Reforma e nancimit të universiteteve, merret mendja e ekspertit britanik
Pas vendosjes së pikave mbi “i”, në vija të trasha të ndryshimeve që do të pësojë ligji aktual i arsimit të lartë, edhe pse ndodhemi në muajin e verës, puna është intensive për sektorin e arsimit. Menjëherë pas përfundimit të Komisionit për çështjet e Arsimit, ditën e premte, rektorë, ekspertë, si edhe përfaqësues të politikave arsimore janë takuar në një mbledhje tjetër. Por këtë herë është folur për një tjetër reformë, atë të financimit të universiteteve. Kjo reformë e përfolur herën e fundit në konferencën e rektorëve është diskutuar me një ekspert britanik, i cili ka mbërritur në Tiranë menjëherë pas ftesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Pas bisedimeve edhe me ekspertin britanik, specialist i arsimit në vendin e tij të lindjes, ku ka punuar dhe ka dhënë kontributin e tij për një kohë të gjatë, pjesëmarrësit kanë rënë dakord që një draft përfundimtar të dorëzohet të paktën deri në fund të muajit gusht. Fill pas formëzimit të tij, të lihet një kohë e mjaftueshme në dispozicion për shqyrtim, analizë dhe ekspertizë.
Takimi dhe sugjerimetNë takimin e ditës së premte në ministri, eksperti britanik ka sugjeruar se reforma e financimit në institucionet e arsimit të lartë duhet të jetë e fokusuar tanimë te studenti dhe jo te universiteti. Sipas tij, fondet duhet të jenë alternative dhe jo të përfitohet vetëm nga buxheti i shtetit. Po ashtu kjo reformë duhet të jetë e përqendruar gjerësisht për financimin e studentit, ndryshe nga sa është aplikuar deri sot, ku financimi bëhej për institucionet e arsimit të lartë. çështja e financimit të studentit është diskutuar në disa këndvështrime, por sigurisht sipas specialistëve shqiptarë, financimi i studentit deri tani është bërë në bazë të kushteve ekonomike, apo vlerësimit me nota. Ndërkohë që sugjerimet e fundit të dhëna në konferencën e rektorëve zhvilluar një muaj më parë, lidheshin me konceptin e “kuptonit” studentor, një ide e cila fillimisht është kërkuar të zbatohet fillimisht sipas një periudhe eksperimentale.
Financimi i IAL-veSipas statistikave, në Shqipëri këto 20 vitet e fundit financojmë afërsisht 0.5-07% të PBB për universitetet, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 1.7–2.2% të PBB.
Sipas draftit të parë të propozuar për t’u implementuar në financimin e universiteteve në vend, reforma në këtë fushë në thelbin e saj, duhet të synojë gjetjen e një mënyre të re të shpenzimit apo përdorimit të parave publike në arsimin e lartë. Sipas propozimit, stimulimi i një sistemi që krijon dhe gjeneron burime të reja dhe shumë më të mëdha financiare se sa thjesht dhe vetëm buxhetin e shtetit, si dhe një mekanizëm që mënyrën e financimit e kthen edhe në një instrument nxitës të fuqishëm për cilësinë dhe performancën e universiteteve.
“Do të jenë studentët ata që duke preferuar fakultetet apo universitetet, do të bëhen faktorë nxitës e seleksionues për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare. Nën këndvështrimin e fondeve publike, kjo skemë është e njëjtë me “kuponin e edukimit” (voucher), sepse është studenti ai që e përfiton dhe mbart me vete këtë kupon të financuar nga fondet publike, duke zgjedhur dhe universitetin përkatës”, sqaroi lidhur me këtë reformë, njëri prej pjesëtarëve të grupit të ngritur për të shqyrtuar reformimin e financimit, Adrian Civici.
#