E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma arsimore mbyll shkollën e fshatit Urxall

Dibër Fëmijët kanë braktisur mësimin, pasi nuk mund të shkojnë në shkollat e fshatrave fqinje 5-6 km larg

Reforma arsimore e MASH-it, në sistemin arsimor parauniversitar, për shkurtimin e vendeve të punës për mësuesit, ka sjellë mjaft probleme në Qarkun e Dibrës. Shkurtimet për shkak të rritjes së normës mësimore për mësuesit dhe numrit të nxënësve në klasa, kanë prekur jo vetëm shkolla të zonës rurale, por edhe në zona urbane. Në kuadër të kësaj reforme, jo vetëm që ka pasur shkurtime të vendeve të punës për rreth 150 mësues e punonjës të tjerë, në rang qarku, por edhe mbyllje shkollash në fshatra të veçantë. Kështu ka ndodhur në fshatin Urxall të rrethit të Matit, ku reforma ka çuar në mbylljen e shkollës së ciklit të ulët, ku mësonin 17 fëmijë të këtij fshati, të gjithë në një klasë kolektive. Për mësuesin është shkurtuar vendi i punës, ndërsa fëmijët janë të detyruar të shkojnë për të vijuar mësimin në shkollën e fshatrave fqinj me ta, të Dukagjinit ose Derjanit. Dhe për të shkuar në shkollat e këtyre fshatrave, fëmijët duhet të përshkojnë 5 deri 6 kilometra rrugë, si në kohë të mirë ashtu edhe kur ka reshje shiu e dëbore. Prindërit kanë protestuar për mbylljen e shkollës, pasi fëmijët janë të vegjël dhe nuk mund të përshkojnë në këmbë për çdo ditë rrugën për të vajtur në shkollë. Ndaj prej dy javësh, ata nuk i kanë dërguar fëmijët në asnjërën nga shkollat që u ka ofruar Zyra Arsimore e Matit. “Nuk është e drejtë që të na mbyllin shkollën, thotë kryeplaku i fshatit, Besim Toçi, pasi fëmijët janë të vegjël, në moshë 6 deri 10 vjeç dhe nuk mund të shkojnë në këmbë për çdo ditë për të vijuar shkollën, në qendrën e Komunës Derjan”. Madje 2 nxënës, vëllezërit Erges dhe Jurgen Mera, njëri në klasën e katërt dhe tjetri në klasë të dytë, janë invalidë dhe së bashku me babanë e tyre trajtohen me pension invaliditeti, duke mos pasur kështu asnjë mundësi për të vijuar shkollën. Kushtet ekonomike të familjes Mera, janë tejet të vështira, pasi mbahet vetëm me pensione invaliditeti, duke e pasur kështu të pamundur shkollimin e fëmijëve në një shkollë tjetër larg fshatit të tyre. Ndaj prindërit e dy fëmijëve invalidë, thonë se mbyllja e shkollës, do të thotë që fëmijët e tyre të mbeten pa shkollë. Ata i bëjnë apel qeverisë, që të rihapet shkolla në fshatin e tyre, Urxall, gjë për të cilën apelon edhe vetë kryeplaku i këtij fshati, Besim Toçi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›