Kush duhet ta bëjë reformën në Drejtësi?
Janë në shumicë zërat, përfshi edhe dy anët e spektrit politik, se Drejtësia në Shqipëri ka probleme dhe duhet reformuar por kur vjen puna se si dhe kur, opinionet ndahen. Sondazhet e ndryshme, të zhvilluara nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, rreshtojnë gjyqësorin si sektorin më të korruptuar në vend dhe gjyqtarët kanë besueshmëri shumë të ulët tek publiku. Për shkak të perceptimit, të gjendjes dhe për hir të një të ardhmeje tjetër në këtë sektor, pro reformës në drejtësi janë shprehur të gjitha forcat politike, madje, kjo reformë është dhe një prej kushteve në përparimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Çdo reformë do të kërkojnë një vullnet të përbashkët të forcave kryesore në Kuvend, sepse çdo ndryshim për ligjin e organizimit të pushtetit gjyqësor kërkon 84 vota dhe ndryshimet në Kushtetutë për Drejtësinë, kërkojnë 2/3 ose 92 vota. Padyshim që politika ka pjesën e vet të rëndësishme, mund të thuhet edhe pjesën e luanit, por jo gjithçka duhet lënë në dorën e saj. Përvoja ka treguar se ndryshimet e mëdha (ligjore) sidomos për çështje të rëndësishme janë të suksesshme vetëm kur kanë përfshirje të aktorëve dhe grupeve të interesit. Është gjë shumë pozitive që politika shpreh vullnetin për reformë në drejtësi, por ajo nuk mund të ketë autorësinë, apo ca më keq, të drejtën e autorit.
Nisma e ditëve të fundit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të hapur debatin për reformën në sistemin gjyqësor, ka ngjallur reagime të ndryshme. Një prej kundërshtive që u artikulua nga përfaqësuesi i partisë më të madhe të opozitës, ishte se "aty nuk u pa ndonjë propozim për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit nga politika", se "institucionet kushtetuese (KLD) janë uzurpuar" dhe se "Presidenti ka shkelmuar tavolinën e drejtësisë, me mënyrën se si u shkarkua dhe emërua "Prokurori i Përgjithshëm".
Problemi numër 1 dhe numër 11 me Drejtësinë nuk është pavarësia apo ndërhyrja nga politika, por "pavarësia nga ligji" dhe korrupsioni. Me ndryshimet e fundit në KLD, partia më e madhe e opozitës është e pakënaqur, por nuk ka të drejtë të thotë se po uzurpohen institucionet e pavarura sepse nuk kanë qenë asnjëherë të tilla, në kuptimin e vërtetë që ka pavarësia. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pasur për nënkryetar një ish-ministër të qeverisë së majtë dhe tani është një figurë që ka ardhur nga shoqëria civile. 9 anëtarë të KLD-së janë zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore. Pak u fol ose aspak, se edhe dy anëtarët e fundit që bënë rotacion u zgjodhën nga Konferenca Gjyqësore. E vërteta është se Partia Socialiste ka humbur kontrollin mbi këtë institucion kushtetues, po aq e vërtetë mund të jetë se PD mund të kërkojë ta kontrollojë, por thelbi është gjetkë. Historia e afërt e KLD-së, për fat të keq, nuk flet pozitivisht sa i përket transparencës së marrjes së vendimeve. Sa i përket çështjes së emërim/shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm vetë opozita, në mënyrë të përsëritur, ka deklaruar se nuk e koncepton dhe nuk e barazon reformën në drejtësi me emrin e një njeriu.
Reforma në gjyqësor, së pari, kërkon një analizë juridike. Këtë analizë nuk mund ta bëjë vetëm politika ose vetëm Komisioni i Ligjeve në Parlament. Komuniteti i juristëve padyshim që mund të japë një kontribut shumë të madh në këtë drejtim. Në këtë reformë nuk është vetëm çështja e mandatit të drejtuesve të gjykatave dhe prokurorive, por mbi të gjitha e besueshmërisë se proceset e gjykimit jo vetëm janë të drejta, por do të duken edhe të tilla, është problemi i përgjegjshmërisë dhe mekanizmave të brendshëm korrigjues e disiplinues të drejtësisë. Ndryshe nga politika apo institucione të tjera, gjyqësori është më i pa aksesueshëm nga publiku. Modeli i ri i hapjes që po tenton KLD është për t'u përshëndetur. Inicimi i debatit për reformën në Drejtësi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë është pozitiv.
Zërat se ky inicim është show kanë të drejtë nëse takimi i organizuar nga KLD është fillimi dhe fundi i debatit. Por nga ajo që KLD ka paralajmëruar, ndoshta vlen proverbi "çdo maratonë fillon me hapin e parë". E vërteta është se, ashtu si për reformën zgjedhore, ka shumë fjalë, shumë premtime, shumë angazhime, por pak veprime konkrete.
Nismat e mëdha mund të kenë autorë, reformat e mëdha kërkojnë bashkautorë. Ndërsa ata që kanë menduar se xhelozia i përket fushës së dashurisë, bëjnë mirë të shohin e të ndjekin me kujdes edhe debatin për Reformën në Drejtësi.