Qershori i 2013-s do të përsërisë 22 marsin e 92-it
Të enjten më 22 mars, Partia Demokratike organizon një koncert madhështor në Tiranë, në përkujtim të fitores së zgjedhjeve të para pluraliste. Kreu i mazhorancës lançon projektin e anëtarësimeve të reja në PD, duke i ftuar të gjithë shqiptarët të japin kontribut për shndërrimin në realitet të Shqipërisë evropiane
Berisha: Nderim që 20 vjetori na gjen në pushtet, përgjegjësi më e madhe për 2013-n
Kreu i mazhorancës Sali Berisha thërriti dje në një mbledhje të posaçme kryetarët e Partisë Demokratike të degëve në rrethe, në prag të 20 vjetorit të fitores së kësaj force politike në zgjedhjet e para pluraliste në vend. Në fjalën e tij, krreu i PD-së vlerësoi arritjet e vendit nën qeverisjen e Partisë Demokratike dhe tha se ky përvjetor do të shndërrohet në festën më të madhe të shqiptarëve, ndërsa theksoi se 22 marsi do të jetë dita e anëtarësimeve të reja në Partinë Demokratike. Për kreun e mazhorancës, shqiptarët ia besuan 20 vjet më parë Partisë Demokratike pushtetin, pasi besuan në forcën dhe besimin e saj dhe këtë ai e bazon në faktin që sërish në këtë 20 vjetor forca që ai drejton është sërish në pushtet.
“Ky takim nuk do mund të kishte temë tjetër më të rëndësishme se 22 marsi, që këtë vit shënon 20 vjetorin e përmbysjes në Shqipëri, me votën e lirë të qytetarëve të saj, të regjimit më të egër, më çnjerëzor e barbar që kombi shqiptar njohu në tërë historinë e tij. Ky 20 vjetor është i një rëndësie të veçantë, sepse e festojmë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Asgjë nuk ka ndikuar më shumë, nga koha e pavarësisë deri më sot, në fatin e shqiptarëve, në jetën, dinjitetin e qenien e tyre, sesa përmbysja e diktaturës komuniste dhe fakti që sot e festojmë të lirë. Nuk do të ndalem të flas për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, por ajo ndau për shqiptarët epokën dhe regjimin e sistemit socialist të skllavërimit të njeriut, të shtetëzimit dhe bunkerizimit të tij e të vendit, me sistemin e lirisë e vlerave të përjetshme të qytetërimit perëndimor. Këto zhvillime, shqiptarët ia besuan 20 vjet më parë, Partisë Demokratike. Ata ishin masivisht faktor përcaktues të një ndryshimi epokal dhe e vendosën besimin e tyre tek forca e re politike që kishte vetëm një vit e themeluar, tek programi i saj. Këtë besim, ata ia dhanë kësaj force politike në mënyrë të përsëritur. Fakti që ky 20 vjetor e gjen Partinë Demokratike në pushtet përbën jo vetëm nderimin më të madh, besimin më të madh, por gjithashtu edhe detyrime e përgjegjësi më të mëdha e më të larta. Në këtë kontekst data 22 mars është ditë pushimi, por ne do ta shndërrojmë atë në ditën e festës më të bukur ndaj edhe kemi thirrur këtu për t’u angazhuar në të gjithë potencialet e seksioneve të degëve e nëndegëve që Tirana të përjetojë atë ditë, festën më të bukur në historinë e saj që nga marsi i viti 92”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria feston 20 vjetorin e demokracisë, si në nderim për të gjitha përpjekjet dhe arritjet e shqiptarëve, si një vend anëtar i NATO-s dhe që lëviz i lirë në mbarë Europën, të cilat përbëjnë garancinë më themelore të demokracisë.
“Nderim për të gjithë ata burra e gra që vendosën në 22 mars të viti ‘92 pranverën e parë të demokracisë në historinë e shqiptarëve. Do ta bëjmë këtë në nderimin më të madh të përpjekjeve të shqiptarëve, që ata kanë realizuar më shumë se çdo komb tjetër në këto vite. Asnjë komb nuk i ka realizuar atë që kanë realizuar shqiptarët, dëshmi kjo e asaj që ata kanë si njerëz të lirë. Do ta bëjmë këtë në nderim të arritjeve të mëdha të këtij vendi. Shqipëria feston 20 vjetorin e fitores së demokracisë si një vend anëtar i NATO-s, shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Europën me gjithë problemet, sakrificat dhe dhimbjet gjatë këtyre viteve ata i ngjitën me shpejtësi shkallët e zhvillimit”, tha ai.
Kreu i PD-së theksoi se në këto 20 vite shqiptarët kanë ecur më shpejt se çdo vend tjetër duke rritur të ardhurat për frymë mbi 25 herë, duke u shkëputur nga njëri prej vendeve të varfra dhe duke u renditur në vend me të ardhura të mesme e të larta, që sipas tij janë dëshmia më e shkëlqyer e vullnetit të hekurt të gjinisë krijuese të qytetarëve shqiptarë, për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre evropiane.
Me këtë rast Berisha ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të festojnë së bashku 20 vjetorin, siç tha ai, ditën e të ardhmes sonë. Ndërkaq, ky festim i 22 marsit 1992, i gjen demokratët një vit para zgjedhjeve parlamentare të radhës, ato të qershorit 2013-ë.
Në këtë sens, kreu i mazhorancës Berisha paralajmëroi nisjen e një fushate anëtarësimesh, ku sipas tij, 20 vjeçarët e kanë të parët të rezervuar ftesën.
