E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma e tretë e Altertekstit

Dje Komisioni Parlamentar i Medias dhe Mjeteve të Edukimit Publik diskutoi gjatë për reformën e fundit të Altertekstit të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Po na ndodh rëndom që sa herë ndërrohen ministrat e këtij dikasteri dhe stafi i tij një prej risive që priten është edhe futja e duarve në sistemin e hartimit, prodhimit dhe shpërndarjes së librave shkollorë, i emëruar Altertekst, si një prej fushave ku ndërthuren interesa jo të vogla nga të gjithë faktorët dhe operatorët e sistemit të edukimit dhe botimit. Kështu ka ndodhur me të gjithë ministrat që kanë ardhur në krye të këtij dikasteri që pas largimit nga kjo detyrë e z. Pollo, i cili, për hir të së vërtetës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me botuesit shqiptarë, hodhën themelet e para të një sistemi bashkëkohor dhe funksional për trajtimin e librit shkollor.
Tendenca për centralizimin e procesit
Duke parë ndryshimet e bëra në “reformën e fundit” të Altertekstit dua të shprehem që në fillim se në emër të risive apo në emër të gjoja përmirësimit të disa anomalive të viteve të shkuara filloi degradimi i këtij procesi duke krijuar terren për prishjen e konceptit mbi të cilin ai funksiononte normalisht. Ajo që të fut frikën dhe të bën të mendosh për një kthim të qëllimshëm prapa është tendenca për centralizimin dhe një kontroll të gjithanshëm të këtij procesi. Dhe kjo duket menjëherë duke parë ndryshimet e bëra në funksionimin e komisioneve të vlerësimit dhe atij të përzgjedhjes së teksteve. Bordi i vlerësimit të teksteve të paraqitura nga botuesit në MASH (më parë quhej BOMIT) në fillim të këtij procesi ishte i pavarur dhe nuk kishte në përbërje të tij punonjës nga administrata e ministrisë. Me reformën e re anëtarët e komisionit vlerësues e përzgjedhës të teksteve të paraqitura janë punonjës të administratës së Ministrisë së Arsimit, të cilët, kuptohet janë nën presionin dhe trysninë e politikës, ministrit dhe të stafit të tij. MASH mund dhe duhet të inspektojë dhe kontrollojë procesin për zbatimin me korrektësi të procesit, ashtu siç e shohim edhe përvojën e pothuaj të gjitha vendeve të tjera demokratike. Ky ndryshim justifikohet me luftën kundër korrupsionit, me rastet që janë konstatuar nga përvoja e deritanishme për shkak të presioneve të botuesve dhe tundimit të anëtarëve të komisionit nga lidhjet me autorët e grupet e tjera të interesit. Pa dashur të mohojmë se mund të ketë pasur raste të tilla duam të theksojmë se korrupsioni shtetëror është më evident gjatë kësaj periudhë ne Shqipëri për shkak të mbrojtjes dhe mbështetjes që i bën kësaj politika dhe njerëzit e veshur me pushtet.
Prishja e konkurrencës së lirë
Një tjetër rrezik për procesin, që bie ndesh me parimet themelore të ekonomisë së tregut, e cila bazohet në konkurrencën e lirë, është edhe vlerësimi preferencial edhe kur paraqitet një konkurrues i vetëm. Largimi nga Alterteksti dhe kthimi në konkurrimin me një libër të vetëm filloi në kohën e Ministrit Fatos Beja, kur në mënyrë jo ligjore u futën 4- tekste përkthime nga italishtja (Biologjia, Fizika, Kimia, Shkenca e tokës). Pa u futur në problemet në përkthimin dhe përshtatjen në shqip të termave, e keqja më e madhe është se të gjitha ilustrimet për dukuritë shkencore bazohen te Italia, në një kohë kur me të janë duke punuar nxënës shqiptarë. E ritheksojmë se mënyra se si është proceduar me këto tekste është e jashtëligjshme, pasi bie në kundërshtim me thelbin e konkurrencës së ndershme në treg dhe shmang pa të drejtë shtëpitë botuese dhe autorët vendas.
