“Reforma Territoriale”/ Nurja: Nuk monitorohet qeverisja vendore! Denaj: Mos biem viktimë e mungesës së zbatimit të ligjit

Është mbledhur sot (6 shtator) Komisioni i Posaçëm “Për Reformën Administrativo-Territoriale”. Gjatë seancës dëgjimore me ekspertin e projektit “Bashki të Forta” Fatlum Nurja ka deklaruar se nuk ka patur monitorim të qeverisjes vendore. Ai thekson se decentralizimi nuk nis në zyrën e kryeministrisë dhe mbaron te zyra e kryetarit të bashkisë, por duhet të shkojë përtej këtyre dy hallkave.
“Decentralizimi nuk nis në zyrën e kryeministrisë dhe mbaron te zyra e kryetarit të bashkisë, jo! Duhet të shkojë përtej këtyre dy hallkave. Faji është i juaji, ju se keni monitoruar qeverisjen lokale. Parlamenti nuk heq dorë kurrë nga kontrolli. Nuk mund të flasim për numër pa patur një analizë të plotë financiare. S’mund ta bëjmë ndarjen territoriale për të dielën e votave apo të hënën e numërimit. Këtu e di që jam i keqkuptuar nga ju, pasi ju vlerësoni dhe votën. Kjo fuqi që decentralizohet sipas hartës, nuk shkon te këshilli bashkiak dhe strukturat komunitare. Shembuj ka plot, por s’dua të jem specifik. Faji është juaji, nuk e keni monitoruar qeverisjen vendore”, tha Nurja.
Ndërsa bashkëkryetarja e komisionit Anila Denaj konfirmoi mungesën e monitorimit nga pushteti vendor. Denaj thirrje që të mos bien viktimë e mungesës së efektivitetit dhe zbatimit të ligjit.
“Tre nga çështjet që më tërhoqën vëmendjen. I kemi adresuar në forma të ndryshme gjatë muajit korrik. Në monitorim, performancë dhe harta si instrument për zgjidhje ngërçi. Mungon monitorimi i qëndrueshëm nga pushteti vendor. Shpesh ne japim peshën negative reformës, por duhet të ndajmë çfarë përgjegjësie ka reforma, ligjet që janë derivat i saj me lidershipin respektiv të një bashkie kur vjen çështja e zbatimit të ligjit.
Ky komision ka detyrë reformën territoriale të shkëputur nga lidershipi. Kur të shkojmë në propozime qoftë edhe hartës të mos e shikojmë sikur është një reformë që mban të gjithë përgjegjësinë e liderishipit. Ajo reformë territoriale, qoftë për hartën dhe qoftë për zbatimin e ligjit të mos ketë kthim prapa. Të mos jemi viktimë të mungesës së efektivitetit dhe zbatimit të ligjit. Duhet të lëmë ekspertët të flasin më gjerë dhe më tej. Duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për numër bashkish. Nuk është numri ai që determinon shërbimin e qytetarëve”, tha Denaj.
/rtsh.al/