Deklarata/Fatos Beja: “Konsensusin Rama e sheh vetëm me ultimatume - zhvillime pozitive për statusin”
Deputeti demokrat thotë se PS s’ka vullnet për reformën zgjedhore, ndërsa interesi i vetëm i Edi Ramës mbetet bllokimi. Prej Takimit BE-Shqipëri janë regjistruar këto 6 muaj zhvillime pozitive, prandaj edhe Shqipëria e meriton statusin e kandidatit
Javën e ardhshme në datat 11 dhe 12 korrik mbahet takimi ndërparlamentar Shqipëri-BE dhe kreu i delegacionit të parlamentit shqiptar dhe i Komisionit të Politikës së Jashtme Fatos Beja uron që pala jonë me lëvizjet pozitive që kanë ndodhur 6 muajt e fundit që nga takimi i dhjetorit të krijojë opinionin se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për anëtare të BE-së. Deputeti demokrat uron që reformat e mbetura pezull për shkak të mosmarrëveshjeve politike të mbyllen ashtu si siç një sërë ligjesh me konsensus, të cilat ishin kushte të Bashkimin Europian për statusin. Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Beja thotë se qëndrimi i kreut të PS-së për reformën zgjedhore është një vazhdimësi e ultimatumeve që Edi Rama ka dhënë në vazhdimësi për mazhorancën gjatë viteve të fundit. Sipas tij, kreu i PS-së ka shprehur qëndrim kushtëzues për punën e këtij komisioni, kur ka qenë vetë PS-ja ajo që ka miratuar kodin ekzistues, ndërsa thekson se
komisioni i reformës zgjedhore duhet të marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet e OSBE-së për proceset zgjedhore dhe jo teka të subjekteve politike. “Në qoftë se PS do votojë një zgjidhje të një procesi shumë të rëndësishëm që ofron garanci pozitive për opozitën, ky proces nuk mund të kalojë si dhe s’mund të ecë përpara përmes ultimatumeve. Kjo është një histori e përsëritur. Ne kemi një Kod në të cilin është konsensusi i të dy palëve për atë gjendje që është sot. Çdo sugjerim që vjen nga ODIHR-i për të përmirësuar gjërat mund të punohet për të ecur përpara. Kjo është normale dhe kjo është bërë në këtë reformë”- u shpreh ai.
Beja vlerëson faktin që Shqipëria do të raportojë pozitivisht dhe për situatën ekonomike, në një kohë kur rritja është e qëndrueshme, inflacioni i ulët dhe pagat e pensionet u rritën sërish. “Në këtë takim ne shkojmë më ndryshe, me rezultate pozitive në raport me takimin e mëparshëm. Ka mjaft gjëra që janë realizuar dhe që japin shpresë për një përfundim pozitiv në procesin e vjeshtës”- tha Beja.
Takimi ndërparlamentar Shqipëri-BE kalon në skaner punën që Shqipëria ka bërë në respektimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe për përafrimin e legjislacionit me vendet e BE. Për çka pala shqiptare ndihet mirë, për shkak të produktit pozitiv që Beja thotë se konstatohet në të gjitha fushat. Sfida është ende në Parlament tek reformat e papërmbyllura, tek fakti se sa do të jetë e angazhuar opozita të votojë dy ligjet me 3/5 të Konferencës së Gjyqësorit dhe Gjykatës së Lartë dhe nismën më të fundit të aleatëve në mazhorancën për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, duke ndërhyrë në Kushtetutë.