Afatet dhe respektimi i tyre
Si dobësi e Altertekstit të mëparshëm merren afatet e shkurtra që liheshin në dispozicion të autorëve dhe shtëpive botuese për hartimin e librave. Alterteksti i ri parashikon një afat 10 - 12 mujor, kjo është për të përshëndetur, sepse afatet e shkurtra ndikojnë negativisht në hartimin e një teksti, shtypjen dhe shpërndarjen e tij. Por, po të shohim si po shkon ky proces edhe këtë vit shkollor shohim se nuk ka ndonjë ndryshim dhe botuesit vazhdojnë të ankohen se përsëri po shkelen të gjitha datat e caktuara në Altertekstin e ri; madje është hera e parë që shtyhet konkursi pikërisht ditën kur ishte caktuar data e dorëzimit të dorëshkrimeve; dhe kjo u bë me qëllim që të favorizoheshin botues të veçantë, dukshëm të lidhur me pushtetin e sotëm, që të arrinin të mbaronin tekstet. Po kështu dhe porositë e shkollave asnjëherë nuk vijnë në datat e caktuara, gjë që gjithnjë e ka vështirësuar dhe e vështirëson punën e botuesve për të qenë korrekt me datat e përcaktuara nga Ministria.
Autorët me tituj dhe vlerësimi i pabarabartë
Sillet si risi e altertekstit të ri ndryshimi në treguesit e përmbajtjes së një teksti. Vlerësohet autori me 25 pikë më shumë në bazë të titujve shkencorë që ka dhe të veprimtarisë botuese. Kjo prish që në start rregullin e barabartë për të gjithë autorët konkurrues. është njësoj si në garën e 100 metrave dhe, para fillimit të saj, disa prej atletëve i nxjerr 25 metra para. Nga ana tjetër, pa dashur të vëmë në dyshim vlerat e akademikëve tanë, nuk është e thënë që ata janë metodistë të mirë për të hartuar tekste të përshtatshme nga ana pedagogjike. Në këtë mënyrë gara nuk është e barabartë dhe as e ndershme. Këtu nuk kemi vlerësim të cilësisë së tekstit, por titujt dhe meritat që shpesh ndodh të vijnë dhe nga fuqia e pushtetit. Kjo risi është në kundërshtim me të gjitha standardet evropiane që pretendon Ministria se do t’i zbatojë. Nga ana tjetër, libri i mësuesit asnjëherë nuk mund të jetë kriter se një tekst është cilësor apo jo, pasi në të shumtën e herëve librat e mësuesit nuk i bëjnë autorët e teksteve, por një grup tjetër autorësh që janë mësues, prandaj kur vlerësohet teksti, 7 pikët e librit të mësuesit nuk mund as t’i hiqen dhe as t’i shtohen tekstit përkatës. Të dyja rastet e mësipërme nuk janë kritere që rrisin cilësinë e tekstit; teksti është një produkt që duhet të vlerësohet më vete si i tillë, pavarësisht se cili është autori, pavarësisht se ka apo nuk ka libër mësuesi.
Kur ministri del mbi vendimin e komisionit
Vlerësuesit e teksteve, pedagogët dhe mësuesit janë munduar të jenë korrektë, por kjo korrektësi e tyre prishet nga vetë Ministri që pretendon për drejtësi dhe se është duke shmangur korrupsionin. Vlerësuesit e teksteve hodhën poshtë shumë tekste, madje dhe të disa profesorëve, pedagogëve, apo akademikëve, edhe pse kriteri i ri u jepte falas 25 pikë. Jo më shumë se një javë nga dita që u shpall konkursi, u futën me urdhër të ministrit në katalogun e teksteve 2010-2011 si të certifikuara 5 tekste të rrëzuara nga vlerësuesit; një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë 4 viteve të reformës së Altertekstit. Këto 5 tekste u takojnë autorëve të evidentuar dukshëm si të përkëdhelur të pushtetit, anëtarë të KOP-it dhe atyre shtëpive botuese që lakohen se janë të anuara dukshëm nga e djathta dhe kanë ndihmuar në fushatat elektorale të partisë në pushtet.
