Reforma zgjedhore, Berisha:I lëmë opozitës të drejtën e vetos
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje sërish opozitës të bëhet pjesë e reformës zgjedhore. Duke folur në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha theksoi se se mazhoranca është e gatshme të ulet në një tryezë me opozitën në komisionin për reformën zgjedhore ndërsa ka shtuar se opozita do të ketë edhe të drejtën e vetos në këtë komisionin.
“Siç ka kërkuar edhe vetë opozita në kuadrin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin e opozitës dhe të forcave të tjera politike për zgjedhjen më të plotë të rekomandimeve të bëra. Unë nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim, nëse zoti Rama dëshiron të hartojë të gjitha amendamentet dhe ti dërgojë në Komisionin e Venecias dhe ODIHR-it, ne do ti pranojnë ato pasi këto institucione do rekomandojnë standartet ndërkombëtare” ka theksuar Berisha.
Gjithashtu ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën edhe për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, e bazuar kjo në rregulloren e Parlamentit Europian.
Shefi i qeverisë ka ironizuar edhe librin e kreut të opozitës Edi Rama që pritet të dalë në treg duke e cilësuar atë si një vaj për humbjen e bashkisë së Tiranës. Ai ka cituar edhe disa vargje që sipas tij do t`i shkonin shumë mirë librit.
“Mësohet se Rama gjatë përpjekjeve tona për reformat ai ka qënë i mbyllur për të shkruar libër. Libri vërtet që meriton titullin “kur hidheshin themelet e korrupsionit në bashki”, rezulton një vaj për bashkinë e Tiranës. Libri hapet: Mbeç more shokë mbeç tek dera e bashkisë mbeç, nuk ma ka fajin partia por ma ka fajin babëzia sepse më iku bashkia” ka ironizuar Berisha kreun e PS-së.