E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa miraton rezolutën që vlerëson reformat e Berishës

Parlamenti Europian miraton thuajse me unanimitet rezolutën për integrimin, e cila sanksionon vendimin për udhëtimin pa viza në hapësirën “Shengen” brenda këtij viti. Dështon lobingu filoserb i opozitës së Edvinit


Me 59 vota ‘pro’ dhe 1 ‘kundër’, Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian ka miratuar dje raportin e eurodeputetit grek Nikolaos Chountis, për integrimin evropian të Shqipërisë. Propozimi u kundërshtua fort nga socialistët evropianë, të cilët ishin urdhëruar nga homologët e tyre shqiptarë, për të kërkuar shtyrjen e rezolutës, duke nënkuptuar kështu një tentativë për bllokimin e vizave. Fatmirësisht propozimi i socialistëve u hodh poshtë nga partitë e tjera në komision, të cilat vlerësuan më emergjente aprovimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë sesa tekat e politikës së opozitës shqiptare. Për rezolutën ndaj Shqipërisë ishin propozuar 114 amendamente, në të cilat vërehet qartë mbështetja politike e grupeve përkatëse politike në Parlamentin Europian. Rezoluta mirëpret vendimin e 27 Majit të Komisionit Europian për të propozuar heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe i bën thirrje Komisionit të verifikojë që të gjitha kriteret që kanë mbetur të plotësohen në muajt e ardhshëm, me qëllimin për ti hapur rrugë, Këshillit dhe parlamentit të miratojnë liberalizimin e vizave për qytetaret shqiptare brenda fundit të këtij viti. Rezoluta e Chountis nxit fuqimisht të gjitha forcat politike që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv duke përfshirë këtu diskutimet mbi një ligj të ri elektoral që do të garantojë transparencë të plotë të procesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme. “Parlamenti Evropian përshëndet përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të procesit zgjedhor dhe vë në dukje se, sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR, zgjedhjet parlamentare të qershor 2009 përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare”- thuhet në rezolutën e miratuar. Në bazë të rezolutës së Parlamentit Evropian, ngërçi politik në Shqipëri mund të tejkalohet vetëm duke respektuar plotësisht kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Disa nga pikat më të diskutuara gjatë ditëve të fundit nga parlamentarët evropianë, ka qenë pika 3, e cila i referohet situatës politike dhe pika 6, që ka të bëjë me procesin e heqjes së vizave Shqipëri-BE. Eurodeputetët kanë mbrojtur në unison qëndrimin e tyre racional, për një zgjidhje të shpejtë të situatës politike, por kjo çështje i përket faktorëve të brendshëm shqiptarë. Lidhur me liberalizimin e vizave, Strasburgu vlerëson se s’duhet të përzihet kjo perspektivë e jashtëzakonshme e vendit me ngërçin politik. Komisioni i Jashtëm në KE miratoi gjithashtu dje dhe Rezolutën për procesin e integrimit të Kosovës në BE, të hartuar nga Shqipëria.


Nikolas Chountis “Kishte një amendament që të ndryshonim paragrafin për vizat, por unë dhe i gjithë Komisioni i Jashtëm i Parlamentit ishte kundër kësaj. Qarkullimi pa viza për një kohë afat shkurtër është një e drejtë e qytetarëve shqiptarë. Ne dhamë një mbështetje jo vetëm si Parlament, por gjithashtu i dhamë shtysë Komisionit Europian, që të zgjidhë çështjen e vizave sa më shpejt të jetë e mundur”.


Eduard Kukan “Fakti, që opozita u kthye në Parlament është pozitive. Ajo që pritet tani është të konfirmohet, se ka një situatë politike të qëndrueshme në Shqipëri. Ne po presim garancinë, që ky stabilitet politik me funksionimin normal të parlamentit që kjo do të konfirmohet dhe që do kthehet në një stabilitet permanent, që është shumë i rëndësishëm në këtë moment të integrimit të Shqipërisë”.


Jelko Kaçin “Ne jemi shumë në favor të integrimit të Shqipërisë, por njëkohësisht Shqipëria duhet të jetë në favor të integrimit të saj. Mesazhet e brendshme që po vijnë nga Tirana nuk janë ende pozitive sa duhet. Para heqjes së vizave, do të shtrohen pyetje të tjera. Unë i kërkoj përfaqësuesve kryesorë politikë në Shqipëri, që të tregohen më të pjekur dhe të gjejnë një marrëveshje për të kapërcyer mungesën e besimit”.


Pikat kryesore të Rezolutës së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian:


- Përshëndet miratimin më 27 maj të propozimit të Komisionit Evropian për hapjen e procedurave legjislative për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.


- I bën thirrje Komisionit Europian të verifikojë përmbushjen e çështjeve të mbetura me qëllim hapjen e rrugës për aprovimin nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian të vendimit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda vitit 2010.


- U bën thirrje të gjithë faktorëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, përfshirë këtu diskutime për një ligj të ri zgjedhor, i cili do të garantojë transparencën e plotë të procesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme.


- Thekson se zgjidhja për ngërçin mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe parimet e transparencës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›