Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi Shqipëri-OKB
Qeveria shqiptare ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për 4 vjet me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, kryeministri Berisha theksoi se ky program do të jetë i përqëndruar për të shpalosur modelin e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
“Shqipëria, një vend i zhvilluar është qëllimi më madhor, ëndrra më e bukur e çdo shqiptari. Por kjo ëndër gjen realizimin më të bukur në projektin e zhvillimit të qëndrueshëm” ka theksuar Berisha.
Ai ka shtuar se vendi ynë i ka të gjitha potencialet për të ndjekur rrugën e zhvillimit ndërsa ka theksuar se qeveria është e vendosur për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme.
Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjithë ekipet e OKB-së, duke theksuar se ata me kontributin e tyre janë pjesë e suksesit të këtij vendi.
“Është rasti të falenderoj donatorët që kanë bërë të mundur financimin dhe suksesin e projekteve të realizuara nga OKB në Shqipëri. Historia e suksesit qëndron në themel të zgjedhjes së vendit tonë si pilot për projektin e reformës së thellë të OKB, 1 OKB, që po konsolidohet në sajë të punës, përkushtimit të OKB në vendin tonë”- tha ai.
Sipas Berishes, kremtimi i 66 vjetorit të OKB-së me një marrëveshje shumë të rëndësishme për 4 vitet që vijnë është shumë domethënës.
“Bashkëpunimi ynë është i gjerë dhe suksesshëm. Programi do përqendrohet për të ndihmuar Shqipërinë në promovimin e një modeli për zhvillimin e qendrueshëm. Kemi të gjitha potencialet të ndjekim këtë rrugë në interes të gjithë shqiptarëve, do bëjmë gjithcka për ta shndërruar vendin në superfuqi të energjisë së rinovueshme, për një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër”- tha Berisha.
Nga ana e saj,drejtuesja e UNDP-së, vlerësoi programin e bashkëpunimit si një plan koherent që është përgjegjës së bashku me partnerët kombëtarë për përparësitë e tij. “Ai forcon qasjen me OKB dhe axhendën e reformave të OKB të pilotuar nga Shqipëria”- tha ajo, duke përgëzuar Shqipërinë për vullnetarizmin në renditjen si vend pilot.