Ku gjendet vitamina B1 dhe cilat janë vlerat e saj
Kjo vitaminë është e pazëvendësueshme për funksionin e sistemit nervor. Në qoftë se për 14 ditë nuk merret vitamina B1 në organizëm, atëherë harxhohen 50% rezervat e tij trupore
Vitamina B1 ose ndryshe me emrin kimik Tiamina, është një vitaminë e pangjyrë (apo e bardhë) me formulë kimike C12H17N4OS. Tretet në ujë dhe nuk mund të tretet në alkool. Tiaminat, në qoftë se nxehen, e humbin funksionin.
Kjo vitaminë është e pazëvendësueshme për funksionin e sistemit nervor. Në qoftë se për 14 ditë nuk merret vitamina B1 në organizëm, atëherë harxhohen 50% rezervat e tij trupore. Sipas anglezëve, për herë të parë kjo vitaminë u zbulua nga Umetaro Suzuki në Japoni, pasi ai studioi se si orizi i paqëruar i shëroi pacientët me sëmundjen Beri-Beri. Për këtë ai e emëroi atë acidi aberik.
Vetitë. Masa molare: 337,27 g/mol. Gjendja agregate: e fortë (e ngurtë). Pika e shkrirjes: 248 °C. Tretet në ujë
Roli biologjik
Tiaminë-pirofosfati ose vitamina B1 është një koenzimë e dehidrogjenazës së piruvatit, dehidrogjenazës së α-ketoglutaratit dhe e transketolazës. Kjo d.m.th. se kjo vitaminë ka një rol të rëndësishëm në metabolizmin e karbohidrateve dhe yndyrave dhe më këtë në mirëmbajtjen e indit nervor, muskulit të zemrës dhe në transmetimin e përçimit të nervave.
Si difosfat i tiaminës (koenzimë i dekarboksilazave dhe i transketolazës) punon në eliminimin e karbohidrateve në tru dhe në muskuj. Po ashtu, nga kjo vitaminë varen edhe kondicioni trupor dhe kujtesa. Forcon qarkullimin e gjakut dhe është e nevojshme për prodhimin e acidit të lukthit. Ka rëndësi në shndërrimin e karbohidrateve në yndyra dhe d.m.th. në fitimin e energjisë nga karbohidratet (pasi që është koenzimë e dehidrogjenazës së piruvatit, një kompleks enzimash, i cili e shndërron piruvatin në acetil-CoA).
Nevoja trupore
Nevoja për vitaminën B1 e trupit të njeriut paraqitet si nevojë për shpërbërjen e hidro-karbonateve dhe alkoolit dhe sasia mesatare ditore për meshkuj është 1,3mg, për femra 1mg dhe për shtatzënat 1,2mg. Në rast të punës së rëndë fizike, zjarrmisë, paraqitet nevoja e rritjes së dozës.
Shenja të zakonshme të mangësisë së vitaminës B1 janë kokëdhembjet, mungesa e oreksit, dhimbjet e barkut, pengesa gjatë jashtëqitjes (kaps) dhe çrregullime në kujtesë dhe koncentrik.
Teprica të vitaminës B1 në trupin e njeriut mund të shkaktohen vetëm nëpërmjet marrjes së barnave. Shenjë e tepricës së vitaminës B1 është reagimi i ndjeshëm i nervave.
Hipovitaminoza – Pasojat e mungesës së Vitaminës B1
Mungesa e përgjithshme e tiaminës në organizëm mund të dërgojë në probleme të panumërta, duke përfshirë këtu degjenerimin e neuroneve dhe në raste të rënda, mund të çojë deri te vdekja.
Mungesa e tiaminës mund të vijë për shkak të ushqimit të mangët, dietave me produkte të pasura me tiaminazë (enzimë që bënë shpërbërjen e kësaj vitamine) siç janë peshku i pazier i ujit të pastër, gaforret e freskëta të paziera etj. Po ashtu dhe konsumimi i prodhimeve me përbërje të lartë të faktorëve kundërtiaminikë (çaji, kafeja, arrat “Areca catechu”) mund të shkaktojnë mangësi vitaminoze.
Sindroma të njohura të shkaktuara nga mungesa e vitaminës B1 përfshijnë sindromën Wernicke-Korsakoff dhe Beri-Berin, sëmundje këto që janë shumë të shpeshta te personat me shpërdorim dhe konsumim kronik të alkoolit.
Sëmundja Beri-Beri
Kjo sëmundje u paraqit kur njerëzit filluan të bëjnë fërkimin e orizit duke ia larguar kështu lëvoren e pasur me vitamina. Në Evropë ajo u bë prezente kur mielli u blua aq imtë, sa që u zhduk fidani i pasur me vitamina i grurit dhe kështu nuk mund të merrej më kjo vitaminë nëpërmes bukës.
Po ashtu çdo shijim i sheqerit industrial gjatë tretjes së tij harxhon shumë vitaminë B1, fakt që edhe më shumë mund të keqësojë mungesën e kësaj vitamine.
Beri-Beri paraqitet shpesh në vendet e Azisë Lindore dhe në Japoni, ku orizi është prodhimi kryesor i ushqimit. Po ashtu edhe në vendet e pazhvilluara është ende shumë e shpeshtë. Në vendet industriale e gjejmë këtë sëmundje në të shumtën e rasteve si pasojë të alkoolizmit ose ushqimit të gabuar.
Simptomat e Beri-Berit janë: pengesat neurologjike, atrofia e muskujve, insuficienca e zemrës.
Sëmundjet gjenetike
Sëmundjet gjenetike të transportit të vitaminës B1 janë të rralla, por shumë serioze. Mund të shkaktohen si pasojë e mutacionit autozomal recesiv në gjenin SLC19A2, që bën kodimin e një proteine transporti me afinitet të lartë të tiaminës. Këto sëmundje përfshijnë anemi megaloblastike me sëmundje të sheqerit (diabetes mellitus) dhe pengesa në sistemin sensoro-neuronal.
Hipervitaminoza - Pasojat e mbi dozimit
Te dozat mbi 200mg reagojnë p.sh. nervat me ndjeshmëri të madhe ndaj ngacmimeve nervore.
Rastet e vetme të dozimit të tepruar të vitaminës B1 kanë ndodhur me rastin e injeksionit intravenoz të kësaj vitamine. Këto raste mund të rezultojnë deri në reaksione trupore të rënda alergjike anafilaktike.
Ku gjendet vitamina B1
Radhitur sipas sasisë më të madhe të vitaminës B1 në prodhime ushqimore.
Në 100 g fidanë gruri - 2mg
Në 100 g fasule të sojës - 1mg
Në 100 g mish derri - 0,90mg
Në 100 g bizele - 0,76mg
Në 100 g mish viçi - 0,60mg
Në 100 g fasule të bardha - 0,50mg
Në 100 g mish pule - 0,10mg
Në 100 g patate – 0,10mg
Po ashtu në sasi të ndryshme gjendet edhe në majanë e birrës dhe produktet e drithërave
Simptoma të hipovitaminozës
Pengesa të metabolizmit të karbohidrateve dhe të sistemit nervor
Depresione dhe tensionim
Lodhja, humbja e apetitit, dobësi koncentrimi, atrofia e muskujve
Pagjakësia - Anemia
Dhembje koke të shpeshtuara
Pengesa në kujtesë, hutim
Dështimi i punës së zemrës
Edeme, shtypje e ulët e gjakut
Frymëmarrje e shkurtuar
Prodhimi i ulur i antitrupave gjatë infeksioneve
Muskuj të dobësuar (sidomos ata të pulpës së këmbës)
Sëmundja: Beri-Beri