Reforma Zgjedhore/Majko: Jo kompromiseve në dëm të të vegjëlve

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko shprehet se Partia Socialiste nuk do veprojë në kurriz të aleatëve të saj. Duke iu referuar reagimit të të vegjëlve se PS po bashkëpunon me PD në dëm të interesave të tyre me Reformën Zgjedhore, Majko tha se selia rozë kërkon korrektimin e sistemit. “Partia Socialiste është për korrektimin e sistemit. Është e pamundur që sot reforma zgjedhore të ketë dy palë, PS dhe PD në një krah dhe të tjerët si parti jo të mëdha në krahun tjetër. Mendoj se është e paimagjinueshme të bëj kompromis me PD në disfavor të interesave të partive të vogla”- u shpreh Majko. Një ditë pasi komisioni i reformës zgjedhore diskutoi për korrektimin e sistemit zgjedhore, kreu i PDS-së Paskal Milo e ka quajtur manovër të dy partive të mëdha lënien e kësaj çështjeje në dorë të ekspertëve. Ai quajti përgjegjës edhe OSBE-ODIHR nëse “mbyll sytë” në këtë situatë. “Do jetë përgjegjësi edhe e OSBE/ODIHR nëse mbyll sytë në këtë situatë”, tha Milo. Ai pret një reflektim nga palët ditën e hënë, për të diskutuar për sistemin zgjedhor.
Ndërkohë, komisioni i Reformës Zgjedhore ka miratuar të gjithë kapituj për reformën zgjedhore, për të cilat palët kishin rënë dakord më herët për formulimin e tyre. Komisioni miratoi nenin për administratën zgjedhore, por duke lënë pezull çështjen e KQZ-së. Gjithashtu, është miratuar neni për ankimimin në KQZ, por ende jo kërkesa që me vendim të dy anëtarëve të këtij institucioni të hapen kutitë e votimit. Po ashtu u miratua dhe neni për ankimimin gjyqësor. Në përfundim të këtij takimi, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu bëri me dije se “ne kemi dhënë propozimet tona, jemi për një korrigjim të sistemit zgjedhor”. Sipas tij, ka mbetur pezull çështja e KQZ dhe numërimi elektronik. Po kështu, dhe përfaqësuesi i PS-së në këtë komision, Bledar Çuçi konfirmoi se vijon të mbetet pezull çështja për KQZ-në. Ndërkohë që për Çuçin është ende në diskutim debati për 2 anëtarët e KQZ.