Reforma, afatet e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme
TIRANË- Do të ketë dy afate kohore për periudhën se kur mund të mbahen zgjedhjet parlamentare, si dhe ato të qeverisjes vendore. Anëtarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore kanë vendosur dje që zgjedhjet periodike për Kuvendin ose organet e qeverisjes vendore të zhvillohen njëherësh në një ditë, të shtunë/diel, në të gjithë territorin e vendit, brenda periudhës që shtrihet nga 15 Mars deri në 30 Qershor, ose nga 15 Shtator deri në 30 Nëntor. Në mbledhjen e djeshme të komisionit për reformën zgjedhore është caktuar edhe afati i hapjes dhe mbylljes së qendrave të votimit në varësi të kohës që do të mbahen zgjedhjet. Kështu, kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 31 Marsit dhe 15 Tetorit, qendra e votimit hapen në orën 7 dhe mbyllen në orën 19, ndërsa kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 16 Tetorit dhe 30 Marsit, qendrat e votimit hapen në orën 7 dhe mbyllen në orën 18. Sipas afateve të parashikuara dje në komision, data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me Dekret të Presidentit të Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar sa më sipër dhe në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në nenin 8 të Kodit të ri Zgjedhor, thuhet gjithashtu se Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 87 të Kushtetutës, e nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vone se 24 orë pas shpërndarjes së Kuvendit.
Listat e zgjedhësve
Po dje gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, anëtarët e komisionit kanë prekur edhe kapitullin e tretë të Kodit Zgjedhor, ai që lidhet me listat e zgjedhësve. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali, deputet i PD-së, tha në një prononcim për gazetarët se “duhet të organizojmë konsulta me Drejtorin e Gjendjes Civile, pasi lista e zgjedhësve është një dokument i pashkëputur nga sistemi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, që është përfshirë në një projekt modernizimi”. Rusmali informoi se anëtarët e komisionit ranë dakord për një konsultë me përfaqësuesit e kësaj drejtorie në Ministrinë e Brendshme, lidhur me formulimet që janë diskutuar dje në komision, për të dhënë më pas votën përfundimtare për të gjitha listat e zgjedhësve. Listat e zgjedhësve do të hartohen për çdo zonë qendre votimi mbi bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Sipas diskutimeve të djeshme, lista e zgjedhësve përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin në zonën e qendrës së votimit të njësisë së qeverisjes vendore, mbështetur në të dhënat elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të Shtetasve. Zgjedhësi duhet të jetë i regjistruar vetëm në një listë zgjedhësish.