E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, sërish tenton për reformën, Republikanët nuk lëshojnë pe

Kujdesi shëndetësor Republikanët kërkojnë rishkrimin e materialit nga e para

Presidenti Barak Obama ka bërë thirrje për një marrëveshje bipartizane në tentativën e tij të fundit për të shpëtuar planin për ndryshimet në reformën në fushën e kujdesit shëndetësor. Por është ndeshur menjëherë me republikanët që i kanë bërë të ditur që të heqë dorë nga planet e tij. Pas muajsh betejash të nxehta sa në Shtëpinë e Bardhë në Kongres dhe në Senat, liderët e të dy partive kanë gjetur shumë pak pika të përbashkëta për arritjen e një marrëveshjeje apo kompromis. Por Presidenti amerikan tha se reforma në fjalë ishte shumë e rëndësishme dhe kyçe për të nxjerrë nga situata e rëndë në të cilën është zhytur ekonomia e sëmurë amerikane dhe u bëri thirrje ligjvënësve që të shkojnë dhe të shikojnë përtej interesave të ngushta partiake. “Ajo çka unë shpresoj që të arrij sot është që gjithsecili prej nesh të fokusohet jo te gjërat që na ndajnë, por tek ato që kemi të përbashkëta dhe mbi të gjitha te marrëveshja”, ka deklaruar Presidenti amerikan. “Dhe më pas le të flasim edhe për pikat që na ndanë dhe të shohim nëse mund të gjejmë kompromisin, apo mekanizmin e duhur për të krijuar ura mirëkuptimi”, ka vazhduar Obama. Megjithatë, demokratët shpresojnë që mosmarrëveshjet të zgjidhen me republikanët.

Republikanët, ndërkohë kanë vazhduar me deklaratat dhe argumentet e tyre tashmë të njohura kundër reformës si ajo që kostoja e saj është jashtëzakonisht e madhe dhe se Uashingtoni nuk është i aftë që të vendosë rregulla që të funksionojnë. “Ka një dallim shumë të madh nga mënyrat tona dhe ato të demokratëve”, kanë bërë të ditur republikanët. Për ta, projekti i mbështetur nga demokratët duhet arkivuar dhe një tjetër duhet që të nisë menjëherë, por kryekëput i ndryshëm. “Ky është një draft që nuk mund të ndreqet”, ka bërë të ditur një senator republikan. Obama dhe demokratët nuk kanë aspak ndërmend që të rinisin punën e tyre nga e para dhe shpresojnë që do të rigjejnë mbështetjen tashmë të humbur edhe nga një pjesë e amerikanëve për shkak të vonesave të mëdha.

Drafti u kalua nga Kongresi dhe Senati në fund të vitit të kaluar dhe tani gjithçka ka ngecur te përpjekjet për të bërë bashkë të tre formatet dhe variantet e tij. Këto përpjekje kanë dështuar që në fillim të janarit. Të hënën, Obama ofroi versionin e tij të ligjit në një tentativë për të rigjallëruar diskutimin për të, por republikanët e kanë refuzuar menjëherë këtë përpjekje të Obamës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›