Ngjela: Raundet quhen kur ka 84 vota
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha dje në një prononcim për AS se raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit konsiderohet i tillë kur në Parlament marrin pjesë 84 deputetë. Sipas tij, për këtë precedent është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe kjo duhet të ndiqet edhe në Shqipëri. Në rast se do ta zgjedhin Presidentin me 71 vota parlamentare, pa bërë kuorumin me 84 në tre raundet paraprake, është grusht shteti. Opozita do ta pranojë grushtin e shtetit? Unë them se jo, shprehet Ngjela. Sipas tij, vendimi i Kushtetueses në vendin fqinj është i mjaftueshëm, aq sa opozita të mos i drejtohet Gjykatës. Nuk ka nevojë, se e ka zgjidhur Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Patjetër mund të jetë precedent për ne. Të gjitha gjykatat kushtetuese të Europës, që janë në një bashkim, janë precedentë. Aq më tepër, kjo ka marrë viston edhe të Strasburgut edhe të Venecias, që do të thotë se është zgjidhur kjo çështje. Ti, në rast se nuk ke në kuorum, prezentë prej 84 votash, nuk mund të ketë votim. Hapet në Parlament për të votuar një ligj që do 71 vota pa qenë 71 në sallë, jo. Atëherë pse të hapet për Presidentin, e pamundur, është pamundësi absolute, thotë Ngjela. Prej disa ditësh po zhvillohet debati juridik nëse një raund për zgjedhjen e Presidentit konsiderohet i tillë kur duhet të jenë 84 deputetë, apo 71.
Alibeaj: Presidenti zgjidhet në tri raunde
Për ish-ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës do të behet sipas Kushtetutës dhe brenda tri raundeve të para të votimit. Sipas deputetit demokrat, për këtë votim të kreu të ri të shtetit janë të mjaftueshme 71 votat e maxhorancës. Alibeaj gjatë një prononcimi për AS TV thotë se zgjedhja e kreut të ri të shtetit do të jetë më pak e mundimshme se ajo e Bamir Topit në 2007-n. Maksimumi do të jenë tri raunde, shpresojmë të mos përfundojë me keqardhje apo me qejfmbetje, deklaroi Alibeaj. Por tensioni që mund të prodhojë zgjedhja e kreut të ri të shtetit, sipas tij mund të përdoret si alibi e opozitës për të vonuar ose bllokuar reformën zgjedhore.