“Nëse para 20 vitesh shqiptarët ishin mes dilemës së ekzistencës së tyre, sot ata kanë më shumë motive për t’iu bashkuar demokratëve”, theksoi kreu i PD-së.
“Ne jemi sot, këtu, si forcë në qeverisje, si forcë e fitores, para së gjithash, sepse në mënyrë konstante kemi qenë një parti e hapur, një parti tek e cila kanë mbështetur besimin dhe projektin e tyre politik, çdo vit, mijëra e mijëra qytetarë e qytetare, të rinj e të reja. Ata e kanë përqafuar si program të tyre, programin e kësaj force politike, e cila udhëhoqi vendin në anëtarësimin e tij në NATO, në reformat e gjithanshme që bënë të mundur heqjen e vizave, që bënë të mundur që ekonomia shqiptare, në periudhën më të stuhishme për ekonominë rajonale, europiane dhe botërore, të dëshmohet një ekonomi e qëndrueshme. Ajo udhëhoqi vendin në një kohë kur në mbarë Europën u shkurtuan në mënyrë të ndjeshme rrogat, pensionet, mbështetja ekonomike dhe u rrit ndjeshëm papunësia. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri. Rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë objektivi më fisnik, më njerëzor, i kësaj qeverie. Rroga mesatare që ishte rreth 220 dollarë, arriti në 520 dollarë. Pak kohë më parë, po lexoja një studim, i cili dëshmonte se edhe diferencën e madhe gjinore që ekzistonte në të ardhura në paga, e cila në shkallë vendi kalonte në 37 për qind, ne e kemi zbritur në vitin 2008, në 18 për qind. Unë ju garantoj se do të jetë akoma më e ulët. Të rejat e të rinjtë kanë më shumë motive për t’u bashkuar me ne. 20 vite më parë, të shumtë ishin ata që nuk besonin se Shqipëria mund të bëhej. E vërteta është që ajo kohë ishte hamletiane. Këto 20 vite i faktuan se Shqipëria mund të bëhet dhe mund të bëhet me vendosmërinë e shpejtësinë më të madhe dhe bëhet duke konsoliduar më shumë ligjin. Ndaj të trokasim ne, te qytetarët shqiptarë, t’u ofrojmë ftesën, dëshirën tonë. Kështu që nuk mund të gjenim më ditë më të bukur, moment historik më të goditur se këtë ditë për të lançuar projektin tonë të afrimit të shqiptarëve, të anëtarësimit të tyre në Partinë Demokratike, me vlerësimin më të madh për kontributin që ata japin e do japin për shndërrimin në realitet të Shqipërisë evropiane të kësaj force politike”, tha ai. Gjithçka do të jetë në funksion të asaj që lideri demokrat e beson fort, fitoren e një mandati të tretë qeverisës në qershorin e vitit 2013.
“Ndaj le të trokasim në çdo zemër të qytetarëve shqiptarë, t’u ofrojmë ftesën tonë, vlerësimin tonë të madh, dëshirën tonë për të pasur energjinë e tyre, kontributin e mendjen e tyre. Nuk mund të zgjidhnim ditë më të bukur dhe nuk mund të gjenim moment më të goditur historik, sesa kjo ditë, për të lançuar projektin tonë të afrimit të shqiptarëve, të anëtarësimit të tyre në PD. Me vlerësimin më të madh për kontributin që ata japin dhe do të japin në shndërrimin në realitet të projektit të Shqipërisë europiane, të kësaj force politike, unë kam besim të madh se ne do të jemi në lartësinë e kësaj detyre, se do të justifikojmë plotësisht besimin, dëshirën, vullnetin e të rinjve dhe të rejave, e qytetarëve të çdo moshe, për t’i bashkuar me PD-në dhe për të ecur të sigurt drejt një fitoreje të shkëlqyer. Qershori që vjen do të përsërisë 22 marsin e vitit ‘92”, tha më tej, kreu i PD-së Sali Berisha.
Koncert festiv në Tiranë
“20 vjet demokraci pas bunkerizimit dhe skllavërisë”
Simbolika e 22 marsit 1992, është ajo e fitores së madhe të Partisë Demokratike përballë diktaturës, që ishte në grahmat e fundit të pushtetit të rrënuar 50 vjeçar.
22 marsi është rruga e lirisë dhe e vizionit për themelimin e Shqipërisë evropiane.
Këtë vit shqiptarët e festojnë fitoren e 20 viteve më pare në mënyrë madhështore pasi përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj, Partia Demokratike, nën kujdesin e veçantë të Sali Berishës, organizon një koncert madhështor në Tiranë, të enjten në orën 12:00.
“Ne duam që kjo festë të jetë festë për të gjithë. Ndaj me këtë rast do të ftoja të gjithë qytetarët shqiptarët ta festojmë së bashku këtë 20 vjetor, si dita që çeli dyert e të ardhmes sonë. Por do të doja që kjo festë të ishte para së gjithash, festë e të rinjve shqiptarë, festë e 20 vjeçarëve shqiptarë, e brezit më të lumtur në historinë e këtij vendi, i cili nuk jetoi qoftë edhe një orë të vetme diktaturën që përjetuan shqiptarët. Ndaj i ftoj të gjithë këtë manifestim të bukur dhe koncertin që do të organizohet ditën e enjte, në orën 12.00, ndonëse festa do të vazhdojë deri në darkë dhe një pjesë të skenarit së bashku me fishekzjarrët do t’i shpalosim në darkë”, tha kreu i PD-së.