E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parodi politike apo krizë qeveritare

29-08-2012 / Nga Ismail Arsllani

Kjo çka po ndodh këtyre ditëve në Maqedoni është një parodi e vërtetë politike, që shkakton krizë qeveritare apo ndoshta edhe krizë ndëretnike. Është jo mirënjohëse, në këtë moment, kur ngjarjet politike po ndryshojnë rrufeshëm, të jepen vlerësime analitike për atë se çka po ndodh në të vërtetë dhe çka e pret në të ardhmen këtë vend, megjithatë po hedhim disa fjalë nga përshtypja e parë... Shumëkush nuk beson në “sinqeritetin” e aktorëve politikë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, për veprimet politike të kohëve të fundit që kanë tensionuar opinionin e këtushëm, por që janë në funksion të ngritjes së rejtingut para elektoratit, ndonëse këta partnerë qeverisës kësaj here shtirren se mendojnë dhe veprojnë seriozisht, pa lajthitje, se kupa jo vetëm që është derdhur, por edhe është përmbysur. Kësaj here vërtet kanë zgjedhur mjete të “sofistikuara” politike, që me një gjest “të mirë”, shikuar vetëm nga një prizëm, të godasin fuqishëm partnerin, të cilin, në mënyrë intime, e konsiderojnë si “një e keqe e domosdoshme” për të mbetur në pushtet.
“Lojën politike” të këtyre ditëve e filluan së pari ata të BDI-së, parti kjo që tashmë një kohë ka dëshpëruar elektoratin shqiptar, por ka mbështetje të palëkundur tek faktori ndërkombëtar, kur vetë krerët e kësaj partie, me ministrin shqiptar të mbrojtjes, i cili kishte marrë edhe pjesëtarët e ARM-së, u përkulën para dëshmorëve të UÇK-së, si një hap i ngritjes së mirëbesimit, pajtimit dhe tolerancës mes etnive në Maqedoni pas konfliktit të vitit 2001 dhe që është në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. Ky gjest “vizionar” i ministrit shqiptar të mbrojtjes u përshëndet nga Ambasada amerikane në Shkup dhe nga zv/ndihmësi i sekretares amerikane të shtetit, Filip Riker. Vetë mbështetja amerikane, në diplomaci mund të lexohet si mundësi për implikim të mëtejshëm të këtij faktori relevant botëror në çështjet e këtushme.
Por, kjo përkrahje amerikane ndaj BDI-së, për momentin nuk kishte kurrfarë domethënie për partnerin qeverisës, VMRO-DPMNE-në, i cili veprimin e ministrave shqiptarë në Sllupçan e konsideronte si një provokim të pa precedencë, për të shfryrë pastaj tërë vrerin ndaj BDI-së, e cila tashmë nuk qenkësh e dëgjueshme si më parë, duke sulmuar madje tërthorazi edhe ambasadën e SHBA-së dhe diplomacinë amerikane. Ky mllef kaq i madh, mbase ishte shprehje e dhimbjes shpirtërore të liderit vmroist që nuk mund ta shkarkonte me automatizëm ministrin “rebel” të mbrojtjes, pa lejen e Ali Ahmetit.
Është për t’u çuditur se si lideri i partisë së “luanëve”, ideatori i projektit “Shkupi 2014” dhe i antikitetit, shkelësi i pakontestueshëm i të drejtave kombëtare shqiptare, si dhe i rrënimit të krenarisë dhe dinjitetit të tyre, i cili në këto vite të qeverisjes futi ndër sqetull partnerin e vet shqiptar të koalicionit qeveritar, në njërën anë, dhe në anën tjetër ngriti kuazi-patriotizmin tek populli i vet “hyjnor” përballë shqiptarëve; ai i cili u dëshmua përpara popullit të vet si i patundur në kontestin për zgjidhjen e problemit me Greqinë për emrin, i cili u ballafaqua me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, ky pra, që ishte mësuar vetëm të godasë e të mos pranojë goditje, vetëm nga një lëvizje “e vogël” e ministrit shqiptar të mbrojtjes në Sllupçan, ra në “nokdaun”.
Kjo na bën të dyshojmë për sinqeritetin e veprimeve politike të njërës apo të palës tjetër, aq më parë kur befas doli në skenë propozim-ligji për të ashtuquajturit “branitella” (struktura të mbrojtjes dhe të sigurisë shtetërore maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001), që nxori nga binarët e “urtësisë” udhëheqjen e BDI-së, e cila pa hamendje deklaronte se nëse ky ligj kalon në Parlamentin e Maqedonisë, pa e inkorporuar aty edhe të drejtën e pjesëtarëve të ish-UÇK-së, kjo parti shqiptare në pushtet do të braktisë qeverinë dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha opsionet e tjera të mundshme.
