E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, shyhet deri më 15 maj mandati i komisionit të posaçëm

TIRANË- Kuvendi vendosi të enjten të shtyjë deri më 15 maj mandatin e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se me kërkesë të dy bashkëkryetarëve të komisionit, Ilir Rusmali (PD) dhe Damian Gjiknuri (PS), është kërkuar shtyrja dhe me dy javë e punës së këtij komisioni, i ngritur me vendim të Kuvendit më 17 nëntor, me qëllim amendimin e kodit zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. 

Gjatë seancës janë miratuar edhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës, si dhe dy pr/rezoluta: ajo “Për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH" dhe "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit Drejtues të Radiotelevizonit për vitin 2011". Gjatë seancës ka pasur debate për deputetin e ri socialist, i cili do të zëvendësojë Rudina Seserin. 

Gjithashtu, Kuvendi miratoi me konsensus dhe disa p/ligje si ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar "Zatrijebacka-Cijevna-Grabon", për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve dhe për pikën e kalimit kufitar "ÇEREM-VRANIC", si dhe ratifikimin e dy marrëveshjeve të financimit me bankën gjermane KfW për projektet për furnizimin me ujë dhe kanalizime për qytetet Berat, Fier, Kamzë, Kuçovë, Lushnje dhe Sarandë.

PS: Po zvarritet hyrja e deputetit të ri në Kuvend, Topalli: Konomi ka 2 mandate
Çështja e deputetit që zëvendëson Rudina Seserin në Kuvend u shndërrua sërish në temë debati mes deputetit socialist Erion Braçe dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Deputeti Braçe theksoi se futja e deputetit Edison Konomi në Kuvend po zvarritet nga kryeparlamentarja, pavarësisht vendimit të KQZ-së.
“Nuk arrij ta kuptoj pse shtyhet kur edhe KQZ ka marrë vendimin për t’i dhënë mandatin e deputetit. Ende nuk po mblidhet Këshilli që e drejtoni ju për t’i dhënë rrugë kësaj çështje. Në momentin që e merr këtë mandat, deputeti ka të drejtë të vijë në sallë e të bëjë betimin. Por, ende nuk po mblidhet Këshilli i Rregullores, që e drejtoni ju, për t`i dhënë rrugë kësaj çështje",- iu drejtua Braçe kryeparlamentares, Jozefina Topalli.

Në përgjigje të këtij shqetësimi kryetarja Topalli sqaroi se çështja ishte diskutuar më herët dhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. "Në këtë mbledhje bëra me dije se deputeti i ri, Edison Konomi, të cilit i takon karrigia e grupit të PS-së, ka përsëri dy mandate, një si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe një si deputet. Administrata e Kuvendit ka pritur që ai të dorëzojë mandatin e anëtarit të Këshillit, por ai nuk e ka bërë ende. Pasi të dorëzojë këtë mandat, tha ajo, do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe pastaj sipas procedurave do të ulet në karrigen e parlamentit." - u shpreh Topalli. 

Nishani: Pr/ligji për të dhënat personale, sipas direktivave të BE
Ministri i Punëve të Brendshme Bujar Nishani vlerësoi projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Ministri Nishani, duke folur në seancën e sotme plenare në Kuvend mbi këtë projektligj, u shpreh se modeli austriak, i cili është adoptuar në Shqipëri, është përcaktuar për tre vite radhazi si modeli më i mirë evropian i mbajtjes dhe ruajtjes se të dhënave personale të qytetarëve". 

Sipas tij, projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale, mbështetet në direktivat e Bashkimit Evropian. "Standardi që kemi arritur është absolutisht ndër më të mirët për ruajtjen e të dhënave për qytetarët shqiptare, - deklaroi Nishani. 

P/rezoluta për KLSH-në, Opozita: Të hetohen kontratat e privatizimit dhe koncesioneve
Opozita i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit nisjen e hetimeve të kontratave të privatizimeve si dhe koncesioneve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gjatë diskutimeve që po zhvillohen në seancë plenare për p/rezolutën e KLSH-së , deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli u shpreh se KLSH duhet të nisë hetimet e kontratave të privatizimeve si dhe koncesioneve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. 

Duke u ndalur në debatin që u zhvillua ditët e fundit mbi tenderin e linjës 400 kv së interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë, Kodheli tha se "skandali i OST-së krijoi një zinxhir borxhesh, i cili çoi në falimentimin e të gjithës sistemit". 

Sipas Kodhelit, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit për viti 2011 llogaritet 7 miliardë lekë. E megjithatë, theksoi ajo, numri i kallëzimeve ka ardhur në rënie, duke shënuar në vitin 2011 minimum historik.

Pollo: Projektet në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve garantonjnë zhvillimin e qëndrueshëm
Kuvendi diskutoi marrëveshjet e kredisë me Bankën Gjermane për Zhvillim KfË, për financimin prej rreth 34 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve në qytetet e Beratit, Kuçovës, Fierit, Lushnjes, Kamzës dhe Sarandës.
Sipas marrëveshjes 20 milionë euro do të jepen në formë granti nga Bashkimi Europian, ndërsa 14 milionë euro do të sigurohen në formë huaje nga banka gjermane KFW.

Ministri i Inovacionit Genc Pollo tha se, zbatimi i këtyre projekteve do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Avantazhi i madh që ka sjellë kjo kredi, theksoi Pollo, është krijimi i strukturave me aftësi menaxhuese që do të zhvillohen vetë më tej, duke mos krijuar nevojën e subvencioneve nga shteti apo banka zhvillimi.

"Eshtë një reformë e madhe që ka çuar ndërmarrjet e ujësjellësave pranë bashkive. E vetmja që nuk mori përsipër menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje ka qenë Bashkia e Tiranës e drejtuar nga z. Rama", tha Pollo. Por theksoi më tej ai, nën drejtimin e z. Basha, Bashkia e Tiranës po bën përpjekje të mëdha për t'a ndryshuar gjendjen.

Kuvend, nis punimet seanca plenare, shqyrtohen disa marrëveshje
Kuvendi nisi të enjten punimet me miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 30 prill-8 qershor 2012 dhe të kalendarit trejavor (30 prill-18 maj). 
Në fillim të seancës, deputeti socialist Erion Braçe kritikoi mazhorancën për mospërfshirjen në kalendarin e punimeve, të nismave ligjore të propozuara nga opozita. 

“Ky vend është pa kufij që pas ndryshimeve që janë bërë në ligjin aktual për kufijtë. Nuk arrij ta kuptoj se si nuk ju shqetëson ky fakt. Nisma ka dy herë që programohet në programin e punës së Kuvendit nuk hyn në kalendarin e komisionit të sigurisë dhe ligjeve.” - tha Braçe.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e disa marrëveshjeve, si ajo me qeverinë malazeze për pikën e kalimit kufitar “Zatrijebacka-Cijevna-Grabon”, për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve dhe për pikën e kalimit kufitar” ÇEREM-VRANIC”, për të vijuar më pas me ratifikimin e dy marrëveshjeve të tjera me bankën KfV Frankfurt AM MAIN për financimin e dy projekteve që lidhen me furnizimin me ujë dhe kanalizimet për qytetet Berat, Fier, Kamzë, Kuçovë, Lushnje dhe Sarandë",

Në fund të punimeve të seancës së sotme do të shqyrtohen dy pr/rezoluta ajo “Për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH" dhe ajo "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit Drejtues të Radiotelevizonit për vitin 2011". 

(er.nu/el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera Konferenca e Kryetarëve shtyn diskutimin për procedurat e zgjedhjes së presidentit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›