Reforma në shëndetësi, spitalet me buxhet të vetëmenaxhuar
Spitalet rajonale në Shqipëri do të vetëmenaxhojnë fondet e tyre dhe nuk do të jetë Ministria e Shëndetësisë që do të përcaktojë prioritetet e këtyre spitaleve. Për më tepër, edhe financimi do të kryhet në bazë konkurrence dhe jo më në sajë të numrit të personelit e shtretërve që ka çdo spital. Kjo është deklaruar dje nga ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, gjatë konferencës për sëmundjet virale të kryer në mjediset e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë.
Vetëmenaxhimi
Gjatë kësaj konference, ministrja deklaroi se spitalet rajonale do të kthehen në “njësitë bazë” të sistemit shëndetësor, pasi do të marrin më shumë kompetenca dhe fonde si nga Ministria e Shëndetësisë, ashtu edhe nga spitalet më të vogla, të cilat ushtrojnë aktivitetin pranë tyre. “Do të kemi një decentralizim të fondeve dhe kompetencave drejt spitaleve rajonale nga qendra dhe në të njëjtën kohë do të kemi një centralizim të kompetencave, të fondeve të spitaleve të vogla drejt rajoneve”, – deklaroi ministrja e Shëndetësisë, duke vijuar se kontrolli që do të ushtrohet mbi këto spitale do të jetë më i rreptë, në mënyrë që jo vetëm të sigurohet cilësia e shërbimit, por edhe të mënjanohet abuzimi me fondet dhe kompetencat.
Duke iu referuar mjekëve dhe spitaleve, ministrja Godo tha se “ne duhet t'i ndihmojmë ata në atë që quhet standardizim, të paktën në nivel të 12 spitaleve rajonale, në mënyrë që ata të jenë të aftë të krijojnë kapacitetet e duhura për të menaxhuar mirë buxhetin dhe për të drejtuar mirë aktivitetet e tyre”.
Kontrolli
Ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, vendosi theksin tek kontrolli që duhet t’u ushtrohet të gjitha institucioneve që janë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, duke deklaruar se kjo është e vetmja mënyrë që do të garantojë suksesin e kësaj reforme. Për më tepër, ajo deklaroi se duhet që paraprakisht të përgatiten protokollet e çdo akti diagnostiko, në mënyrë që të parapërcaktohet kostoja e një shërbimi të caktuar e si pasojë të veprohet në bazë të kostove dhe shërbimeve reale.
“Që të bësh një menaxhim të mirë (kjo do të bëhet me supervizionin e fortë të strukturave ministrore, por do të jetë i kontrolluar dhe nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor), do të thotë që ne e kemi për detyrë me specialistët, të përgatisim protokollet e detajuara për çdo akt diagnostik dhe terapeutik, duke arritur në një kosto të çdo shërbimi që ne i ofrojmë qytetarit dhe ky kostifikim do t'u relatohet spitaleve të rajoneve”, – deklaroi ministrja. “Ne do të përgatisim këto protokolle diagnostike dhe terapeutike, mbi të cilat strukturat e veçanta do të bëjnë kostifikimin e shërbimit dhe kjo do t'u jepet kolegëve tanë nëpër rrethe”.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Godo tha se “reforma spitalore kërkon që jo vetëm të hartohen këto protokolle, por spitaleve rajonale do t'u jepen më shumë fuqi kompetencë”. Ideja e decentralizimit të sistemit shëndetësor dhe fuqizimit të rolit të spitaleve të mëdha rajonale është hedhur prej vitesh në vendin tonë. Por, për herë të parë një formë decentralizimi u provua vetëm në Spitalin Rajonal të Durrësit gjatë vitit të kaluar, i cili rezultoi pozitiv, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Tashmë, pritet që ky projekt të shtrihet në rang kombëtar.