Me këtë filloi kriza politike, si dhe numërimi i ditëve të kësaj qeverie...Takimi kokë më kokë Gruevski-Ahmeti nuk doli me ndonjë rezultat konkret, për të lënë kësisoj në va e pa va qeverinë. Ky i pari tuboi me urgjencë Komitetin qendror të partisë, nga i cili nuk doli asgjë tjetër, pos se “mbetet edhe më tej me qëndrimet parimore që ka”. Kjo nënkupton se partneri maqedonas “nuk do të lëshojë pe përballë BDI-së dhe nuk do të nënshtrohet përpara kërcënimeve dhe shantazheve të asnjë partie”.
Ndërkohë mund të ndodhin edhe kthesa dramatike: duke pasur parasysh qasjen fleksibile të liderit të BDI-së, mund të ndodhë edhe “pajtimi” i partnerëve qeverisës, pas kthimit të Gruevskit nga vizita njëjavore në SHBA; por mund të shpallet edhe braktisja e njëanshme e qeverisë nga ana e BDI-së, për shkak të këmbëngulësisë së palës maqedonase që të kodifikojë privilegjet e posaçme për “branitellat”, e jo edhe për ata të UÇK-së, të cilët për palën maqedonase edhe sot e kësaj dite janë “armiq, ekstremistë dhe grupe paramilitare”. Kjo ka bërë që PDSH të mbështesë BDI-në në kërkesat për zgjidhjen e statusit të pjesëtarëve të ish-UÇK-së, që është një sinjal për rigrupimin e partive në vija nacionale.
Së këndejmi, sipas të gjitha gjasave, Maqedonia është para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, që do të jenë të tretat me radhë brenda 6-7 vjetëve. Nuk shqetëson fakti se ato do të mbahen para kohe, mbase në mars të vitit të ardhshëm, për kur janë paraparë të mbahen zgjedhjet lokale, por për atë se ato mbahen vërtet para kohe, mbahen “para se të mbushet mend populli”. Dilemat në elektoratin shqiptar janë të mëdha: të dilet në zgjedhje apo të abstenohen ato. Nëse dilet, për cilën parti të votohet, për partinë aktuale në pushtet, për opozitën apo për ndonjë opsion të tretë. Sido që të votojnë, në fund votat e tyre do të shkrihen në partinë ngadhënjimtare maqedonase, që pastaj të fillojë sërish nga e para avazi i vjetër për të kërkuar vazhdimisht e vazhdimisht të drejta të dozuara për shqiptarët.
Zaten mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, vetëm pas një viti e gjysmë, është absurde, për faktin se mund të ndodhë që ato mos të ndryshojnë asgjë në orientimin strategjik të vendit dhe agonia me mjerimin të vazhdojë edhe një kohë, deri në rraskapitje të plotë. Andaj, zgjedhjet e parakohshme edhe nuk janë të domosdoshme. Nëse zhbëhet qeveria, mandatin për ta bërë atë sërish e ka Gruevski. Nëse ai nuk arrin të krijojë shumicën e re në Parlament, do ta dorëzojë mandatin tek partia opozitare maqedonase (LSDM), e cila mund të formojë një shumicë të re parlamentare, mbase edhe me më shumë parti shqiptare, për të formuar një qeveri teknike, e cila si detyrë të parë do të kishte pastrimin e 170 mijë personave fiktivë nga listat zgjedhore, do të perfeksiononte kodin zgjedhor, do të krijonte kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të lira dhe demokratike.
Partia që do të fitonte në këto zgjedhje, do të obligohej paraprakisht, sidomos nga faktori politik shqiptar, që të gjejë kompromis të gjerë konsensual për emrin dhe zgjidhjen e kontestit me Greqinë, me këtë edhe hapjen e perspektivave për anëtarësim më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE, dinamikë të re për reforma, implementim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit (apo nënshkrim të një marrëveshjeje të re maqedonase-shqiptare, kërkesë kjo e PDSH-së), përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve ndëretnike, thithje të investimeve kapitale nga jashtë, zhvillim ekonomik, më shumë punësime dhe standard më të lartë. Nga ajo që populli në Maqedoni, sidomos shqiptarët, kanë përjetuar në këto vite të rënda jetese, është rëndë të nxirret një optimizëm kaq utopik në këtë moment, por pikërisht shqiptarët janë ata që duhet të insistojnë për arritjen e këtyre shestimeve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›