Energjetika, gati tenderin për HEC-et në Vjosë dhe Osum
Shumë shpejt qeveria do të lançojë tendera ndërkombëtarë për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosë, me kapacitet instalues rreth 350 megavat, si dhe në lumin Osum, me kapacitet instalues rreth 100 megavat. Lajmin e dha dje ministri i Energjetikës dhe Ekonomisë, Nasip Naço, në Forumin e Detit të Zi që po mbahet këto ditë në Tiranë. Duke prezantuar potencialet energjetike të Shqipërisë para 300 biznesmenëve, Naço tha se qeveria është në një fazë të rëndësishme të procesit të privatizimit të katër HEC-eve dhe shumë shpejt do të hapet një ankand ndërkombëtar për shitjen e tyre, rreth 80 megavat. Qeveria shqiptare ka adaptuar së fundmi ligje të rëndësishme që mbrojnë dhe stimulojnë investimet e huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, kryesisht në projekte koncesionare. Kështu, sektori i energjisë është një ndër sektorët më atraktivë për investimet e huaja. Shumë kompani të huaja kanë filluar apo pritet të fillojnë investimet e tyre në fushën e prodhimit të energjisë elektrike. “Një projekt shumë i rëndësishëm po realizohet nga konsorciumi Starkraft EVN, që parashikon ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, investime që arrijnë në vlerën e 940 milionë eurove dhe me një fuqi instaluese rreth 350 megavat”, - bëri të ditur ministri i Energjetikës. Gjithashtu, kompanitë austriake EVN dhe Verbund po vazhdojnë punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, me fuqi të instaluar rreth 50 megavat, një investim rreth 170 milionë eurosh. Deri tani qeveria shqiptare ka dhënë rreth 107 koncesione për ndërtimin e rreth 310 hidrocentraleve të vogla dhe të mesme, që do të rrisin kapacitetet gjeneruese të energjisë në 1300 megavat. Nga ana tjetër, me synimin e diversifikimit të resurseve energjetike, ne kemi dhënë mbi 12 licenca për ndërtimin e parqeve eolike, me kapacitet instaluese rreth 1500 megavat dhe me një vlerë mbi 2 miliardë euro, dhe po inkurajojmë projekte në energjinë solare, biomasë etj. Mirëpo, ndërkohë që projektet për investimet në energjetikë duken mbresëlënëse, vendi është në prag të një krize energjetike për shkak se rezervat në kaskadën e Drinit tashmë janë drejt shterimit të plotë.