Përzgjedhja e teksteve dhe delegimi i kompetencave
Në sistemin e mëparshëm përzgjedhja e teksteve bëhej nga mësuesit përkatës të çdo shkolle; kjo ishte në përputhje dhe me reformën arsimore për autonominë e shkollave dhe shkëputjen e ngadaltë nga monopoli shtetëror. Në rastin e përqendrimit në një grup më të madh shkollash e mësuesish, siç propozohet në reformën e re, është më e lehtë rruga e komprometimit nga ana e personave të pandërgjegjshëm. Madje nuk ka kuptim që shkolla të mëdha qyteti, siç janë gjimnazet kryesore, të mos vendosin vetë për linjat e teksteve me të cilat do të punojnë mësuesit e tyre. Nga ana tjetër, tendenca e kompetencave të pushtetit dhe të administratës shtetërore në vendin tonë kërkohet të shkojnë drejt decentralizimit, drejt tërheqjes në vendimmarrje të sa më shumë organizmave dhe individëve, si shprehja më e lartë e demokracisë në një vend. Përzgjedhja nga vetë shkollat do t’i bëjë ato më të interesuara për një proces mësimor sa më efektiv dhe me tekste sa më të përshtatshme.
Shpërndarja dhe tregtimi i librave
Procesi i shpërndarjes dhe i tregtimit të librave shkollorë ka pësuar një kthim prapa. Në fillimet e kësaj reforme libri shitej në librari. Edhe pse natyrshëm pati pengesat dhe vështirësitë e fillimit, tregtimi i librave shkollorë në librari solli tendencën për hapjen e një numri të madh të librarive të reja në çdo qytet e komunë të vendit, si dhe zgjerimin dhe modernizimin e atyre ekzistuese. Me reformimin e fundit kërkohet shitja e librave nëpër shkolla. është një praktikë që nuk e hasim në asnjë vend tjetër. Librat duhen shitur në librari, sepse ato janë edhe mall dhe të destinuara për t’u shitur. Si të tilla, njësitë që tregtojnë libra, libraritë, duhet të jenë të licencuara, të kenë NIPT-in e regjistruar në zyrat e tatimeve, duhet të jenë të pajisura më kasa për arkëtimin e kontrolluar të të ardhurave nga shitja etj., kushte që nuk mund të plotësohen nga pikat e shpërndarjes dhe shitjes që ofrohen nëpër shkolla. Nga ana tjetër libri në librari qëndron dhe ofrohet gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm një periudhë të shkurtër njëmujore që ofrohet nëpër shkolla. Sado probleme që të dalin në fillimet e këtij procesi, ritheksojmë se vendi i tregtimit të librit është libraria, ndërsa shkolla, familja, nxënësit, mësuesit etj. klientë të natyrshëm dhe të përhershëm të saj.
Dëgjojmë se ka një pretendim nga ana e MASH-it në lidhje me kontrollin e tregtimit të fletave të punës për nxënësit e niveleve të ndryshme. Sot na duket e pakuptimtë tendenca e ndalimit të tyre. Mendojmë se ka ardhur koha që, nëpërmjet komisioneve përkatëse të lejohet dhe miratohet përdorimi i mjetet didaktike në shkolla, në ndihmë të një mënyre mësimi modern e aktiv, ashtu siç bëhet edhe me librat artistikë që rekomandohen në programet jashtëshkollore. Ministria e Arsimit sot e ndalon përdorimin e mjeteve didaktike në shkollë. Madje kanë arritur deri atje sa inspektorët e drejtorive arsimore u kontrollojnë fëmijëve çantat nëse mbajnë në to fleta pune (!).
çmimet e shitjes së teksteve shkollore
Ka ardhur koha për një liberalizim të mëtejshëm të çmimeve të teksteve shkollore. çmimet e teksteve duhet të jenë të lira deri sa ato nuk ndikojnë në cilësinë e tekstit. MASH e artikulon shpesh publikisht faktin se ka çmimet më të ulëta në rajon, por sa më shumë e pa kriter të ngushtohet çmimi, aq më shumë do të ndikojë ai në cilësinë e tekstit apo në mosinteresimin e autorëve dhe të shtëpive botuese për të prodhuar tekste. Botuesit ankohen sepse me ta veprohet duke u dhënë urdhra sikur ata janë punonjës të Ministrisë. Ata urdhërohen të dërgojnë libra falas në drejtori arsimore dhe kërcënohen se nëse nuk e bëjnë këtë libri i tyre nuk futet në konkurrencë; kjo është metodë shumë e vjetër e tejkaluar që nuk ka asnjë lidhje me ekonominë e tregut. Puna e botuesve dhe investimi i tyre nuk është i sigurt, pasi ministria nuk i krijon kushte biznesit që të punojë me projekte afatgjata. Porositë që vijnë nga shkollat nuk janë asnjëherë të sakta. Askush nuk mban përgjegjësi nëse botuesit i mbeten me mijëra kopje në magazinë. MASH i ka dhënë vetes të drejtë ta penalizojë sa herë të dojë botuesin, pa menduar se sa korrekte është ajo në drejtim të tij, pa menduar se pa investimin e botuesit, shkollat do të mbeteshin pa libra. Po ndodh shpesh që botuesit të mbeten në mëshirë të fatit, apo të varen nga natyra e “mirë” apo e “keqe” e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit.
