E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ditë leje nga burgu, ka shkuar 150 euro

Përshëndetje stafi i gazetës "Shekulli"! Përshëndetje edhe për gjithë lexuesit e kësaj gazete! Jam i dënuar në burgun e Lezhës, quhem Florian Çupi. Kam rreth 10 vjet që ndodhem brenda këtyre mureve duke kërkuar drejtësi, por të kërkosh drejtësi tek ne, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. 5 herë e ka prishur vendimin gjykata e lartë për mungesë provash dhe faktesh dhe përsëri nuk i është dhënë zgjidhje problemit tim. Dhe cila është përgjigja që më japin?! "Ke bërë burg shumë tashmë - thonë,- nuk ta japim dot pafajësinë, se s'mund të lëmë vendin e punës për ty...". Po ç'borxh kam unë vallë? Ju kam sjellë të gjitha provat që vërtetojnë pafajësinë time; të gjithë dëshmitarët vërtetojnë pafajësinë time. Unë jam i bindur se do e nxjerr të drejtën time jashtë institucioneve shqiptare, por më vjen keq, se më mohuan vitet më të bukura të jetës sime padrejtësisht! Më vjen keq, që më cilësuan "vrasës" pa qenë i tillë! Drejtësia në Shqipëri, është Drejtësi apo Biznes? Ekziston e drejta e lirimit me kusht, për të dënuarit që kanë kryer ¾ e dënimit, por këtë e përfitojnë vetëm ata që e paguajnë. Ekziston një ligj që u fal 3 muaj për çdo vit, të dënuarve që kanë sjellje të mirë në burg, por edhe këta 3 muaj merren vetëm duke i blerë me lekë. U dha një amnisti nga Parlamenti shqiptar në Janar 2007 dhe që ta përfitosh këtë amnisti për veprat që i ka përfshirë amnistia, kuptohet, duhet të bësh kërkesë në gjykatë dhe për të përfituar duhet të paguash përsëri. Ekziston e drejta për leje për të dënuarit që kanë kryer më shumë se 2/3 e dënimit, por shteti ynë "demokratik" ka frikë në aftësitë e veta dhe nuk i aplikon këto leje...
Edhe ndonjë leje e rrallë, që mund të jepet sa për t'ju hedhur hi syve institucioneve që interesohen për të drejtat e njeriut. Në burg e dinë të gjithë, që çdo ditë leje paguhet me 100-150 Euro. Nuk po flas këtu për dhunën, që është evidente në burgjet shqiptare, për mungesën e kushteve minimale, për shërbimin shëndetësor dhe stomatologjik etj. Nuk i nxë gazeta të gjitha...
Prandaj i bëj thirrje publike Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, të gjitha institucioneve: Saktësoni mirë të drejtat tona dhe na i jepni ato që na takojnë e mos na i shisni. Është shumë e lehtë të nëpërkëmbësh një njeri të lidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›