Reforma zgjedhore, Berisha: PD dhe aleatët qëndrojnë për lista të hapura

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, folis sot për reformën zgjedhore dhe qëndrimin e opozitës lidhur me sistemin e zgjedhjeve dhe listat e kandidatëve për deputetë.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët ne platformat sociale, Berisha tha se në vendet demokratike Kodi Zgjedhor dhe infrastruktura zgjedhore duhet të jenë produkte të konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës.
Berisha solli në vëmendje ndryshimet e sistemeve zgjedhore në Shqipëri gjatë viteve, duke u ndalur veçanërisht në vitin 2008.
Sipas Berishës, sistemi rajonal i miratuar në atë kohë ishte një mekanizëm që mundësonte rotacionin politik, por më pas u ndryshua dhe u “deformua” në mënyrë të njëanshme.
“Në rajonal, siç është sistemi që u vendos në vitin 2008, por që u deformua në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të njëanshme, kryesisht të njëanshme, por në një moment dhe në bashkëpunim nga Edi Rama, në një moment dhe në bashkëpunim me Lulzim Bashën. Unë nuk kam patur në dorë sistemin mazhoritar të ’91-shit. Jam përpjekur për vendosjen e sistemit gjerman, pothuajse të njëjtin pas vitit ’92”, tha ai.
Berisha tha se sistemi i vitit 2008 mundësoi rotacionin politik, duke sjellë si shembull zgjedhjet e vitit 2009, të fituara nga Partia Demokratike, dhe ato të vitit 2013, kur PD humbi zgjedhjet.
“Ky sistem mund të akuzohet, por autori kryesor i këtij sistemi, po ta quajmë kështu, Sali Berisha, humbi zgjedhjet, i fitoi në 2009-ën, i humbi në 2013-ën. Pra, ky sistem lejonte rotacionin”, tha ai,
Ai u ndal gjithashtu te sistemet e mëparshme, duke argumentuar se përfaqësimi parlamentar nuk ishte gjithmonë i balancuar mes forcave politike dhe zonave të ndryshme të vendit.
“Së dyti, e vërteta është që dhe Partia Socialiste mbrapa, gjer sa i bëri ndryshimet e thella, kur fitoi zgjedhjet në 2017-ën me një numër të kufizuar, me një mazhorancë të kufizuar jo të madhe. Pra, ndryshimet e tjera u bënë dhe e deformuan krejtësisht”, tha ai.
Në lidhje me reformën e ardhshme zgjedhore, Berisha bëri të qartë qëndrimin e PD-së dhe aleatëve të saj.
“Qëndrojnë për lista të hapura plotësisht. Dhe ne jemi dakord ta praktikojmë këtë sistem që ka dhe Kosova dhe disa vende të tjera”, tha ai.
Berisha, tha ndër të tjera se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale.
Sipas tij, qeveria aktuale ka ardhur në pushtet përmes një procesi zgjedhor që ai e cilësoi si “farsë elektorale”, ndërsa shtou se mazhoranca ka penguar hetimet për shkeljet zgjedhore.
Berisha u shpreh se qeveria nuk e lufton korrupsionin, por e mbron atë.
“Një qeveri që nuk lufton korrupsionin dhe një qeveri që mbron korrupsionin, pavarësisht sa vota apo si i ka marrë ato, humbet legjitimitetin e saj para qytetarëve. Përfaqëson botën e krimit, përfaqëson antiligjin dhe meriton të largohet sa më parë nga pushteti”, tha ai.
Berisha përmendi gjithashtu protestat e zhvilluara gjatë 70 ditëve në Tiranë, duke thënë se qytetarët kanë protestuar kundër politikave të qeverisë për shpopullimin, mjedisin dhe korrupsionin.
Sipas Berishës, protestat kanë marrë mbështetje edhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu ai tha se PD mbështet protestën që po zhvillohet tashmë prej shumë javësh në Tiranë.
/m.q/j.p/