AI: Myslimanët në Evropë janë të diskriminuar
Një raport i Amnesty International thotë se myslimanëve në vendet evropiane në vazhdimësi iu mohohen mundësitë e punësimit dhe të arsimimit, për shkak të diskriminimit të gjerë kulturor dhe fetar kundër tyre.
Raporti i quajtur Zgjidhja dhe Paragjykimi: Diskriminimi kundër myslimanëve në Evropë, shqyrton jetën e myslimanëve në Zvicër, Francë, Belgjikë, Spanjë dhe Holandë.
Në të thuhet se individët, të cilët mbajnë veshje specifike, si shamitë në kokë, apo simbole të tjera të lidhura me islamin, kanë më pak sukses në gjetjen e punës dhe në mundësitë e shkollimit për shkak të qasjes paragjykuese dhe mosndëshkimit ligjor në këto shtete evropiane.
Raporti dokumenton disa raste të diskriminimit dhe ngre çështjen e mjedisit ligjor, i cili lejon që praktikat e tilla të mos kontrollohen. Në raport janë vënë në pah problemet e mungesës së ligjeve, si në Zvicër, si dhe ligjet, që sipas Amnesty International, ndihmojnë institucionalizimin e stereotipeve, si ndalesat për veshjet e caktuara islamike.
Raporti, po ashtu, u hedh një vështrim shkollave publike evropiane dhe nxjerr përfundimin se edhe atje, ligjet kundër veshjeve islamike dëmtojnë myslimanët.
Vajzave, të cilave iu mohohet e drejta e mbajtjes së shamisë, më parë do të lënë shkollën sesa ti përmbahen ndalesës, vlerëson raporti.
Grupi i të drejtave të njeriut iu bën thirrje qeverive që ti zbatojnë ligjet ekzistuese të Bashkimit Evropian dhe të gjejnë rrugët për të kundërshtuar stereotipet negative myslimane, si dhe opinionin dominues.(rel)