E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën mbrëmja gala e Çmimeve Kult

TIRANE- Një natë për të gjithë artistët do të jetë ajo e 31 tetorit. Pallati i Kongreseve pret natën finale të Çmimeve Kult 2011 me prezantimin e dy aktorëve të njohur, Artan Imami e Ener Petrovci. Mbrëmja gala do na njohë me emrat e fituesve, por nuk do të mungojnë të ftuarit specialë dhe surpriza të reja. Këtë vit, Çmimet Kult do të shtrojnë tapetin e kuq ku do të shihni më të shndritëm se kurrë të gjithë triumfatorët e artit shqiptar duke i shtuar edhe më shumë prestigjin këtij eventi madhështor, i denjë për t'u barazuar me festivalet më prestigjiozë në botë. Mbrëmja Gala do të jetë kurorëzimi i artistëve më të mirë nën shkëlqimin e një nate magjike.
Sivjet, Akademia Kult sjell për të shtatin vit radhazi të vetmet çmime kulturore kombëtare vjetore. Një aktivitet tashmë i kthyer në traditë sjell në konkurrim artistët më të mirë të artit dhe kulturës shqiptare. Edicioni i shtatë sjell në garë 48 artistë, të cilët konkurrojnë në 12 fusha: Artisti Pamor i Vitit, Regjisori i Vitit, Dokumentari i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Instrumentisti i Vitit, Balerini i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit, Albumi Muzikor i Vitit, Libri Artistik, Libri Studimor, Përkthimi i Vitit. Çmimet për artistët më të mirë të vitit janë rezultat i punës 1-vjeçare të gazetarëve të revistës "Kult", revista e vetme kulturore në vend, e cila mund të quhet me të drejtë një promotor i ideve, koncepteve dhe ngjarjeve në fushën e artit dhe kulturës. Duke qenë një përçues i denjë i ideve dhe koncepteve të reja, duke pasqyruar saktësisht elementët e traditës me veçoritë e reja që zënë vend në jetën artistike, Akademia Kult vëren me kënaqësi se këtë vit, kandidatët garues janë të moshave të ndryshme, çka nënkupton një fillesë artistike që premton vazhdimësinë e brezit me pjekuri dhe eksperiencë artistike. Edicioni i shtatë i Çmimeve Kult 2011 është vazhdimësia e sistemit të vlerave që mbështet dhe stimulon artistët shqiptarë duke i vlerësuar për prurjet më cilësore përgjatë një viti. Këtë vit rikthehen pas disa edicionesh mungesë çmimi për Balerinin e Vitit dhe Dokumentarin e Vitit. Kjo pasi të dyja këto kategori në vitin e kaluar kanë pasur prurje të qenësishme. Akademia Kult i mbetet besnike idesë se ndërtimi i sistemit të vlerave dhe referencave përbën pikën nevralgjike të zhvillimit të artit dhe kulturës shqiptare. Pas një pune 1-vjeçare të revistës "Kult", si e vetmja revistë informative kulturore në vend, e cila ruan në database-n e saj të gjitha ngjarjet kulturore të zhvilluara përgjatë një viti, vjen puna përzgjedhëse e jurisë. Katër juritë, të organizuara nga Akademia Kult, përkatësisht juria e Artit Skenik, Artit Pamor, Librit, Muzikës, pas një pune disa mujore, kanë nxjerrë 4 të nominuarit për secilën fushë. Tashmë këta artistë kandidatë janë futur në fazën e dytë, ku u duhet të përballen drejtpërdrejt me publikun.
Pretendentet
ë nominuarit
në 12 fusha të artit

Artisti Pamor i Vitit
Ledia Kostandini - ekspozitë e përbashkët "Ardhje 2010" - Galeri "Zeta"
Lekë Tasi - ekspozitë personale pikture me kompozime - Galeri "DidArt"
Pashk Përvathi - ekspozitë personale pikture - Galeria Kombëtare e Arteve
Stefan Taçi - ekspozitë personale pikture "Na ishte njëherë Tirana (1973-2010)" - Galeri "Kledio"

