E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, masa e pagesës për çdo kategori



ISSH: Pagesat për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe përfitimet që rrjedhin prej tyre

Zbardhet masa e pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore për të gjitha kategoritë që kërkojnë të përfitojnë pension. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore sqarojnë në lidhje me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave mbi ndryshimet e bëra në ligjin “Për sigurimet shoqërore” në vendin tonë. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, z. Naim Balluku, në një intervistë për “standard” jep më shumë detaje mbi ndryshimet në masën e pagesave dhe kategoritë që preken prej tij.

“Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore është e bazuar në ligj, përmes së cilit përcaktohet se personat e punësuar dhe punëdhënësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për ato përfitime që ofrohen nga ky ligj”, - shprehet Balluku.

Bazuar në ndryshimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave, gazeta “standard” jep në mënyrë të detajuar detyrimin për të paguar kontributet për sigurimet shoqërore, për subjektet që kanë aktivitet ekonomik, duke bërë specifikimet e nevojshme sipas klasifikimit të aktivitetit ekonomik, kohëzgjatjes së punës, kategorive të punonjësve, si dhe nivelet e pagave, për efekt pagese të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

A është e detyruar të sigurohet dhe të paguajë kontribute për sigurimet shoqërore çdo kategori punonjësish?

Realisht, ka disa kategori punonjësish që duhet të paguajnë masën e kontributeve. Të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë, të plotë ose të pjesshme, për më shumë se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrë lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurimin shëndetësor.

Të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për barrë lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe në sigurimin shëndetësor.

Të punësuarit me kontratë pune, me afat më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivelin minimal, për aksidente në punë, sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor.

Pronarët e personave juridikë, që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët si të punësuar pranë shoqërisë, sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për sëmundje, barrë lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor.

Personat fizikë, të vetëpunësuar, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, pavarësisht nga kohëzgjatja e saj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrë lindje, pensione dhe sigurim shëndetësor.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pension, sipas nenit 92, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur:

- nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në të njëjtin nën qark, ku kanë tokën, në pronësi ose në përdorim dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrë lindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.

- nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në fshat dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë, në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në nën qarkun fqinj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrë lindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.

Pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të vetë punësuarin, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivel minimal, për barrë lindje, për pensione dhe sigurim shëndetësor.

Personat mbi 16 vjeç, që punojnë në ndërtime të ulëta vetjake, sipas përcaktimeve në paragrafin e fundit të nenit 20, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “ Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për të cilat jepet leje nga komuna ose bashkia, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për sëmundje, barrë lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor.

Përveç rasteve që ju përmendët më sipër, a mund të sigurohen për sigurimet shoqërore dhe kategori të tjera personash?

Patjetër që po. Në to përfshihen edhe personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, të cilët paguajnë kontribut të detyrueshëm vetëm për sigurimin shëndetësor.

Nxënësit e shkollave, të mesme apo profesionale, dhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore, të cilët sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë, për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet subjektit dhe institucionit përgjegjës.

Kush mund të përjashtohet nga sigurimi i detyrueshëm dhe në cilat raste ndodh kjo?

Nga mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm përjashtohen shtetasit e huaj që punojnë në subjekte, të cilat, në bazë të një marrëveshjeje, nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare. Pjesëtarë të subjekteve të huaja, që nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare, të cilët vijnë në Shqipëri të punojnë në një punë apo shërbim të caktuar, sipas një kontrate shërbimi, të lidhur me një subjekt të regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili nuk është degë apo njësi e subjektit kontraktor.

Me rezidencë të përhershme jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët kanë veprimtari të regjistruara në emrin e tyre, në të dyja shtetet, do të jenë subjekt i mbrojtjes dhe sigurimit të detyrueshëm, në atë vend, ku kanë rezidencën, vetëm nëse shteti i tyre ka një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me shtetin shqiptar.

Që janë të përjashtuar nga pagimi i kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, në Shqipëri, në bazë të një marrëveshjeje, të lidhur me shtetin shqiptar.

Ka një konfuzion më se të dukshëm kur vjen puna e llogaritjes se sa është masa e mbajtur për sigurimet shoqërore dhe se çfarë nuk përfshihet në pagën bruto. Si mund ta sqaroni këtë pikë?

Kontributet e sigurimeve shoqërore paguhen sipas përqindjeve të caktuara mbi pagën bruto për çdo të siguruar.

Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune, dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listë-pagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.

Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nuk përfshihen përfitimet që punëmarrësi merr, në mënyrë të përhershme, nga fondet e sigurimeve shoqërore, kompensimet nga rritja e çmimeve, dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm.

Të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate. Vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë për personat e punësuar sipas legjislacionit në fuqi. Shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi. Shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, e për veprimtari të shquara. Vlera e shpenzimeve, për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit. Honorarët apo shpërblimet e tjera, të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.

Sa është niveli i pagave dhe përqindjet që aplikohen nga ISSH-ja për çdo kategori?

Për të punësuarit pagat mbi të cilat do të llogariten dhe do të paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore do të jenë me kufij pagash mujore prej 17 000 lekë për pagën minimale dhe 74 150 për pagën maksimale. Përqindjet mbi të cilën do të llogariten kontributet, janë në masën 32.9 për qind, së bashku me sigurimin shëndetësor, ku 21,7 për qind paguhen nga punëdhënësi dhe 11.2 paguan i punësuari.

Vetëm për sigurim shoqëror paguhet në 29,5 për qind, nga të cilat 20 për qind nga punëdhënësi dhe 9,5 për qind nga i punësuari.

Me këto pagesa të punësuarit sigurohen për të gjitha llojet e pensioneve (pleqërie, invaliditeti, familjare), për sëmundje, leje lindje, sigurim nga aksidentet dhe sëmundjet profesionale, sigurim papunësie dhe sigurim shëndetësor.

Për të vetëpunësuarit në qytet, paga mujore mbi të cilën do të llogariten dhe do të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore është 14 830 lekë. Përqindja e pagesës nuk ndryshon, që aktualisht është 33.2 për qind e pagës, së bashku me sigurimin shëndetësor.

Vetëm për sigurimet shoqërore paguhen gjithsej 26,2 për qind, ndërsa 7 për qind paguhen për sigurim shëndetësor. Me këto pagesa të vetëpunësuarit në qytet përfitojnë të gjitha llojet e pensioneve (pleqërie, invaliditeti, familjar), leje lindje dhe sigurim shëndetësor.

Të vetëpunësuar në fshat (fermerë). Aktualisht, masa e kontributit vjetor është për zonat fushore 12 000 lekë dhe zonat malore 7 800 lekë. Masa vjetore e kontributit për sigurimin shëndetësor aktualisht është për zonat fushore 3 360 lekë dhe për zonat malore 2 016 lekë. Përfshihen në zonat malore të vetëpunësuarit në bujqësi që ushtrojnë aktivitet bujqësor e blegtoral dhe banojnë në rrethet: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.

Me këto pagesa fermerët e siguruar përfitojnë të gjitha llojet e pensioneve (pleqërie, invaliditeti, familjare), leje lindje për gratë dhe sigurim shëndetësor.

Për të vetëpunësuarit në veprimtari ambulante, masa mujore e kontributit është 1000 lekë.

Me këtë pagesë të vetëpunësuarit në veprimtari ambulante përfitojnë të gjitha llojet e pensioneve (pleqërie, invaliditeti dhe familjare).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›