E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në administratë, kursehen 150 milionë lekë nga rrogat

SHKRUAN: Blerina Hoxha 22-11-2011 17:09

Ministria e Financave ka llogaritur që nga kjo reformë në administratën publike t’i kursehen buxhetit të shtetit rreth 150 milionë lekë vetëm në vitin e parë të aplikimit të saj, që është viti i ardhshëm.

Organigrama e re e qeverisë, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit 2012, pritet t’i kursejë Ministrisë së Financave nga fondi i pagave për personelin rreth 150 milionë lekë ose rreth 1 milion euro. Ligji i ri për kriteret e funksionimit të administratës është miratuar në mesin e këtij viti, por implementimi do të kryhet në vitin 2012. Ministria e Financave ka llogaritur që nga kjo reformë, buxhetit të shtetit t’i kursehen rreth 150 milionë lekë vetëm në vitin e parë të aplikimit të saj. Burimet në Ministrinë e Financave bëjnë të ditur se Departamenti i Administratës Publike është duke rishikuar strukturën e re të qeverisë në përputhje me ligjin e ri, që parashikon një mënyrë krejt të re funksionimi të punonjësve të shtetit dhe për rrjedhojë edhe ekonomizimin e shpenzimeve të personelit. Burimet nga Ministria e Financave, e cila ka udhëhequr grupin e punës për këtë reformë, shpjegojnë se një nga qëllimet themelore është mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe pastrimi i strukturave parazite. Sipas planit të financave, administrata publike do të pastrohet nga punonjësit me masa administrative dhe se do rishikohen të gjitha strukturat. Efekti financiar në buxhet sipas tyre, do të jetë gati në fillim të vitit buxhetor 2012, atëherë kur nis edhe implementimi i strukturës së re. Për këtë qëllim, prej më shumë së një viti është ngritur një grup pune me përfaqësi nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi i Administratës Civile. Ky grup ka hetuar të gjithë strukturën e administratës, për të verifikuar pagat në raport në pozicionet e punës etj. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Një nga propozimet e grupit të punës për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, e cila është aplikuar për herë të parë në ligjin e buxhetit të vitit 2011. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione etj., kostoja e personelit i është nënshtruar një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Të njëjtat burime pohojnë se kostot për paga dhe pensione në buxhet janë të larta tashmë. Duke qenë se reforma e pensioneve kërkon kohë, reforma në administratën publike është totalisht në dorën e qeverisë dhe do të jetë aktive në buxhetin e vitit 2012. Në projektbuxhetin e vitit 2012 janë programuar të shkurtohen rreth 1300 vende punë në administratë, shumica e të cilave janë në sektorin e ushtrisë. Mirëpo këto shkurtime lidhen më shumë me reformën në sektorin e mbrojtjes, për shkak të detyrimeve të anëtarësimit në NATO, sesa në implementimin e reformës së re të administratës.

Kostoja e personelit i është nënshtruar një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Të njëjtat burime pohojnë se kostot për paga dhe pensione në buxhet janë të larta tashmë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›