Interpretuesi lirik i vitit
Armando Likaj (Hofman) - "Përrallat e Hofmanit"
Inva Mula (Olimpia, Antonia, Xhuljeta) - "Përrallat e Hofmanit"
Mariana Leka (Desdemona)- "Otello"
Vikena Kamenica (Nicklausse, Muse) - "Përrallat e Hofmanit"

Instrumentisti i Vitit
Kuintet me kitarë+violinë+violë+violonçel
Admir Doçi (kitarë), Blerta Ristani Jakova (violinë), Jadvina Vani (violinë), Albana Kola (violë), Aristidh Prosi (violonçel) - koncert me pjesë nga Mario Castelnuovo -Tedessco, Franz Schubert etj. Tirana
Elda Laro (piano) - koncert recital me muzikë të Bahut, Beethovenit, Fieldit dhe Shopenit
Kristina (Petrollari) Laço (piano) - koncert me orkestrën e RTSH-së me pjesë nga I.Tchaikovsky: "Koncert për piano Nr. 1 në si bemol"
Mialtin Zhezha (violinë & violë) - koncert recital

ALBUMI MUZIKOR I VITIT
Blero - "Tara"
Endri dhe Stefi, Vëllezërit Korçarë - "Dua të më tregosh"
Irma Libohova - "Pranga Malli"
Shpat Deda - "Molla e parë"

Aktorja e vitit
Eftiola Laçka (Thjeshtra) - "Gjashtë personazhe kërkojnë autor"
Klodjana Keco (Ana Kristi) - "Ana Kristi"
Luli Bitri (Roboti Kloe) - "Më e vërtetë se e vërteta", një robot për dashurinë
Sanije Hoti (Doktor Adhamudhi) - "Pas vdekjes"

Regjia e Vitit
Hervin Çuli - "Pas vdekjes"
Mehmet Xhelili - "Gjashtë personazhe kërkojnë autor"
Rozina Kostani - "Më e vërtetë se e vërteta", një robot për dashurinë
Stefan Çapaliku - "Birrë, gozhdë dhe sapun"

Aktori i vitit
Bujar Asqeriu (Doktor Gurameto) - "Darka e gabuar"
Fatos Sela (Babai) - "Gjashtë personazhe kërkojnë autor"
Lulzim Zeqja (Kristi) - "Playboy i trojeve tona"
Neritan Liçaj (Francesco) - "Më e vërtetë se e vërteta", një robot për dashurinë

Balerini i vitit
Elton Cefa - "Parfumi"
Ervis Nallbani - "Carmen"
Greta Hushi - "Arrëthyesi"
Ledia Sulaj - "Arrëthyesi"

Filmi dokumentar
Kujtim Gjonaj - "Ëndrra e Çamërisë"
Donika Mustafaj - "Fëmijëria peng dhe fëmijëria e humbur"
Ëngjëll Ndocaj - "Një papë shqiptar"
Ylli Drishti - "Taso"

Libri Studimor dhe Enciklopedik
Artan Fuga - "Monolog: mediat dhe propaganda totalitare"
Aurel Plasari - "Skënderbeu: një histori politike"
Pëllumb Xhufi - "Shekulli i Voskopojës: (1669-1769)"
Sabri Hamiti - "Poetika shqipe"

Libri Artistik
Albana Shala - "Parajsa është e portokalltë" - poezi
Lindita Arapi - "Vajzat me çelës në qafë" - roman
Preç Zogaj - "Nuk ndodh asgjë veç dashurisë..." - poezi
Rudi Erebara - "Vezët e Thëllëzave" - roman

PERKTHIMI
Ardian Klosi/Kafka - "Vepra e plotë në prozën e shkurtër" - tregime
Bajram Karabolli/ Mario Vargas Llosa - "Festa e Cjapit" - roman
Jonila Godole/ Rainer Maria Rilke - "Elegji Duine" - poemë
Saverina Pasho/ Michel Houellebecq - "Ishulli i mundshëm" - roman

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›