Reforma e financimit, Shqipëria kopjon Kilin
Dje, përfaqësuesit e universiteteve të vendit, publik apo privat, janë takuar në Konferencën e Rektorëve. Drejtuesit e këtyre institucioneve arsimore kanë pasur dy gëzime në një ditë. I pari ka qenë diskutimi dhe vendosja e pikave mbi “i” për çështjet e ndryshimeve që do të pësojë ligji i arsimit të lartë, kurse i dyti, projekti i reformës së financimit të arsimit të lartë.
Kryesorja e kësaj mbledhjeje ka qenë prezantimi i draftit për ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë, për ciklet e studimit, për masterat, për gjuhën e huaj, për mënyrën e zgjedhjes së shefave të shërbimeve në institucionet shëndetësore universitare, por edhe për idenë dhe reformën e thellë që do të pësojë financimi në arsimin e lartë. Një grup pune, i ngritur enkas për shqyrtimin e kësaj çështjeje, ka përgatitur një draft fillestar, i cili sugjeron, por mbi të gjitha hedh edhe pyetje apo shtron për shqyrtim edhe pika me rëndësi të lidhura ngushtë me procesin e financimit. Sipas grupit të punës, ideja e financimit të universiteteve private, është e njohur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Lituani por në fakt, një pjesë e profesorëve kanë qenë të mendimit se disa prej propozimeve të draftit, të publikuar dje në mbledhjen e rektorëve, janë të ngjashme pak a shumë me reformën e financimit të arsimit të lartë në Kili.
Ndryshimet, ligji i arsimit të lartëKonferenca e Rektorëve ka rënë dakord që ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë të mos dërgohen për miratim urgjent dhe në mënyrë të shpejtë, përveçse për pjesën e cikleve të studimit. Drejtuesit e universiteteve publike kanë debatuar lidhur me pjesën e propozimeve për ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë, në pjesën kur flitet për master shkencor dhe master profesional. Të gjithë ishin të mendimit se e duan Shqipërinë si e gjithë Europa, kur bëhet fjalë për arsimin, edukimin apo formimin në vazhdimësi, por nga ana tjetër, edhe Europa njeh master shkencor e profesional por pa kushtëzuar numrin e krediteve. Sipas profesorëve, nëse masteri është i fushës së kërkimit shkencor atëherë vlerësimi me 180 kredite është i saktë, por kur bëhet fjalë për masterin profesional, debati e “ngurtësoi” këtë titull. është rëndë dakord se masteri profesional nuk vlerësohet me kredite, por me kurrikul. Nëse ai ka profil praktik, apo orientohet drejt tregut të punës, mund të jetë edhe 1-vjeçar. Për këtë nuk duhet të ketë limite.
Financimi i arsimit të lartëPër çështjen e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, publike apo private, grupi i punës ka paraqitur një draft tek i cili shpjegohet fije e për pe, mënyra e financimit në shtet dhe në privat. Kërkohet barazi financimi, madje edhe asistencë nga shteti për ngritjen e kampuseve universitare. Por ky është vetëm fillimi. Pas prezantimit të draftit, profesorët kanë marrë fotokopjen e tij për ta analizuar dhe për të bërë ekspertizën në çdo detaj, nga aspekti financiar deri tek ai social.
Kryesorja në këtë draft të paraqitur për herë të parë dje, është kuptoni i edukimit. Nëpërmjet këtij kuponi, studentët do të zgjedhin nëse duhet të vazhdojnë studimet në universitet privat apo shtetëror; nëse do të duan të qëndrojnë në një filial universitar pranë qytetit të banimit, apo nëse do të vijnë në Tiranë. Do të jenë ata që do të zgjedhin nëse do të bëjnë mësim në një institucion me traditë e përvojë, apo në një institucion me kapacitete njerëzore, por edhe me kondicioner në vapë, apo sistem kaldaje në të ftohtë...
#