Reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore miratohen në fundvit

Institucionet e Kosovës kanë dhënë zotimin se do t’i përmbyllin reformat deri në fund të vitit – atë kushtetuese për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe atë ligjore për zgjedhjet nacionale. Punën e kanë paraparë ta kryejnë në tremujorin e fundit të 2013-s.
Planet e saj në raport me reformën, Qeveria i ka përfshirë në Planin e veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, të cilin e ka miratuar muajin e shkuar. Madje, e ka listuar të parin në mesin e qindra veprimeve të përshkruara.
Përpos reformës zgjedhore, aty janë të listuara edhe veprime të tjera që mëtohet të realizohen në vitet në vijim, e të cilat janë definuar si kushte për Kosovën, në Studimin e Fizibilitetit të publikuar nga Komisioni Evropian, shkruan "Koha Ditore".
Përcaktimi për të bërë ndryshime kushtetuese dhe ligjore është përfshirë në rubrikën e parë, që u referohet kritereve politike, dhe përbën përgjigje në kërkesën e KE-së për forcimin e parimeve demokratike të qeverisjes në Kosovë dhe kërkesës tjetër për respektim të parimeve ligjore ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit në përgjithësi. /Indeksonline/