E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy novela nga Spiro Xhai

Promovimi Ribotohen pas më shumë se 50 vjetësh

Të mbledhur në Akademinë e Shkencave, miq dhe kolegë kanë përkujtuar shkrimtarin Spiro Xhai (1908-2009) përmes promovimit të ribotimit të dy novelave të tij. “Pesë letra” dhe “Dashuri cigane”, botuar nga “Ombra GVG”, janë ndër krijimet e para të Xhait. Udhëheqës i rezistencës antifashiste të minoritetit, zëvendëskomisar i Brigadës XIX sulmuese dhe drejtues për vite me radhë i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ai ka edhe pjesën letrare. Kolegë të Xhait kanë sjellë kujtime nga puna me të. Spiro Xhai, në mozaikun e letërsisë së minoritetit grek, spikat si shkrimtar me diapazon të gjerë. Romancier, tregimtar, dramaturg, biograf, përkthyes e publicist, ai është autor i një vargu veprash me kontribute në letërsinë e pasluftës. “Spiro Xhai ishte nga shkrimtarët bilinguistë që do të shkruante në gjuhën amtare dhe po vetë do t’i përkthente në gjuhën shqipe. Krijimtaria e tij në radhë të parë do të qe pasqyrë besnike e jetës së minoritetit, por ajo do të kishte dhe një gjeografi më të gjerë, ku shpalosej përgjithësisht realiteti shqiptar. Në një kohë kur letërsia e minoritetit do të zhvillohej kryesisht në fushën e poezisë, ai do të lëvronte prozën, duke i sjellë një frymëmarrje më të gjerë krijimtarisë letrare të kësaj etnie”, shprehet Nasho Jorgaqi. Emri i Spiro Xhait do të shfaqej në letërsi që në vitet pesëdhjetë, me një nga veprat më të suksesshme të kohës, siç qe novela “Pesë letra”, e cila pati jehonë dhe u përkthye dhe në gjuhë të huaja. Në të do trajtohej tema e kurbetit, një nga plagët e minoritetit, që në pendën e autorit do të gjente një shprehje realiste. Më tej prej tij lexuesi do të merrte novelën “Dashuri cigane” (1965), një vepër me temë përsëri origjinale, krejtësisht e paprekur nga letërsia jonë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›