E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: 2010-a sjell opozitën në Kuvend

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka bindjen e plotë se viti 2010 do të sjellë opozitën në Kuvend. Duke u ndalur tek çorientimi politik i opozitës, z. Meta beson se opozita do të bëjë detyrën e saj, të jetë vërtet një forcë që punon për modernizmin e institucioneve, një forcë që konkurron me mazhorancën përmes nismave legjislative më të mira. Gjatë një bisede me gazetarët, ministri i Jashtëm Meta foli dhe për mundësinë e bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës, ndërsa shprehu vullnetin e mazhorancës qeverisëse për të dialoguar brenda Parlamentit. Por, sipas Metës, gjithmonë për të pasur dialog duhen të paktën dy palë. Në gjykimin e tij, qeveria mbetet një palë e palëkundur në vullnetin për të zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin me opozitën, por edhe me shoqërinë civile, me të gjitha grupet e interesit, sepse procesi i dialogut është shumë më i gjerë sesa vetëm midis mazhorancës dhe opozitës. “Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të ketë një reflektim nga ana e lidershipit të PS-së, pasi kontributi që kjo forcë politike dhe opozita mund të japë për integrimin e vendit, nuk është në rrugë sepse është thënë më shumë sesa një herë nga BE; që bojkoti nuk është një normë evropiane dhe që nuk e ndihmon integrimin evropian. Por, natyrisht që kjo mbetet një e drejtë e tyre. Qeveria është e palëkundur në vullnetin e saj për dialog me opozitën dhe me të gjitha grupet e tjera të interesit në vend. Ju e keni dëgjuar, edhe Kryeministri Berisha ka bërë të qartë që është i gatshëm të vlerësojë dhe të marrë në konsideratë çdo kërkesë legjitime të opozitës”, - theksoi z. Meta. Pyetjes se a mund të thuhet se 2010-a, përveç liberalizimit të vizave, do të sjellë një dialog me opozitën, Meta iu përgjigj: “Po, opozita është në Parlament. Është z. Dule në Parlament. Është përfaqësues i opozitës. Uroj që të ndjekin shembullin e z. Dule, të një opozite konstruktive, që kundërshtimin e vet, mendimet e veta i shpreh në Parlament”. Kurse pyetjes se kur do të liberalizohen vizat - do të udhëtojë vetëm ai që ka një pasaportë biometrike - kryediplomati Meta e arsyetoi me faktin se drejt vendeve të zonës Shengen do të udhëtojnë ata persona që do të jenë të pajisur me pasaportën biometrike. “Ne do të japim të gjitha shpjegimet e hollësishme, por pa asnjë diskutim që në Bashkimin Evropian do të udhëtojnë ata të cilët do të kenë deri në atë moment pasaportën biometrike. Ky është qëllimi i spotit që është bërë publik, për të rritur ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve për pajisjen me këtë dokument jashtëzakonisht të sigurt dhe të standardeve më të larta evropiane. Deri tani janë prodhuar rreth 300 mijë pasaporta biometrike. Një progres spektakolar, po të kemi parasysh se ky proces ka vetëm tre-katër muaj që ka nisur dhe ne jemi të bindur se, në një kohë shumë të shkurtër, ky numër do të jetë disa herë më i lartë”, - deklaroi z. Meta. Ministri i Punëve të Jashtme foli deri në detaje për ecurinë e procesit të heqjes së vizave, duke konfirmuar se misioni i parë i vëzhgueseve për bllokun e parë të sigurisë së dokumenteve ka qenë në vend gjatë ditëve të fundit dhe priten edhe misionet e tjera për blloqet e tjera në fillim të vitit të ardhshëm. Sipas tij: “Bashkëpunimi është tepër konstruktiv, edhe me Komisionin Evropian, edhe me vendet anëtare dhe shpreh dhe një herë tjetër bindjen time se ashtu sikurse ka qenë premtimi, brenda vitit 2010, shqiptarët do ta fitojnë këtë të drejtë, e cila në njëfarë mënyrë simbolizon aspiratën e tyre, jo vetëm për lëvizjen e lirë, por edhe për atë dinjitet që u takon si gjithë qytetarëve të tjerë të kontinentit”. Në këtë pikë, Meta ftoi opozitën për t’iu bashkangjitur procesit të integrimit të Shqipërisë. “Të kontribuojë në mënyrë konstruktive. Nuk është momenti të fajësojmë njëri-tjetrin se përse kjo gjë nuk u bë më parë, por është koha që të mos humbasim më asnjë minutë në drejtim të këtyre proceseve integruese, si për sa i takon liberalizimit të vizave, ashtu dhe procesit tjetër, atij të përgjigjes për Pyetësorin e Komisionit Evropian dhe më pas për të fituar statusin e vendit kandidat dhe për të ecur drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, - theksoi z. Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›