Dade: Ka ende hapësira për kompromis
“Dështimi i negociatave të udhëhequra nga komuniteti europian lidhet vetëm me emrin e Kryeministrit Sali Berisha”. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, në Partinë Socialiste, akuzoi dje kreun e qeverisë si fajtorin e vetëm për moszgjidhjen e situatës dhe bllokimin e saj gati 1-vjeçar. “Shprehim keqardhjen që përpjekjet e ndërkombëtarëve për të kontribuar në zgjidhjen e krizës u përballën me kokëfortësinë e mazhorancës qeverisëse. Të gjitha pasojat negative që kjo krizë po i sjell proceseve integruese të Shqipërisë dhe shqiptarëve kanë vetëm një përgjegjës: Sali Berishën!”, tha ajo. Në mbështetje të këtij qëndrimi, Dade ka konfirmuar edhe një herë se gjatë diskutimeve të shumta dhe takimeve të zhvilluara, hapësirat për një kompromis kanë qenë të shumta. Sipas saj, mbërritja deri në momentin aktual, kur Parlamenti Europian është detyruar të përshkallëzojë paralajmërimet e veta është provokuar nga kokëfortësia e Sali Berishës dhe refuzimi konstant i këtij të fundit në tolerimin apo pranimin e opsioneve të shumta që u shtruan në tryezë. “Kanë ekzistuar të gjitha mundësitë që kriza të zgjidhej dhe këto mundësi janë ende, duke respektuar Kushtetutën dhe transparencën, por pengesa e vetme është Sali Berisha. Tashmë të gjithë shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar e kanë plotësisht të qartë se Sali Berisha ka frikë nga transparenca. Frika nga e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit e bën atë të mos stepet edhe duke sakrifikuar integrimin europian të shqiptarëve dhe Shqipërisë, e të zvarrisë ashtu si deri më sot edhe vetë procesin e liberalizimit të vizave”, vijoi Dade. Paragrafi i fundit risjell në vëmendje para shqiptarëve një skenar, i cili deri më tani është hedhur poshtë nga qeveria dhe përfaqësuesit e saj. Kështu në vijim të zhvillimit të negociatave dhe lajmeve për dështimin e tyre, shumica në pushtet, por edhe zyrtarë të dikastereve të ndryshme nuk kanë munguar për asnjë moment të nënvizojnë se liberalizimi i vizave nuk do të vihet në dyshim për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga konflikti politik. Përkundër këtij pozicioni, që synon të qetësojë opinionin publik, që është përgatitur për lëvizjen e lirë që këtë vjeshtë, selia rozë prej kohësh vijon të paralajmërojë të kundërtën; mosarritja e një kompromisi mund të sjellë penalizime edhe në këtë drejtim, çka në optikën e saj i faturon kreut të qeverisë përgjegjësi shumë të mëdha. Bllokimi i mundshëm i heqjes së vizave po sillet në vëmendje nga PS, në formën e një mjeti që synon neutralizimin e lojës elektorale që PD mund të zhvillojë me kartën e lëvizjes së lirë. Aq më shumë kur selia rozë po rikonfirmon angazhimin e saj për transparencën e zgjedhjeve si kushtin e vetëm për të normalizuar jetën politike në vend. Në fakt, kjo gjë u bë e qartë edhe dje nga Dade, duke nënvizuar riciklimin e mundshëm të lëvizjeve të rrugës. “PS dhe opozita e bashkuar do të vazhdojnë betejën për kauzën e transparencës. Rikonfirmojmë bindjen tonë se hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve janë jo vetëm kërkesa legjitime, të bazuara në Kushtetutë dhe frymën europiane, por janë e vetmja mënyrë për ta nxjerrë Shqipërinë nga spiralja e zgjedhjeve që nuk plotësojnë standardet dhe për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë konform këtyre standardeve, ndërkombëtarisht të pranuara”, tha ajo.
#