e dëmtuar), etj c. Ndryshimet në Rregulloren e AMF nr 53, duke hartuar një rregullore të re më të plotë dhe më të qartë, me pjesmarrjen e të gjitha grupeve të interesit. 3. Goditja e grupit mafioz të sigurimeve mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve që Shoqëritë e sigurimeve zotërojnë: a. Ngritja e kallzimeve penale për avokatët, ekspertët, përmbaruesit dhe personat e tjerë të përfshirë në zhvatjen në bashkëpunim; b. Ankimimet në KLD (Këshillin e Lartë të Drejtësisë) për gjyqtarët që kanë dhënë vendime në kundërshtim me ligjin; c. Kontaktimi me përfituesit ligjor të dëmshpërblimeve për të mbledhur prova për avokatët mashtrues;
d. Bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të ardhurat e deklaruara nga studio ligjore; e. Bashkëpunimi me AMF për ndëshkimin e vlerësuesve që shkelin rregullat, si dhe për amendimet e nevojshme nënligjore që ngushtojnë hapsirat e abuzimeve në vlerësim. Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë me besim tek shteti ligjor dhe institucionet e tij, nëpërmjet sensibilizimit të tyre, si dhe të opinionit publik beson në mënjanimin e dukurive korruptive që cënojnë interesat e qytetarëve që ju besojnë sigurinë e tyre shoqërive të sigurimit, si dhe interesat e çdo qytetari që mbulohet nga një kontratë sigurimi përgjegjësie.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë