Shqipëria do rilindë, nuk do të dorëzohet para rrënimit
Besoj se ndajmë opinionin që në rrugën e programit po përvijohet përditë e më qartë dallimi mes nesh dhe atyre që qeverisin Shqipërinë me vota të vjedhura. Zgjedhja për qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi po bëhet përditë e më e qartë; Ose një Rilindje Shqiptare, ose dorëzim përballë rrënimit të mëtejshëm. Rruga e Programit do të vazhdojë. Është një rrugë e gjatë ku komunikimi me njerëzit përbën edhe aksin themelor të një procesi nga ku PS do të dalë me një plan të detajuar, si asnjëherë një forcë politike në 20 vjet, për ti ofruar publikut shqiptar një kontratë të qartë angazhimesh. Në këtë rrugë po përvijohen dallimet edhe në katër shtyllat kryesore të programit tonë.
Dallimet në raport me ekonominë.
Alternativa jonë është rimëkëmbja e ekonomisë. Oferta e tyre është rrënimi i mëtejshëm ekonomik.
Ne duam punësim real. Ata ofrojnë rritje të papunësisë.
Ne duam taksim të ndershëm, ata ofrojnë një taksë të sheshtë që mbyt shtresën e mesme dhe të varfrit dhe ndan me thikë edhe vetë sipërmarrjen midis 95% të sipërmarrësve dhe një 5%-shi që përfiton një politikë klienteliste me sfond tërësisht kriminal.
Ne duam ta mbështesim biznesin. Ata ofrojnë vetëm një rrugë qorre për biznesin, që sjell rrënimin e mëtejshëm të tij.
Ne duam shërbime publike që të jepen sipas nevojës. Ata ofrojnë shërbime publike vetëm sipas mundësisë për të paguar.
Ne duam një zhvillim modern rural. Ata ofrojnë si të vetmen rrugë braktisjen e fshatit në gjendje natyrale.
Në këto dallime themelore po përvijohet edhe përmes tryezave të programit, komunikimit me ekspertë, me shoqata, me grupe interesi, janë përfshirë deri më sot mbi 900 njerëz, të cilët kanë kontribuar në këtë fazë të Rrugës së Programit.
Me lejoni tju them se në rast se tek ekonomia dallimi është krejt i qartë, i tillë është dallimi edhe në gjithë qasjen ndaj procesit demokratik, por i tillë është dallimi edhe në pozicionet ndaj integrimit evropian. I tillë po fillon të bëhet dhe duhet të bëhet dallimi në sjelljen politike me publikun, si një sjellje që sot duhet të garantojë çdo njeri për atë që do të jetë nesër fytyra dhe sjellja e qeverisë sonë. Në rrugën e programit, prej së cilës Sekretari i Programit, bëri një përmbledhje sintetike, kanë dalë qartë një sërë aspektesh dramatike të jetës së vendit. Është dramatike që sot të ketë një dallim kaq të fortë dhe kaq diskriminues në përcaktimin e kontributeve, mes atyre që fitojnë më pak dhe atyre që fitojnë më shumë. Ashtu siç është dramatike që e ashtuquajtura ulje e taksave që propozon në vijimësi kryeministri, të jetë ulje për ata që janë vetëm 5% e komunitetit të sipërmarrësve dhe të jetë barrë e shtuar, qoftë brenda komunitetit të sipërmarrësve, ku biznesi i vogël dhe i mesëm kontribuon njësoj si korporatat e mëdha, qoftë edhe mes komunitetit të sipërmarrësve si i tërë dhe 95% të shqiptarëve, të cilëve taksa e sheshtë u bën praktikisht të pabërën në ekonominë e tyre familjare. Ne do të ulim taksat për këtë 95% të shqiptarëve, ndërkohë që komunitetit sipërmarrës do tia themi shumë qartë: Nuk mundet që një biznes i vogël apo i mesëm të paguaj taksa njësoj si një koorporatë. Nuk mundet që një biznes i vogël apo i mesëm, qoftë dhe i madh, i ndërtuar në rrugën e konkurrencën dhe sakrificave të paguajë taksa njësoj si klientët e qeverisë, të cilët i marrin qyl ato që marrin dhe duke shfrytëzuar të mirën publike, pasurinë publike, pasurinë e përbashkët, pasurohen në mënyrë marramendëse, ndërkohë që po i sjellin vendit shkatërrime të atilla që nesër mund të jenë pa kthim.
Më lejoni tju sjell vetëm dy shembuj, Krujën dhe Bulqizën. Ajo që po ndodh me Krujën, me zemrën e qytetërimit shqiptarë, me zemrën e qytetërimit shqiptar, me zemrën e historisë së Shqipërisë, me një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore si vend, është diçka që asnjë pushtues nuk mund tia bënte dhe nuk ia ka bërë Shqipërisë, ndërkohë asnjë qeveri e zgjedhur me votat e popullit kudo në botë nuk do të mund ta kishte parafytyruar. Sikur Kruja në historinë e saj, me Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe me gjithçka lidhet në këtë histori jo vetëm me fatet e Shqipërisë, por edhe me fatet e Europës, të ishte e dikujt tjetër, diku tjetër në cilindo nga vendet fqinjë, apo në cilindo nga vendet e Europës, do të ishte një nga vendet e pelegrinazhit, jo vetëm për gjeneratën më të re të atij vendit, por për gjithë të tjerët që duan të mësojnë dhe të shohin të shkuarën e kontinentit të vjetër. E pra, sot Kruja është bërë vendi i një batërdie, i një masakre dhe një shkatërrimi që ka në sfondin e vet një aktivitet të organizuar kriminal. Asnjë qeveri demokratike nuk do të mund të bënte me pasuritë e vendit të vet, atë që po bën qeveria jonë me fabrikat e çimentove që shtohen njëra pas tjetrës, duke rrjepur kodra e male, duke shpartalluar sasira të pallogaritshme të së mirës publike dhe mbi të gjitha duke krijuar kushte me një përfitim të aty për atyshëm me përmasa të jashtëzakonshme, për të lënë pas tokë të djegur, siç nuk lanë as pushtuesit më të egër të këtij vendi dhe as në kohën e barbarive më të mëdha të shekujve që tashmë i takojnë historisë së vjetër.
Raporti i numrit të banorëve të një vendi me numrin e fabrikave të çimentove që ka një vend është një raport i cili në botë qëndron në një mesatare për 7 mln banorë, sot ne kemi fabrika çimentosh për 300 mijë banorë.
Bulqiza është një pasuri e madhe publike që duhet ti jepte jo vetëm asaj zone po vendit të ardhura të konsiderueshme. Sot është një pasuri e vënë nën kontrollin e një aktiviteti të mirëfilltë kriminal. Grupe të armatosura në Bulqizë dominojnë të gjithë fushën e këtij interesi të madh dhe një popull i tërë atje është marrë peng e është kthyer në skllav. Çdo dy muaj atje vdes një njeri për të mbijetuar duke gërmuar në thellësitë e tokës për të nxjerrë pasuri që pastaj merren e që ikin. Ikin dhe nuk shkojnë në arkën e përbashkët të shqiptarëve, por shkojnë në drejtimin e asaj klientele që është bërë njësh me pushtetin, duke prodhuar, praktikisht përmes politikës, një cikël të mbyllur. Për të bërë para për të blerë varfërinë dhe për të manipuluar zgjedhjet që të mbash pushtetin dhe përdor pushtetin për të akumuluar para që të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë.
Ne në këtë qëndrim ndaj pasurisë publike bëjmë një dallim shumë të madh me ata. Për ne pasuria publike është pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve dhe nga qeverisja e të mirave publike dallon në radhë të parë një forcë politike nga një tjetër. Dallon një forcë si e jona nga një fuqi shkatërruese si e tyrja.
Aspekti tjetër që ka të bëjë me punësimin. Nuk mund të ketë punësim real të Shqipëri. Jo sepse taksat nuk janë të ulëta për sipërmarrësit, por të jemi realist sipërmarrësit përballen me një taksë të fshehtë e cila është shumë herë më e madhe se sa çdo llogari mbi parimin e progresivitetit që mund të bëhej. Ndërkohë që zyrtarisht dhe formalisht i paguajnë shtetit 10%, pagesat e tyre nën dorë për të mbijetuar në treg, kapërcyer postblloqet e vendosura në rrugën e konkurrencës për të shmangur muret e monop
