Rinis seanca/ Përfaqësuesja e Kryeministrisë: Shkarkimi i Veliajt, për arsye ligjore, jo kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka rinisur sërish mbledhjen pas një ndërpreje 30 minutëshe. Përfaqësuesja e Kryeministrisë ka paraqitur argumentet e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankimin e kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj, për anulimin e vendimit të qeverisë që e shkarkoi nga detyra. Në qëndrimin e paraqitur, përfaqësuesja e Kryeministrisë theksoi se shkarkimi është kryer për shkaqe të lidhura me rrafshin ligjor dhe jo atë kushtetues, pasi Veliaj kishte munguar në detyrë për më shumë se tre muaj, në kundërshtim me dispozitat e ligjit për vetëqeverisjen vendore.
Sipas argumenteve të saj, mungesa 3-mujore në detyrë përbën bazë të qartë ligjore për ndërprerjen e mandatit, pavarësisht arsyeve, dhe ligji nuk parashikon përjashtime edhe në rastet e pengesave objektive. “Ndryshe nga Kushtetuta që lejon deputetin të ruajë mandatin në rrethana të caktuara, ligji për vetëqeverisjen vendore nuk ia njeh këtë të drejtë kryetarit të bashkisë“, tha ajo.
Përfaqësuesja e Kryeministrisë shtoi se Këshilli i Ministrave ka vepruar vetëm pas konstatimit nga këshilli bashkiak se Veliaj kishte munguar përtej afatit tre mujor, duke respektuar procedurën ligjore për shpalljen e vendit vakant.
Në argumentim theksohet se interpretimi i kërkuesit (Veliajt), sipas të cilit vetëm “shkeljet e rënda” përbëjnë bazë për shkarkim, nuk qëndron, pasi ligji parashikon edhe raste të tjera, si mungesa në detyrë, që sjellin përfundimin e mandatit të një kryetari bashkie.
/rtsh.al/