E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet vetura e hemodializës në Mitrovicë

 Kombi-busi i cili afërsisht deri para një jave iu shërbente pacientëve të hemodializës, është vjedhur nga persona ende të panjohur. I fundit që e ka parë veturën ishte vozitësi i këtij kombi-busi D. I. rreth të dyzetave, i cili veturën shtetërore e ka parkuar në rrugën para shtëpisë së tij. Rastin e vjedhjes e ka raportuar në Policinë e Kosovës vetë shoferi i cili ka dhënë arsyetimin se veturën e kishte marrë në shtëpi për ta rregulluar. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, Fevzi Sylejmani.

“Ishin temperaturat e ulëta të cilat i kanë ngrirë dyert e veturës dhe ai ka dashur ta rregullojë këtë në shtëpinë e vet, më ka thënë mua vozitësi D. I. Ai e pranon që e ka pasur veturën përpara shtëpisë së tij, me arsyetimin se dyert kanë qenë të ngrira dhe është munduar t’i shkrijë me ujë të nxehtë, e që kjo nuk çon fare peshë”, ka thënë për gazetën “Lajm”, Fevzi Sylejmani, drejtor i QKMF-së. Sipas tij, ky vozitës tashmë është suspenduar nga puna duke shtuar që kjo ka qenë hera e parë që ka ndodhur ndonjë problem në punë nga ky person.

Vjedhjen e veturës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. “Rasti është njoftuar në të gjitha stacionet policore në Mitrovicë. Ende nuk kemi informacione për gjetjen e veturës, mirëpo ne kërkojmë bashkëpunim edhe nga vetë qytetarët e Mitrovicës që të na lajmërojnë posa të marrin ndonjë informacion”, ka deklaruar Hoti.

Rastin e ka dënuar edhe Drejtoria për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës. Drejtori i kësaj drejtorie, Shaqir Demiri ka bërë të ditur se kjo veturë është projekti i parë që e ka realizuar si drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi.

“Kur e kam parë se me çfarë veture shërbehen pacientët e hemodializës menjëherë kam dashur të bëj një zgjidhje dhe kur është realizuar jam ndier shumë i lumtur”, ka shtuar Demiri. Vetura e hemodializës ka kushtuar tridhjetë e katër mijë euro dhe ende nuk ka ndonjë informacion që rezulton në gjetjen e tij./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›