E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim të plotë për incidentet në Maqedoni - Marrëdhëniet etnike të forcohen sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit

17-03-2012 / Gazeta 55

Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto takon homologun maqedonas, Nikolla Poposki

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto deklaroi dje në Shkup, gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij, Nikolla Poposki se Tirana mbetet në kërkesën për zbardhjen e të gjitha incidenteve të ndodhura së fundmi në Maqedoni, nga vrasjet dhe deri te dhuna e ushtruar ndaj nxënësve shqiptarë në Shkup nga grupe të maqedonasve.
Haxhinasto, vlerësoi se marrëdhëniet etnike në Maqedoni duhet të forcohen dhe zhvillohen sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është themelore për ekzistencën e shoqërisë dhe shtetit maqedon. Zbatimi i plotë i saj, e afron më shpejt Maqedoninë drejt Bashkimit Evropian. Për incidentet e kohëve të fundit në Maqedoni, dy ministrat u shprehën se ato nuk kanë prapavijë politike.
Ministri Haxhinasto theksoi se këto incidente nuk duhen lejuar të komprometojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit për trajtimin e këtyre ngjarjeve”, u shpreh ministri Haxhinasto, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki.
Për kryediplomatin shqiptar, Shqipëria dënon çdo lloj incidenti të cilat mund të cenojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve.
Lidhur me djegien e flamurit të Maqedonisë, ai tha se ka parë edhe se si digjet dhe flamuri shqiptar dhe konsideron se incidentet të tilla nuk duhet të ndodhin, sikurse ato gjithashtu nuk duhet t’i komprometojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, por duhet të dënohen, ndërsa fajtorët të nxirren para drejtësisë.
“Kërkuam nga të gjithë faktorët politik të tregojnë pjekuri, qetësi dhe mbështetje ndaj institucioneve, në mënyrë që të mund t’i zgjidhin këto probleme”, tha Haxhinasto.
Dy ministrat Haxhinasto dhe Poposki u ndalën dhe te perspektiva evropiane e dy vendeve. Haxhinasto tha se Shqipëria mbështet përparimin e Maqedonisë drejt integrimit në NATO dhe BE.
“Dëshirojmë ta shohim Maqedoninë të përparojë drejt integrimeve në NATO dhe BE. E njëjta ka të bëjë edhe me vendet nga rajoni, pa përjashtim, të cilat fillimisht duhet të integrohen ndërmjet tyre, e më pas edhe në këto organizata”, tha ai.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki ndau të njëjtin qëndrimin me kryediplomatin shqiptar, Haxhinasto si për dhunën e ditëve të fundit, ashtu edhe për progresin e dy vendeve.
“Cilido gjest, i cili synon prishjen bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në rajon dhe është ofendues për cilin do nga miqtë apo fqinjët tanë si në Maqedoni ashtu edhe në Shqipëri, duhet të dënohet dhe trajtohet në kuadër të institucioneve të sistemit. Kemi ardhmëri të përbashkët në kuadër të BE-së dhe NATO-s, ndajmë vlera të njëjta dhe ashtu duhet të trajtohen të gjitha gjestet të cilat dëshirojnë ta prishin këtë qëllim dhe ardhmëri të cilën dëshirojmë ta ndërtojmë”, tha Poposki.
Në takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, posaçërisht në pjesën e infrastrukturës, energjetikës, për rëndësinë e Korridorit 8.
Nga ana e Maqedonisë ishte kërkuar që të përshpejtohet hapja e vendkalimit kufitar Shepishtë - Trebishtë, ndërsa së shpejti pritet të ratifikohet në të dy vendet edhe marrëveshja për lëvizje të lirë me letërnjoftime.
Gjatë kësaj vizite në Maqedoni, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme zhvilloi takime me Presidentin e Republikës, Gjorgje Ivanov, kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, kryeministrin, Nikolla Gruevski, me zëvendëskryeministrat, Teuta Arifi dhe Musa Xhaferi, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Haxhinasto u takua edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe me nënkryetarët e PDSH-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›