E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teliti: Vendimi i Kushtetueses nuk ndikon te Censusi

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzon nenin për kombësinë në ligjin “Për gjendjen Civile”, nuk do të ndikojë aspak në procesin e censusit të popullsisë dhe banesave, që do të zhvillohet prej 1 tetorit në gjithë vendin. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi dje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e disa neneve të ligjit për gjendjen civile nuk e prek procesin e regjistrimit të popullsisë. Të dhënat e prodhuara nga ky proces, tha Teliti, do të përdoren vetëm për statistikë dhe nuk do të reflektohen në regjistrin themeltar të gjendjes civile. “Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me censusin, ose regjistrimin e popullsisë, të dhënat e të cilit do të jenë tërësisht në dispozicion të INSTAT-it për qëllime statistikore, studimore dhe politika të zhvillimit. Të dhënat e censusit nuk janë në asnjë rast pjesë e të dhënave të regjistrit themeltar të gjendjes civile. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese shtrin në ligjin e gjendjes civile vendimin e qeverisë për heqjen nga certifikata të kombësisë si element i të dhënave të gjendjes civile të shtetasve”, - deklaroi kreu i Gjendjes Civile, Armand Teliti gjatë një konference të posaçme për mediat. Ditën e premte Gjykata Kushtetuese rrëzoi dispozitat për ndryshimin e kombësisë, në ligjin për Gjendjen Civile. Gjykata vendosi me 6 vota pro dhe 2 kundër për të rrëzuar dispozitën e këtij ligji miratuar në vitin 2009, që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë në ligjin për Gjendjen Civile. Duke e cilësuar ligjin si antikushtetues, gjykata ka kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit “kombësi”. Padia në Kushtetuese u bë nga gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet, të cilat kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të disa nga neneve të këtij ligji. Ankimuesit deklaroheshin se ligji cenonte parimet kushtetuese, duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›