E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbeten në qeli dibranët agjentë sekretë

Reagon Organizata e Studimeve Antiterroriste: U dhamë dokumente anëtarësimi, ata abuzuan

Me distancë kohore një orë nga njëri-tjetri, janë thirrur në seancën e marrjes së sigurisë dy personat e shtirur si agjentë sekretë të antiterrorizmit ndërkombëtar. I pari është paraqitur Erand Lika përpara trupit gjykues që kryesohej nga gjyqtarja Nevrie Duka e me prokuror Julian çafkën. Një orë pas tij është sjellë në gjykatë për masë sigurie edhe “agjenti” tjetër, Mikel Xheta. Në seancë të dy kanë pranuar para trupit gjykues se me dokumentin që dispononin i kishin vënë qëllim vetes të shkonin fillimisht në shtetin grek dhe që andej të niseshin për në Itali.

Dokumentet

Erand Lika dhe Mikel Xheta deklaruan në gjykatë se kanë kryer një kurs trajnimi tremujor me drejtim për agjenturë. Por krerët e organizatës konfirmojnë se dy dibranët kanë kryer vetëm një kurs disaditor, pasi ata kanë vetëm një muaj që janë anëtarësuar në këtë OJF. Burime nga Prokuroria e Sarandës bënë të ditur se gjatë pyetjes, ish-shefat e “agjentëve sekretë” kanë pranuar se pajisja e dy të rinjve me dokumentin që ata dispononin deri ditën që u kapën nga Policia e Qafëbotës është bërë menjëherë pas anëtarësimit në këtë organizatë.

Pohimi i tyre ka qenë se dokumenti që dispononin “është legal dhe se u është dhënë atyre nga shoqata”. Por kësaj të vërtete ata i kanë shtuar deponimin se dokumentit të paraqitur i janë shtuar disa elementë të rëndësishëm. Sipas tyre, “karta që u është dhënë nuk e përmbante përcaktimin “agjent sekret”, përveçse konstatohet se në të “është shtuar flamuri italian dhe ai i BE”. është vlerësuar dhe pranuar përfundimisht edhe se karta agjenturore e tyre “nuk mund të zërë vendin e pasaportës së shërbimit”.

Me gjithë këtë informacion, trupi gjykues i caktuar për marrjen e masës së sigurisë dhe dëgjimin e të pandehurve Lika e Xheta, i ka lënë ata në “burg pa afat”.
Ndaj dy imituesve të “Xhejms Bond” rëndojnë disa vepra penale: ajo e parashikuar nga neni 186 për falsifikim të dokumenteve, neni 246 për përvetësimin dhe përdorimin e titullit apo detyrës shtetërore pa të drejtë dhe neni 297, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Reagimi

Në lidhje me arrestimin e dy dibranëve ka reaguar dje edhe Maksim Ferra, drejtor ekzekutiv i organizatës antiterroriste ku dy të rinjtë bënin pjesë. Ferra thotë se dy dibranët e arrestuar në Dibër, përveçse kanë shkelur ligjet e shtetit, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, i kanë shkaktuar dëm moral edhe organizatës në të cilën ishin anëtarësuar prej një muaji. “Ata djem ishin anëtarësuar në shoqatën tonë përpara një muaji, ishin pajisur me kartën e anëtarësimit dhe me një certifikatë njohurish që jepet pas një kursi disaditor, që konsiston në njohjen me rregullat e organizatës dhe funksionimin e saj”, tha Ferra. Sipas tij, kartat e anëtarësimit janë keqpërdorur nga dy “agjentët”, pasi ato nuk u sigurojnë atyre kurrfarë statusi ligjor. “Ata nuk ishin ngarkuar nga ne me asnjë detyrë për të shkuar në Greqi dhe për më tepër, kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, gjë që bie ndesh edhe me Kodin e Etikës së organizatës sonë”, tha Ferra.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›