Reforma Zgjedhore, PD - PS "OK" numërimit elektronik

Qytetarët shqiptarë nuk do të presin më shumë se një muaj për t`ju numëruar vota e tyre. Të paktën në bazë të asaj që është rënë dakort në komisionin e reformës zgjedhore, në zgjedhjet e ardhshme procesi i numërimit të votave nuk do të jetë manual por elektronik.
Në fakt palët në komision kanë debatuar parimisht në bazë të një drafti propozimesh që kanë të bëjnë me kërkesat që do t`i drejtojnë kompanisë që do të marrë përsipër aplikimin e sistemit elektronik të numërimit të votave në 2013-n.
Ndërkaq mazhoranca dhe opozita në komision kanë rënë dakort në parim dhe sa i përket reduktimit të qendrave të votimit. Në bazë të draftit të diskutuar në komision parashikohet që qendrat e votimit nuk do të kenë më pak se 200 votues por jo më shumë se 1 mijë duke e standratizuar në këtë mënyrë numrin e votuesve për çdo qendër.
Po ashtu palët kanë rënë dakort që nuk do të ketë më qendra votimi në ambjente private, duke i dhënë kështu zgjidhje edhe njërit prej problemeve të ngritura në vazhdimësi nga Partia Socialiste për këtë çështje. Kështu palët në komisionin e reformës zgjedhore kanë rënë dakort për kalimin e këtyre dy kapitujve ndërsa në ditët në vijim pritet të diskutohet sa i përket sistemit zgjedhor, që është edhe pika më e nxehtë. Puna e komisionit të reformës pritet të përfundojë në fund të muajit prill, pas shtyrjes me dy muaj që u bë para një muaji në seancë plenare.