E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në Drejtësi, Opozita mban tryezën, mazhoranca e refuzon

TIRANË-Ashtu sic ishte parashikuar opozita ka mbajtur sot tryezën për Reformën në Drejtësi, dhe ashtu sic ishte paralajmëruar, mazhoranca refuzoi ftesën e PS.
Në takimin e nisur në ora 12:00, në një prej lokaleve në periferi të kryeqytetit, përveç kryetarit të grupit të LSI-së Lefter Koka, dhe asnjë nga demokratët nuk është i pranishëm.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, në hapje të tryezës "Për reformën në drejtësi", e organizuar nga PS, u shpreh se kjo forcë politike është e hapur për të mirëpritur çdo ide dhe sugjerim që lidhet me reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
"Sot kemi përgatitur një dokument për këtë problem madhor, i mbështetur në rekomandimet orientuese të raport-progresit të KE-së, të cilin e konsiderojmë si një material pune. Ne do të vlerësonim të gjitha idetë dhe sugjerimet tuaja dhe kjo është qasja e drejtë në shërbim të kthesës së kërkuar nga Brukseli", deklaroi në hapje të tryezës së sotme deputeti Xhafaj, në të cilën nuk marrin pjesë përfaqësues të maxhorancës.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë përfshin një sërë rekomandimesh për integrimin, kjo jo si lëvizje në vetvete, por si shprehje e rëndësisë së sistemit për shtetin e së drejtës.
"Drejtësia nuk është pronë dhe domen i politikës, por përgjegjësja kryesore për situatën ku ndodhemi. Tryeza jonë synon të sjellë mesazhin e rëndësishëm se kontributi i gjithkujt është i nevojshëm, i pranueshëm dhe i lavdërueshëm. Ne deputetë të PS, jemi ketu për të qenë mirëkuptues ndaj sugjerimeve tuaja", tha Xhafaj.
Duke iu referuar thirrjes së maxhorancës për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave të anëtarëve të parlamentit, Xhafaj theksoi se PS është dakord për miratimin e tyre, por ky, sipas tij, është një proces shumë më i gjerë dhe më i thellë se sa ngritja e një kartoni në sallën e Kuvendit.

Një nga konstitucionalistët, Luan Omari tha se në gjykata duhet inspektim dhe kjo të bëhet vetëm nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ai sugjeroi që në Prokurori të kryhet një decentralizim ndërsa këshilloi që për ligjet e rëndësishme që kërkojnë 3/5, PS të japë kontribut.

Mungesa e demokratëve
Në fjalën e tij deputeti Fatmir Xhafa, njëherësh sekretar për çështjet ligjore në PS, ka shprehur keqardhjen për mungesën e kolegëve të tij demokratë.

Pas tryezës u shpreh edhe kreu i PS Rama. Sipas tij pala tjetër me këtë refuzim të tryezës tregoi qartë se nuk e do integrimin. “Ne e kemi ndarë këtë tryezë me përfaqësues të nderuar të botës së drejtësisë, por fatkeqësisht nuk kemi mundur dot ta ndajmë dhe me palën tjetër, që me sa duket janë të zënë me punë më të rëndësishme se sa integrimi europian i Shqipërisë dhe marrja e statusit të kandidatit", u shpreh Rama në një prononcim për mediat.

"Ndërkohë që ne flisnim për gjëra që kërkon Europa prej nesh, Saliu do të ketë qënë në ndonjë majë mali duke thënë se nuk më lë opozita ta lëshoj Shqipërinë, që e kam kapur për fyti", u shpreh kryetari i PS-së.  

Më tej në tryezë Rama tha se ky proces do të jetë pjesë e një axhende të mirëpërcaktuar. “Duhet të trajtohen ligjet për përmbysje apo ndërhyrje në mënyrë qw deri në pranverë të kemi një reformë reale”- nënvizoi kreu socialist duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit pasi sic tha dhe ai “kanë ardhur kohë të vështira për tu shfaqur në tryeza me opozitën”  Rama shtoi se opozita do të vijojë të bëjë propozimet politike për të mirën e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së

Ftesën e socialistëve për t’u ulur në një tryezë për sistemin e drejtësisë e refuzuan kryeministri, njëherazi dhe kreu i PD-së Sali Berisha,i cili ndodhet për vizitë në Tropojë, kryetarja e Kuvendit njëherazi nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, kreu i grupit Parlamentar Astrit Patozi si dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili.

SHEHU I PD: PËR REFORMËN TË DISKUTOJMË NË KOMISIONIN E LIGJEVE
Deputeti i Partisë Demokratike shprehu rezerva për tryezën e sotme të organizuar nga Partia Socialiste. “Të hedhim në një moment të tillë në mënyrë të njëanshme iniciativa të tilla, më duket provokative, jo me dëshirën e mirë për të zgjidhur situatën, përkundrazi për të komplikuar situatën, ndërkohë që ka ca sinjale që po shkon drejt një zgjidhjeje”- tha Shehu në një reagim për gazetarët. “Shumë gjëra mund të diskutohen e zgjidhen në Komisionin e Ligjeve që është vendi i vetëm dhe më i lartë me të gjitha komptenecat ligjore.”- nënvizoi Shehu. Sipas deputetit demokrat iniciativa e PS është “partiake” dhe konferenca të tilla janë në nivelin e seminareve.
(d.b/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›