Libra për fëmijët e emigrantëve
Në reformën që pretendohet flitet edhe për furnizimin me tekste shkollore të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme të Evropës. Ideja dhe qëllimi janë për t’i vlerësuar, por zbatimi në praktikë është një utopi, pasi shqiptarët në emigracion janë të shpërndarë, të paevidentuar dhe të paorganizuar midis tyre. Mendohet t’u ofrohen tekste shkollorë fëmijëve të emigrantëve dhe as që mendohet se atyre u duhen më parë mësuesit e paguar nga dikush, shkolla ku do të organizohet mësimdhënia, ose klasa të veçanta në shkollat ku ata arsimohen në gjuhën e vendit ku banojnë. Duke ditur mundësitë e pakta për t’i realizuar të gjitha këto, shpërndarjen e pakontrolluar të shqiptarëve dhe mungesën totalë të një evidentimi të tyre, por edhe qëndrimin jo fort miqësore të qeverive në vendet ku ka më shumë emigrantë ne e shohim këtë si një ide dhe dëshirë, që për ta realizuar duhet t’i paraprihet me disa masa të tjera energjikë dhe që janë emergjente. Ndryshe, siç ka ndodhur edhe me arbëreshët, arvanitët, arnautët etj., ne kemi për ta humbur këtë brez që nevojat ekonomike e detyruan të gjejnë një jetë më të mirë midis kombeve të tjera që ushtrojnë çdo ditë trysni asimilimi, me dëshirë apo me qëllim, me ndërgjegje apo në mënyrë të natyrshme në përpjekje për t’i integruar. E vetmja gjë për t’u përshëndetur nga risitë e kësaj reforme është ideja për të përgatitur libra në formë elektronike për fëmijët e emigrantëve dhe për t’i hedhur on line në internet. Të paktën, për ata që duan u ofrohet një mundësi për t’u mësuar shqipen fëmijëve të tyre. Por kjo është sa për fillim.
Si përfundim, një pjesë e ndjeshme e ndryshimeve në reformën e altertekstit që Ministria pretendon se janë në favor të shkollës shqiptare në praktikë tregojnë se janë në të kundërt të tij dhe e dobësojnë procesin e hartimit, prodhimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore. Shihet se mungon vullneti për të përmirësuar procesin e reformës, por për të bërë ndryshime “origjinale”, të ndryshme nga ministri i mëparshëm, që në fakt vetëm e dëmtojnë procesin. Nuk krijohen standarde mbi të cilat mund të formohet një strategji afatgjate apo sjellja e një ligji për botimin e teksteve shkollore siç e ka Evropa, por çdo ditë sillen rregulla të reja prish e ndreq varësisht interesave dhe dëshirave të individëve që vijnë në pushtet. Arsimi është një nga shtyllat e kombit, prandaj strategjitë duhet të jenë afatgjata, profesionale dhe jo politike. është mëkat i madh të shkatërrosh me eksperimente pafund breza të tëra nxënësish.
Aktualisht nuk ka asnjë studim mbi çka është bërë deri tani dhe rezultatet konkrete të nxënësve në lidhje me programet dhe linjat e teksteve të reja. Ka vetëm prirje negative për të prishur çka është krijuar deri tani; prirje që nxiten nga persona që kanë thjesht interesa individuale dhe që duan të shfrytëzojnë politikën në pushtet për të realizuar qëllimet e tyre fitimprurëse.
Ajo që kërkohet sot janë reformat e qëndrueshme, pasi kosto është për vendin dhe në kurriz të fëmijëve tanë. Reforma që duhet t’i zënë shtigjet korrupsionit shtetëror në përzgjedhjen e teksteve, në lobingjet me botues, me pushtetarë dhe segmente të caktuara të politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›