Basha shpallet “personalitet nderi” i gjimnazit “Sami Frashëri”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i ftuar nderi në spektaklin “Sami Frashri Got Talent”. Duke iu përgjigjur interesimit të gjimnazistëve, ai sintetizoi frazën: “Dikur Lëvizja dhe liria ishin ëndrra, sot janë realitet”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte i ftuar nderi i nxënësve të shkollës së mesme Sami Frashëri në spektaklin e organizuar prej tyre “Sami Frashri Got Talent”.
Basha, ish nxënës i kësaj shkolle nuk ka ngurruar t’u përgjigjet pyetjeve të bëra nga nxënësit.
Për kryetarin e Bashkisë, regjimi diktatorial u kushtëzonte të rinjve, por jo vetëm lëvizjet dhe udhëtimet, jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe brenda vendit. Basha risolli kujtimet për nxënësit, duke u ndalur kryesisht te ndryshimet politike në fillim të viteve ’90.
“Rinia jonë ka qenë e kushtëzuar dhe ëndrra më e madhe për ne ka qenë lëvizja e lirë jo vetëm në botë, por edhe brenda vendit. Ne kërkonim gjithmonë të ishim të lirë. Koha kur kam qenë në maturë në ‘Sami Frasheri’ përkon me një ngjarje e rëndësishme, si ajo e rrëzimit të murit të Berlinit, që shënoi kthesë në ndryshimet që pasuan më pas. Gjërat kanë ndryshuar shumë, ndonëse ne ishim brez me fat ju jeni brez më me fat se ne. Sigurisht që ëndrrat tona ishin të lëviznim të lirë sepse ne e kishim të vështirë të lëviznim edhe brenda Shqipërisë. Të siguronim një ekskursion për në Pogradec dukej sikur shkoje në Amerikë. Por ajo që kishim në zemrat tona si ëndrra sot është realitet dhe është e prekshme për gjimnazistët e Sami Frashrit dhe gjithë Shqipërisë. Padyshim që nga kjo pikëpamje gjërat kanë ndryshuar shumë. Ndonëse ne ishim një brez me fat, ju jeni brez me më shumë fat se ne”, u shpreh Basha.
Kryebashkiaku i Tiranës premtoi gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, se gjimnazistët do të përfshihen në shumë projekte të bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu ai premtoi ngritjen e një bordi këshillimor me përfaqësues të rinisë gjimnaziste të qytetit, krahas bordeve këshillimore qytetare për qytetin.
Ndërkohë që në fund të intervistës për këta gjimnazistë, për karrierën e suksesshme me drejtimin e tre ministrive, asaj të Transporteve, të Jashtme dhe të Brendshme dhe së fundi si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Bordi i shkollës Sami Frashri vendosi t’i akordojë ish-nxënësit të kësaj shkolle, Lulzim Basha titullin “Personalitet nderi i Sami Frashrit”.