E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refik Halili: U shit apo jo? As Sigurimi i Shteti s’e gjen

Trukimi i ndeshjeve të ekipeve shqiptare në kupat e Europës është bërë papritur cështja e ditës në atmosferën shumë polemizuese rreth futbollit tonë.
"Bomba" e Halilit
Dhe kjo për protagonist pikërisht një nga donatorët e Tiranës, Refik Halilin, i cili ka hedhur tashmë "bombën": "Tirana e shiti ndeshjen me Domzhalen". Ka qenë pikërisht kjo frazë e njërit nga katër "bosët" bardheblu, i cili ka akuzuar një nga donatorët e tjerë dhe një futbollist, por pa i cituar me emra, për trukim të takimit të kampionëve të Shqipërisë në turin e parë eliminator të Champions League. Halili vetëm një ditë më parë do të deklaronte në një intervistë për të përditshme "Sport Ekspres", duke akuzuar një donator (pa emër) dhe një futbollist (pa emër). "Më ka telefonuar një miku im para ndeshjes, - është shprehur Halili, - dhe më ka thënë se po e shesin ndeshjen … si mund të mos dyshoj kur filan donator rri 6 muaj pa folur me lojtarët, ndërsa një ditë para ndeshjes flet 10 herë me një filan futbollist".
Pesimizëm zotëron
Por fakti bëhet akoma edhe më shqetësues, kur mëson se ky një gjë e tillë është shumë pranë kalimit në një normalitet në opinionin tonë, ku edhe pse hapen skandalet, asnjëherë nuk i shkohet deri në fund, asnjëherë nuk ka asnjë të ndëshkuar, por akuzuesi dhe të akuzuarit vazhdojnë bashkëjtesën deri në skandalin e radhës. Megjithatë vetë donatori Halili, shumë i revoltuar në momentin e "plasjes së bombës", duket se kërkon të fitojë më shumë kohë, për të qenë më konkret në ditët e ardhshme, edhe pse është shprehur pesimist për zbulimin e autorëve të përfshirë në këtë skandal të mundshëm. "Shiko, - e nis ai, - këto janë gjëra që as Sigurimi i Shtetit nuk i gjen dot aq lehtë, jo më t'i zbulojmë ne. Megjithatë, unë dua të flas më vonë, një ditë tjetër". Atij iu kërkua nga gazeta që të jepte emrat e personave që akuzon, por deklaroi se dëshiron të flasë pak ditë më vonë.
Sinjalizimi
Ndërkohë që fjalët denoncuese të donatorit kanë lëkundur ambientin bardheblu. Burime në klubin kampion pohojnë se Halilit i është bërë vërtetë një telefonatë para ndeshjes, ku është paralajmëruar për shitje të mundshme të ndeshjes. "Donatori në fjalë, - thotë ky burim,- është marrë në telefon dhe i është "futur në vesh" shitja e ndeshjes". Ky burim madje thotë se personi që ka bërë telefonatën merret me baste dhe se kishte vënë një bast të jashtëzakonshëm për ndeshjen Sllaven Belupo-Teuta në Kupën UEFA, "me 7 gola". Pra basti ka qenë që ndeshja do të kishte 7 gola e lart dhe vërtet takimi përfundoi me 8 gola (6-2 për kroatët) ka qenë pikërisht ky person që ka ngritur dyshimet e para, të cilat kanë vënë në lëvizje Halilin.
Enigma e dëshmitarit
Por duket se Donatori Halili nuk është i vetmi në nismën për ‘t'ua cjerrë maskën, atyre kolegëve apo futbollistëve, që sipas tij, kanë punuar nën rrogoz. Burime po në klub kanë pohuar dyshimet e Halilit kanë qenë prej shumë ditësh, konkretisht që prej ditës ku u luajt ndeshja. Para rreth një jave, një futbollist (nga kryesorët te Tirana) i ka thënë donatorit (sipas burimit) që "eja me mua, të të coj në një kompani bastesh që të marrësh vesh se cili futbollist ka shitur ndeshjen". Nuk jepen emra, vetëm thuhet se fjala është për lojtarë të rëndësishëm të ekipit. Hipoteza janë hedhur shumë, por për momentin nuk ka asgjë konkrete.

ABC

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›