E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në “Albpetrol”, 5000 punonjës në ankth për listën

Punonjësit e kompanisë së naftës “Albpetrol” sh.a., të cilët do të preken nga reforma nuk janë dakord me kriteret e vendosura për largimin e tyre nga puna.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Plot 1100 punonjës nga një total prej 5 mijë të tillë, do të jenë pjesë e reformës që do të ndërmerret nga Ministria e Punës. Sipas punonjësve, kriteret e vendosura për të prekurit nga reforma i sulmojnë dhe i luftojnë ata. Ndikimi negativ që do të shkaktojë kjo reformë nuk do të jetë vetëm e karakterit ekonomik, sipas tyre, por edhe social e psikologjik. Punonjësit janë shprehur se do ta kontestojnë këtë vendim me të gjitha mënyrat, pa lënë mënjanë edhe alternativën e protestës. Duke e etiketuar edhe si politike këtë reformë ata shprehen se, nuk është e drejtë që të largohen nga puna pas kaq vitesh djersë dhe mundi. “Kam dhënë jetën për këtë kompani dhe tani na flakin në udhë të madhe. Na kanë thënë që pas largimit do të përfitojmë asistencë, por unë nuk jam dakord. Jo vetëm për lekët që marr, por edhe për faktin se nuk mund të rri dot pa punë”, shprehet një naftëtar. Ndërkohë një tjetër punonjës thotë se ky vendim i nëpërkëmb ata që me të vërtetë punojnë duke deklaruar edhe marrjen në punë të njerëzve joprofesionistë. “Na shkurtojnë ne që punojmë nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe lënë ata që vetëm sa paraqiten në punë ose nuk paraqiten fare. Kjo është absurde. Kanë marrë militantë në punë dhe na flakin ne që kemi kaq vite përvojë. Ne kemi punuar edhe në kushte tepër të vështira duke mos kërkuar kushte pune apo të drejtat tona si punonjës të ndërmarrjeve naftënxjerrëse”, ka vijuar në fjalën e tij një tjetër punonjës. Ndërsa nga vetë kompania “Albpetrol” është pohuar se gjithçka është bërë në transparencë të plotë. “Reforma në këtë kompani po bëhet në përputhje me programin që “Albpetrol” ka në procesin e privatizimit dhe në përputhje me marrëveshjet respektive me kompanitë e huaja për zhvillimin e mëtejshëm”, deklarojnë burime pranë kompanisë së naftës. Sipas tyre, kriteret e vendosura nuk sulmojnë dhe luftojnë punonjësit, por përkundrazi i mbrojnë dhe sigurojnë ata, pasi pas largimit nga puna do t’u sigurohet paga e plotë për afro dy vjet, përveç asistencës në vazhdim. Pritet që shumë shpejt për të qartësuar dhe për të treguar transparencën do të publikohen të gjithë emrat nëpërmjet afishimit të listave përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›