Alibeaj: Shteti, brenda 5 vjetëve duhet të marrë pronat e tij

Ndryshimet që priten t’i bëhen ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës për herë të parë i japin shtetit shqiptar vetëm pesë vite afat për të marrë përsëri të drejtën e pronave, që në vitet e shkuara mund t’i jenë grabitur në mënyrë të padrejtë. Enkelejd Alibeaj, deputeti nismëtar i këtij drafti, me ndryshime në ligjin e pronës shpjegon në një prononcim për “Shqip” se me miratimin e këtij drafti, të drejtën për të rishqyrtuar vendimet e marra më parë për çështjen e pronave, nuk do ta kenë vetëm qytetarët, por edhe shteti. “Edhe vetë shteti mund të ketë qenë viktimë e grabitjes së pronës. Ka prona shtetërore, të cilat kurrsesi nuk mund t’u kthehen pronarëve, sepse aty s’ka pasur pronarë. Ndërkohë që këto prona mund t’u jenë dhënë ish-pronarëve me vendime të paligjshme”, theksoi deputeti demokrat. Por në ndryshim nga e drejta e qytetarëve për të marrë në çdo kohë përgjigje nga AKKP për vendimet e ndërmarra në kundërshtim me ligjin, dhënia e drejtësisë për shtetin do të zgjasë vetëm në pesë vite. “Shtetit për zgjidhjen e çështjeve të tij i vendoset një limit, penalizohet paksa. Që nga momenti kur ky ligj do të hyjë në fuqi, do të ketë një afat maksimal prej pesë vjetësh, brenda të cilëve do të duhet të fillojë këtë proces filtrimi, identifikimi të vendimeve të paligjshmërisë, pronat e veta dhe do të duhet t’i parashtrojë përpara agjencisë dhe ajo më pas të vendosë për drejtësinë apo jo të këtyre vendimeve”, bën të qartë Alibeaj. Nga ana tjetër, sipas deputetit demokrat, ndryshe është situata për individët, të cilët kanë të drejtën që në çdo kohë të bëjnë ankimin e tyre dhe të marrin përgjigje brenda 90 ditëve. “Drafti ju jep mundësinë individëve të nisin kërkesat e tyre për vendimet që i shikojnë si të padrejta në çdo kohë. Individi duhet të ketë në çdo rast kohën, të drejtën, mundësinë për t’ju drejtuar organeve administrative”, thekson deputeti i PD-së, nismëtar i draftit. Projektligji i ri “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” pritet të marrë miratimin e shumicës parlamentare në seancën plenare të së enjtes, pas votimit që i bëri Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Ky draft i jep të drejtën AKKP-së, që në rast të një kërkese nga qytetarët ose shteti, të rishqyrtojë ligjshmërinë e vendimeve të dhëna më parë, pa dallim kohor. Sipas ndryshimeve të bëra, kërkesat për rishqyrtim mund të paraqiten vetëm kundër vendimeve të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore, të bashkive ose rretheve për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ndërkaq, këto vendime nuk duhet të jenë duke u gjykuar nga ndonjë gjykatë, apo për to të ketë një vendim gjyqësor të formës së prerë. Nga ana tjetër, socialistët i kanë kundërshtuar këto ndryshime, që pritet të bëhen në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke i quajtur si antikushtetuese. Sipas tyre, në rast se nisma merr miratimin e Parlamentit, ata do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese ta rishikojë këtë draft ligjor.
#