Reforma parlamentare, Gjana: Diskutimet e lira, sërish në fund të seancës
Krahas punës së komisionit të Reformës Zgjedhore, opozita ka përqendruar vëmendjen edhe tek reforma parlamentare. Por ndryshe nga socialistët, të cilët kërkojnë një reformë rrënjësore lidhur me funksionimin e Kuvendit, demokratët janë të prirur të bëjnë kujdes për të mos ndërhyrë pa qenë e nevojshme në Rregulloren e Kuvendit. Lidhur me këtë çështje, deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, që është edhe anëtar i këtij komisioni, është shprehur se mbi të gjitha është e rëndësishme që reforma parlamentare të jetë e plotë, por duke shtuar më tej se nuk ka arsye për t’u shpejtuar në këtë drejtim. Duke e parë si jo të domosdoshëm përshpejtimin e kryerjes së reformës parlamentare brenda afateve, Gjana theksoi se Rregullorja aktuale e cila është e miratuar në 2004, është e standardeve europiane. “Unë nuk e shoh një çështje të ngutshme reformën parlamentare. Ne kemi shprehur edhe si pjesë e mazhorancës qëndrimin që më e rëndësishme sesa përmbyllja brenda afatit të tre-katër muajve, e rëndësishme është që vërtet të përfshijmë në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë ato elemente, të cilat të mos e shndërrojnë atë në pjesë debati, kryesisht në seancat parlamentare, funksionimin e Kuvendit, punën e komisioneve të Kuvendit në kushtet e një debati thellësisht të politizuar, por të jetë më tepër racional”, - tha Gjana. Ndërkohë, ai thekson se nuk ka dallime të theksuara për sa iu përket pikëpamjeve që kanë shprehur mazhoranca dhe opozita. “Çështja e punës, e rregullores së funksionimit të Kuvendit, do të përmirësohet për të mos u shndërruar më në çështje të tilla”, - tha Gjana. Duke komentuar më tej reformën parlamentare, ai u ndal tek zhvendosja e 60-minutëshit në fund të rendit të ditës, hap të cilin mazhoranca e mori një vit më parë, në mënyrë që të mos bllokoheshin seancat parlamentare nga opozita. “Janë disa çështje që ndoshta kanë nevojë për t’u parë, por janë dhe disa çështje që janë tejkaluar, si çështja e 60-minutëshit, e cila është një çështje principale që do të zgjidhet. Mund të ketë disa mënyra zgjidhjeje, zhvendosja e 60-minutëshit në Parlamentin shqiptar ka krijuar një diktat në pikëpamjen time, ka hequr nga puna seancat e pritjeve. Në këtë mënyrë të dyja palët kanë në dorë t’i bëjnë më konstruktive dhe më të frytshme punën dhe diskutimet e tyre”, - u shpreh Gjana. Ndërkohë, përveç pikave që kanë ngjallur debat, në Rregullore do të shikohen edhe pika të tjera që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën e deputetëve dhe komisioneve parlamentare, e parë kjo nga pikëpamja e mbështetjes me ekspertë dhe financim.